Për lumturinë në këtë botë nevojitet shumë pak. I liri nuk e di çfarë është robëria, prandaj as nuk di ta vlerësojë lirinë; i shëndoshi, nuk mendon për shëndetin, rrallë e mendon sëmundjen, vetëm kur sëmuret bëhet i vetëdijshëm për shëndetin. Kur sëmuret, bëhet i vetëdijshëm për Atë që e jep sëmundjen, por rrallë pyet se prej nga e ka shëndetin. Vetëm kur nuk ka mundësi të mbijetojë, kur ndien uri, atëherë ai bëhet i vetëdijshëm për pavlefshmërinë e shumë gjërave që i ka dëshiruar kur ka qenë i ngopur.
Pejgamberi (savs) erdhi për të na edukuar, e kjo do të thotë, edhe për të na mësuar që të jemi falënderues dhe t’i vlerësojmë begatitë që na janë dhuruar e, që ne mendojmë se janë të vetëkuptueshme. Ai (savs), ka thënë: “Kush është i sigurt në familjen e tij, kush është i shëndetshëm në trup dhe kush ka mjaftueshëm për të mbijetuar, është si ai që ka të gjitha pasuritë e kësaj bote.” (Tirmidhiu) Vërtet, çfarë dëshirojnë të shtypurit, çfarë do të jepnin të sëmurët për shëndetin, dhe çfarë vlejnë të gjitha gjërat që na rrethojnë nëse nuk mund ta shuajmë urinë? Në një hadith tjetër, Pejgamberi (savs) thotë: “Kush gëdhihet i shëndoshë dhe ka ushqim për atë ditë, ai është i lumtur.” (Tirmidhiu)
Një mijë herë më shumë, njerëzit përpiqen të fitojnë pasuri materiale se sa pasuri shpirtërore, ndonëse është plotësisht e sigurt që lumturia na vjen nga ajo që jemi, dhe jo nga ajo që kemi. Allahu i Plotfuqishëm, i ka dërguar shpalljet për të na treguar këtë rrugë drejt lumturisë së kësaj bote. Kurani është Shpallja e fundit, e dërguar për të gjithë njerëzit, dhe kush e ndjek atë sipas Kuranit do të arrijë atë që dëshiron.
Çdo mosbalancim largon nga lumturia. Kur shpirtërorja neglizhohet dhe mëkati bëhet i zakonshëm, aty nuk mund të qëndrojë lumturia. Kurani nuk i ndalon të mirat e kësaj bote, as nuk e kufizon sasinë e tyre, për sa kohë që ato janë fituar në mënyrë të ligjshme dhe përdoren brenda kufijve të përcaktuar nga Allahu. Fatkeqësia qëndron në tejkalimin e kufirit, prandaj Allahu në suren el-En’am na paralajmëron për dhjetë mëkate që e çojnë në fatkeqësi edhe individin edhe shoqërinë. “Thuaju: “Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Zoti juaj: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në ibadet); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos i afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni.” – Dhe mos iu qasni pasurisë së jetimit, përveçse për ta rregulluar, derisa të mbërrijë pjekurinë! Kryejeni drejt matjen dhe peshimin; Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësisë së tij! Kur të flisni, thoni të vërtetën, qoftë edhe për të afërmit tuaj! Plotësojani besën e dhënë Allahut! Këto ju porosit Ai që të mos harroni. – Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (el-En’am, 151-153)
Ka vetëm një rrugë ku mund të jetohet me lumturi. Duke pasur parasysh se njeriu në thelb jeton përjetësisht, duke kaluar nga një shtëpi në tjetrën, o njeri, mos e shiko lumturinë vetëm brenda kufijve të kësaj bote. Që të jetojmë me lumturi, në të gjitha shtëpitë ku do të jetojmë, Allahu na urdhëron që të besojmë dhe të mos i bëjmë shok Atij. Besimi është themeli i lumturisë, sepse besimtari, siç thotë Pejgamberi (savs), është gjithmonë i kënaqur. Kur e godet një e mirë, ai është falënderues, por edhe kur e godet ndonjë e keqe, ai është gjithashtu i kënaqur, sepse të besosh do të thotë të besosh në caktimin e Allahut.
