HUTBE: Prefekti i varfër i hz. Omerit r.a.

1180

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.


Vëllezër besimtarë;
Hutbeja e sotme titullohet: “Prefekti i varfër i hz. Omerit (r.a.)”


Halifi Omer (r.a.), ishte një nga sundimtarët më të përulur dhe më të ndershëm që kanë ekzistuar në Tokë. Në burimet islame është shënuar se një i deleguar i Kisras (mbretit të Persisë), pasi kishte mbërritur në Medinë, kishte pyetur ku është pallati i mbretit, por i kishin thënë se muslimanët nuk kanë as mbret, as pallat, por kanë halif, i cili jeton në një shtëpi të zakonshme si edhe muslimanët tjerë. Hz. Omerin e gjetën duke fjetur në hijen e një palme. I deleguari i Persisë nuk po mund të besonte se ky është sundimtari i vendit, atëherë, më të fuqishëm, madje edhe pa truproje. Pasi u bind se ky me të vërtetë është halifi Omer (r.a.), i deleguari tha: “E ke vendosur drejtësinë, andaj rahat ke ra në gjumë!” Thuhet se ky i deleguar, së shpejti pas takimit me Omerin (r.a.), e kishte pranuar Islamin.


Megjithatë, tema kryesore e kësaj hutbeje nuk është Omeri i madh (r.a.), i cili ishte Islami i gjallë, dhe për në të cilin janë shkruar vëllime të librave, por i famshmi Seid bin Amiri (r.a.), të cilin halifi Omer e kishte caktuar prefekt të qytetit Homs në Siri. Ky prefekt aq i ishte përkushtuar punës tij në kujdesin ndaj njerëzve, e sidomos ndaj të varfërve, sa që për shkak të modestisë së tij të pashembullt, ishte bërë me vaj edhe halifi i madh Omeri (r.a.). Dhe të gjithë njerëzit me iman, me dije me moral do të mallëngjehen, e shumë edhe lot do të derdhin, kur ta dëgjojnë dhe lexojnë këtë rrëfim. Një shumicë edhe do të turpërohen për mungesë modestie dhe për moskujdes ndaj atyre për të cilët e kanë detyrë që të kujdesen.


Natyrisht, këta shembuj të ndritshëm shërbejnë për të nxjerrë mësime, për të mësuar dhe vu në veprim atë që u sjell dobi të gjithë njerëzve dhe të gjitha krijesave të gjalla të globit. Në të vërtetë, të gjithë përgjegjësit thonë se janë për ndryshime, por, pothuajse askush nuk dëshiron të ndryshojë.
“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, për derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre…” (er-Ra’d, 11)
Sundimtarët, në të gjitha segmentet e shoqërisë sonë, do të duhej të jetojnë me popullin në tokë, e mos të fluturojnë lartë në re dhe të japin premtime abstrakte. Sepse i ngopuri nuk e kupton të uriturin, as i shëndoshi të sëmurin. Të gjithë neve, por edhe mbarë njerëzimit, kurrë nuk ju ka nevojitur më tepër ky hadith sesa neve tani:
“Asnjë nga ju nuk do të besojë plotësisht derisa ta dëshirojë për vëllanë e tij atë që ai e dëshiron edhe për veten.” Por edhe ky:
“Nuk është besimtar i vërtetë ai që e kalon natën i ngopur, ndërsa fqinji i tij i uritur.”


Për fat të keq, përgjegjësit nuk duan t’ju theksohen obligimet, gabimet dhe lëshimet, madje edhe nëse udhëzimet vijnë nga Kurani dhe Sunneti, por më shumë preferojnë servilizmin hipokrit dhe ledhatimin, të cilat në fund na kushtojnë të gjithëve, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Mençuri është t’ia zgjasim dorën atij që ka rrëshqitur, atij që është në depresion, atij që ka devijuar, jobesimtarit, mëkatarit, madje edhe tiranit dhe çdo njeriu. Sepse secili njeri ka ndonjë të mirë dhe diçka të dobishme. Askush nuk është i tepërt dhe askënd nuk duhet ta mallkojmë.


I madhi Imam Gazaliu ka thënë: “Nëse te dikush i vëreni 99 % gjëra të mosbesimit, dhe vetëm 1 % të mira, vendosni për atë 1%.” Sa e bukur, sa e mençur dhe magjike!”


Për fat të keq, sot te ne është e kundërta! Andaj nuk është çudi pse kemi kaq ndarje, mosmarrëveshje, armiqësi, dhe në fund, shkatërrim total.


Qëllimi i fesë, për fat të keq, e ka humbur gjithë kuptimin në jetën e tyre. Feja është bërë një gjë formale, sepse është varrosur në libra dhe biblioteka, kurse në jetën e përditshme ka shumë pak. Sot po ngazëllehen ata që ishin pasues të thënies se feja është opium për njerëzimin.


Shumë kohë më parë Hasan Basriu ka thënë: “Islami është në libra, kurse muslimanët janë në varre?” Pikërisht ashtu, o Hasani ynë fisnik!


