Agjencia e Ushqimit asgjëson 21 ton mish të BIK-ut

705

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka asgjësuar 21 ton mish gjedhi që i përkiste Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), raporton Anadolu Agency (AA).

Në një përgjigje me shkrim për AA, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, tha se ka qenë kërkesë e vetë zyrtarëve të BIK-ut, të cilët kanë dyshuar “mbi sigurinë e kurbaneve”. Ai tha se mishi ka qenë i deponuar në depon e kontraktuar në Veternik të Prishtinës dhe ishte dedikuar për shpërndarje tek qytetarët.

“Pas inspektimit të detajuar, inspektorët kanë vlerësuar se fillimisht mishi i deponuar aty nuk është ngrirë me kohë. Kapaciteti ftohës së depos nuk ka arritur që të ngrij mishin në temperaturën e nevojshme ruajtëse dhe si pasojë ka ardhur deri tek kontaminimi apo prishja e mishit. Nga kontrolli fizik dhe organoleptik është konstatuar se mishi ka filluar të ndryshojë ngjyrë. Disa nga paketimet kanë pasur rrjedhje gjaku, që dëshmon se mishi është shkrirë dhe ka filluar të kundërmojë erë”, tha Thaçi.

Rrjedhimisht, bazuar në ligjet në fuqi të Kosovës, AUV thekson se inspektorët vendosën për asgjësimin e këtyre 21 ton të mishit ngase “nuk i plotëson kushtet për konsum”.

“Menjëherë, Bashkësia Islame ka krijuar kushtet për asgjësim sipas vendimit të inspektorëve. Asgjësimi ka filluar sot dhe është duke u kryer nga kompania pastrimit të mbeturinave, në deponinë e mbeturinave në Obiliq nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së”, tha Thaçi.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, për AA konfirmoi se ka qenë kërkesë e BIK-ut kontrollimi i mishit të kurbaneve.

“Po, është e vërtetë, ka qenë iniciativë e jona që kemi kërkuar që ata të vijnë për inspektim të mishit, sepse kemi dyshuar në kualitetin e tij. Nesër do të dalim me një sqarim zyrtar rreth këtij rasti nëpërmjet një konference”, tha Sadriu.

Sadriu bëri të ditur se mishi i prishur ka qenë mish i kurbaneve dhe ka qenë i destinuar për familjet në nevojë, por shtoi ai, për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme për mirëmbajtjen e tij ka ndodhur që ai të bëhet i pakonsumueshëm.