Që të jetojmë me lumturi në të gjitha shtëpitë ku do të jetojmë, Allahu na urdhëron që të sillemi mirë me prindërit. Aty gjendet lumturia, sepse ne e dimë, siç thotë Pejgamberi (savs), se kënaqësia e Zotit tonë arrihet përmes kënaqësisë së prindërve. A është e mundur që të jesh i lumtur nëse prindërit nuk janë të lumtur, sepse lumturia e tyre është pjesërisht në mënyrën se si i trajton ata? Në betejën për pasuritë materiale, njeriu i sotëm gjithnjë e më shumë i injoron vlerat e vërteta dhe të drejta, vlerat e dy botëve. Që të jetojmë me lumturi në të dyja botët, Allahu na urdhëron: “Mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë…” (el-En’am, 151) Fëmijët, pikërisht, janë lumturi për të dyja botët. Në kërkim të lumturisë personale të kësaj bote, por të rreme, më shumë do ta quanim kënaqësi sesa lumturi, njeriu i sotëm nuk dëshiron as përgjegjësi as detyrim, dhe fatkeqësisht, pikërisht fëmijët i përjeton ashtu. Fëmijët janë edhe lumturi e kësaj bote edhe e botës tjetër, besimtari e di këtë, prandaj nuk kërkon lumturi në rrugë të gabuar.
Në vend që ta kërkojë lumturinë e vërtetë, njeriu kërkon balancë, dhe atë e arrin, por në kërkimin e pandalur për pasuri materiale, ai thellohet gjithnjë e më shumë në mëkat, dhe mëkati sigurisht që e largon nga lumturia. Allahu i Plotfuqishëm, për hir të lumturisë sonë, na urdhëron: “Mos iu afroni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta…” (el-En’am, 151) Veprat e mira, jo mëkatet, bamirësia, jo keqbërja, e bëjnë zemrën tonë të gjerë dhe na bëjnë të lumtur. Mëkati na ngulfat, na ngushton dhe na sjell mjerim, andaj Allahu i Lartësuar e ndalon: “Mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (ligji)…” (el-En’am, 151) Drejtësia nuk është në duar të individëve, por në duar të gjykatave, të shtetit dhe të institucioneve. Çfarë lumturie mund të sjellë vrasja e njerëzve të pafajshëm, kur ata janë në tempujt e tyre duke u lutur, në shëtitje, në pazar, dhe si do të dalin ata që po vrasin kaq shumë të pafajshëm në Gaza para Gjyqtarit të Drejtë?
Edhe mbrojtja e të pafuqishmit është lumturi. A nuk ndiheni të lumtur kur ndihmoni dikë? Po si ndjehet ai që merr nga i pafuqishmi, nga i dobëti; kur grabit nga ai që është i pambrojtur? Mos dëshironi atë që kanë ata që kanë fituar në mënyrë të padrejtë dhe të ndaluar. Ata, pavarësisht pasurisë së tyre, sigurisht që nuk janë të lumtur. Që të jetojmë me lumturi në të gjitha shtëpitë ku do të jetojmë, Allahu na paralajmëron të mos fitojmë asgjë me mashtrim. “Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje), – që, kur masin për veten, e marrin masën e plotë, – ndërsa, kur u masin të tjerëve me litëe ose me kandar, ua pakësojnë.” (el-Mutaffifin, 1-3) Kjo është rruga e drejtë, kjo është rruga e lumturisë.
Lumturia është kërkimi i kënaqësisë së brendshme, dhe jo plotësimi i dëshirave të paevitueshme për gjërat e jashtme. Ku mund ta gjejmë këtë kënaqësi të brendshme? Allahu na urdhëron: “Zbatoni besëlidhjen e Allahut…” (en-Nahl, 91) Ai na ka pyetur qysh në Ezel: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ne kemi thënë: “Po.”
Prandaj, le ta përmbushim besëlidhjen e Allahut dhe të shmangemi nga ato që Ai na ka ndaluar, atëherë do ta kemi lumturinë në të dyja botët.
O Allahu i Lartësuar, na ndihmo! Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)