Shkruan: Ed’hem Sherkavi
Një mik më tha se ky ka qenë një vit i keq dhe falë Allahut që e lamë pas dhe që jemi shpëtuar. Miku im, nëse me shpëtim nënkupton që nuk kemi vdekur, atëherë vërtet jemi shpëtuar. Por unë nuk e kuptoj dhe nuk e shoh shpëtimin përveçse në kalimin e rrugës drejt Xhenetit. Gjithçka përveç kësaj është vetëm fitore boshe dhe suksese mashtruese.
Miku im, fitorja nuk është të jetosh, e as humbja nuk është në vdekje, por në mënyrën se si jeton dhe për çfarë vdes. Nuk e di pse po ta shkruaj këtë tani, por më erdhi në mendje sahabiu Mus’ab ibn Umejri në Betejën e Uhudit.
Mus’abi, ai djali i pashëm, i bukur, i pasur dhe i përkëdhelur nga fisi Kurejsh, qëndronte i shtrirë në rërën e shkretëtirës i vdekur, duke pritur t’i gërmohej varri. Atë ditë nuk mundën të gjenin qefin apo rroba që do të mjaftonin për të mbuluar trupin e tij të vdekur. Kur ia mbulonin kokën, i zbuloheshin këmbët, kurse kur ia mbulonin këmbët, i zbulohej koka.
Sipas standardeve të kësaj bote, vdekja e tillë, krahasuar me jetën e tij luksoze të mëparshme, duket vetëm si një fund i trishtuar dhe i mjerë. Por, e vërteta është që ajo ishte dita më e lumtur e jetës së Mus’abit.
Nëse jeta vetvetiu është shpëtim, atëherë vërtet ka shumë të shpëtuar. E nëse vdekja është humbje, atëherë në fund do të jemi të gjithë të humbur, miku im.
Mirëpo, ajo që duhet të na shqetësojë është: Si do të jetë nata jonë e parë në varr?! A do të jetë një kopsht Xheneti apo një humnerë e zjarrit?
Imagjino, bashkë me mua, thjeshtësinë dhe kompleksitetin e këtij momenti në të njëjtën kohë. Doktoratura që ke nuk do të të bëjë dobi atëherë, përveç nëse zemra jote ka qenë e ruajtur.
Ky është mësimi që e kemi mësuar që në klasën e parë të shkollës fillore: Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është i dërguari yt?
Kaq e thjeshtë, por edhe kaq e vështirë dhe komplekse! Apo jo?!
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)