Abdusamed Nasuf Bušatlić
Derisa ushtria tatare ishte duke kryer vrasje të pamëshirshme të muslimanëve të Bagdadit, një grup tjetër i tatarëve filloi një krim tjetër të neveritshëm – shkatërrimin e bibliotekës së madhe të Bagdadit, e cila në atë kohë ishte biblioteka më e madhe në Tokë.
Shtëpia e Urtësisë ose Thesari i Urtësisë ishte institucioni i parë shkencor i themeluar gjatë epokës së artë të Islamit. Ajo u themelua nga halifi abasid Harun Reshidi, ndërsa djali i tij Me’muni, gjatë sundimit të tij, kërkonte dorëshkrime greke nga bizantinët e mposhtur dhe të nënshtruar, në këmbim të nënshkrimit të marrëveshjeve paqësore apo lirimit të robërve.
Shtëpia e Urtësisë ishte qendër e mendimit shkencor musliman për më shumë se gjashtëqind vjet dhe përmbante vepra nga të gjitha fushat shkencore, duke përfshirë shkencat islame, mjekësinë, astronominë, kiminë, fizikën, gjeografinë, ekonominë, sociologjinë, letërsinë, historinë, filozofinë dhe shkenca të tjera. Nëse kësaj ia shtojmë edhe shumë përkthime nga gjuhë të tjera, bëhet e qartë se po flasim për një mrekulli të asaj kohe.
Tatarët ndien një hendek të thellë kulturor dhe civilizues midis tyre dhe muslimanëve, të cilët kishin një histori të gjatë në shkencë, hulumtime shkencore, etikë dhe kulturë të përgjithshme, si dhe dhjetëra mijëra dijetarë të dalluar në të gjitha degët e shkencës. Dhe, duke qenë se ata ishin hordhi të egra, nga Shtëpia e Urtësisë, përkatësisht nga biblioteka e madhe e Bagdadit, ata nxorën një thesar të madh shkencor, miliona libra të çmuar, dhe me arrogancë të skajshme, egërsi dhe marrëzi, i hodhën të gjitha në lumin Tigër.
Tatarët hodhën në lumin Tigër punën e shumë shekujve dhe libra në të cilët ishin investuar mijëra jetë, shumë para, djersë dhe përpjekje, derisa uji u bë i zi nga boja e librave, dhe thuhej se një kalorës tatar kalonte mbi vëllimet e librave nga njëri breg i Tigrit në tjetrin, sikur të kalonte mbi një urë.
Biblioteka e Bagdadit, në të vërtetë, përfaqësonte një thesar të paçmuar shkencor, dhe e vetmja bibliotekë që mund të krahasohej me të ishte ajo në shtetin islam të Andaluzisë, përkatësisht biblioteka në Kordovë, e cila përjetoi të njëjtën fat si ajo në Bagdad.
Kur Kordova ra në duart e kryqtarëve (vetëm njëzet vjet para rënies së Bagdadit), ata e dogjën plotësisht bibliotekën e Kordovës.
Por kjo nuk ishte e gjitha. Ajo që kryqtarët bënë me bibliotekën në Kordovë, e përsëritën edhe me bibliotekën në Granadë, kur ajo ra në duart e tyre në vitin 1492. Gjithçka që dora ndërtuese kishte ndërtuar me kujdes për shekuj për të mirën e të gjithë njerëzve, karakteri shkatërrues u përpoq ta shkatërronte tërësisht.
Për këtë karakter, ndër të tjera, dëshmojnë edhe 800 mijë libra të djegur në Granadë, pasi Ferdinandi dhe Izabela me ushtrinë e tyre hynë në atë kryeqytet të dijes, kulturës dhe civilizimit. Librat e djegur ishin, në fakt, vepra kryesore nga mjekësia, ekonomia, astronomia, filozofia, drejtësia, botanika, matematika dhe shkenca të tjera, por edhe disiplina artistike, veçanërisht letërsia. Pa ato vepra, thjesht, jeta normale njerëzore ishte e paimagjinueshme. Por, edhe me çmimin e kthimit në errësirën e jetës dhe rënies në varfëri të plotë materiale dhe shpirtërore, ata dëshironin t’i zhduknin gjurmët e historisë dhe civilizimit islam.
Të krishterët kanë kryer krime të ngjashme për herë të tretë, të katërt, të pestë dhe të dhjetë në bibliotekat e Toledos, Seviljes, Valencias, Saragosës dhe qyteteve të tjera muslimane në Andaluzi.
Ata e bënë këtë edhe në Sham, në bibliotekën e Tripolit (në Libanin e sotëm), ku dogjën disa milionë libra. Ata e bënë këtë edhe në Palestinë, në bibliotekat e Gazës, Kudsit dhe Askalanit, ashtu siç po bëjnë sot hordhitë sioniste në Gazë.
Muslimanët kurrë nuk kanë shkatërruar tempujt dhe vendet e shenjta të të tjerëve, as thesarin shkencor dhe kulturor, por të krishterët, hebrenjtë dhe paganët e kanë bërë këtë, dhe kjo është një nga njollat e zeza të luftërave të tyre pushtuese dhe periudhave të dominimit të tyre ushtarak dhe politik.
Ata, përgjatë historisë së tyre, kanë shkatërruar tempujt e të tjerëve, simbolet kulturore dhe kanë djegur bibliotekat – atë pasuri të pamasë shkencore dhe kulturore. Ky karakter dhe zakon shkatërrues ka mbetur tek ata deri më sot, dhe ne (boshnjakët dhe shqiptarët) jemi dëshmitarë të gjallë të vandalizmit dhe shkatërrimit të krishterë (lindor dhe perëndimor), sepse çetnikët dhe ustashët i shkatërruan të gjitha xhamitë dhe urat, dhe e dogjën ‘Vijeçnicën’ në Sarajevë, e cila brenda mureve të saj ruante dhe mbante me xhelozi një thesar të madh shkencor dhe kulturor-civilizues.
Por, pavarësisht luftës së përgjithshme kryqtaro-hebraike kundër Islamit dhe muslimanëve, ata nuk mund ta shuajnë dritën e Islamit, ashtu sikurse të marrët që fryjnë nga Toka nuk mund ta shuajnë dritën e Diellit. Sepse, Islami qëndron mbi gjithçka, kurse mbi të nuk mund të qëndrojë asgjë.
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)