Shikoni në gjendjen e muslimanëve të sotëm. E turpshme dhe e frikshme! Ose vriten me njëri-tjetrin, ose e urrejnë njëri-tjetrin, ose janë tifozë. Kjo ka të bëjë me lojën më të rëndësishme – me lojën e jetës. Tani ka ardhur koha që muslimanët ta thirrin vetveten në Islam.


Çdo njeriu duhet t’i kushtohet vëmendje sikurse lules më të bukur, kushdo qoftë ai. Mos të harrojmë se çdo njeri, jo vetëm që është pjesë e umetit të Allahut, por është një kozmos i vogël. Një kozmos i vogël është, madje, edhe një atom i padukshëm, ndërsa njeriu me ‘La ilahe il-lallah’ është më i rëndësishëm te Allahu se sa i gjithë kozmosi. Atëherë, si mund të përbuzet, të nënçmohet, të injorohet, të mallkohet dhe të distancohet dikush me shehadet? Si mos të jemi pjesë e tij dhe ai pjesë e jonë?! Kurse ne, nëse nuk jemi të bashkuar, nuk jemi asgjë dhe perspektivën e kemi të pasigurt, sepse, uraganet qëllimkëqij po fluturojnë mbi njerëzimin dhe Tokën.


Të kujdesemi për njëri-tjetrin, si për veten tonë, dhe si për më të afërmit dhe më të dashurit, ashtu siç është kujdesur, gjiganti të cilin e përmendëm në fillim të hutbes, halifi Omer (r.a.).


Ky halif i madh dhe i famshëm kishte kërkuar prej banorëve të Homsit, në Siri, që t’ia sjellin emrat e të varfërve të Homsit që t’u ndihmonte nga buxheti i shtetit. Kur ia sollën emrat, halifi Omer u habit kur pa se në mesin e emrave të njerëzve të varfër gjendej edhe emri i prefektit të Homsit, Seid ibn Amiri. Halifi Omer u çudit pse emri i prefektit të Homsit gjendet në listën e të varfërve, dhe i pyeti qytetarët e Homsit për shkakun e varfërisë së tij.


Ata i thanë se ai krejt pagën ua ndanë të varfërve dhe nevojtarëve, duke thënë:
“Çka të bëj, kur unë jam përgjegjës për ta para Allahut?”
Pastaj halifi i pyeti nëse shohin te prefekti ndonjë mangësi, kurse ata i thanë: “Po, kemi vërejtje te ai, për tri gjëra:

  1. Në punë vjen dikur vonë pas lindjes së diellit.
  2. Natën nuk e shohim kurrë.
  3. Një ditë në javë nuk vjen fare në punë.” Kur e pyeti halifi Seidin për këto mangësi, ai u përgjigj: “Po, o udhëheqësi i besimtarëve, kjo është e vërtetë, për këto shkaqe: 1. Në punë shkoj dikur vonë pas lindjes së diellit, sepse në mëngjes së pari i bëj të gjitha punët e shtëpisë dhe të familjes, sepse nuk kam shërbëtorë, kurse gruaja ime është e sëmurë; 2. Natën unë nuk shfaqem para njerëzve, sepse ditën ia kushtoj shërbimit të njerëzve, ndërsa natën e kaloj në ibadet; 3. Një ditë në javë nuk punoj, sepse atë ditë i lajë rrobat e mija dhe i pres që të thahen, sepse nuk kam rroba të tjera!”
    Atëherë halifi Omer ibn Hattabi ia shkrepi vajit!!
    O Zot, çfarë halifi dhe çfarë prefektit të mrekullueshëm! Sa mësim i mirë, por, siç thotë Kurani: “A ka dikush që të merr mësim!” (el-Kamer, 40)
    Na fal neve, o Allahu i dashur! Ne krenohemi që jemi pasues të fesë që e pasuan Omeri (r.a.) dhe Seid ibn Amiri, por turpërohemi që me cilësitë dhe me veprat tona jemi larg tyre! Turpërohemi pse nuk po kujdesemi për njëri-tjetrin ashtu siç u kujdesen ata për të dobëtit, të sëmurët dhe të varfrit.
    Ta përmbyllim këtë hutbe me fjalët e mrekullueshme të Johann Nestroyit:
    “Ne nuk duhet të turpërohemi nga varfëria. Por ka shumë njerëz të cilët duhet të turpërohen nga pasuria e tyre!”
    O Allahu i Plotfuqishëm, na e prano këtë hutben tonë, na bën që të marrim shembull nga njerëzit e mëdhenj si hz. Omeri (r.a.) dhe Seid bin Amiri!
    Na e ndrysho gjendjen tonë për të mirë dhe na mbill në zemrat tona dëshirën për të ndryshuar!
    Na i falë mëkatet dhe të na shpërble me xhenet në shoqëri me të dashurit dhe të zgjedhurit Tu! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

Islampress.ch