Haxhi, hap pas hapi

1183

Simbolika e haxhit dhe e veprimeve të tij në traditën islame është shumë e rëndësishme dhe interesante. Simbolika e tyre është e lidhur ngushtë me jetën e njeriut. Haxhi si ibadet kulmon me mesazhe kuptimplote dhe paraqet fazën e pjekurisë imanore të njeriut besimtar. Haxhi, gjithashtu, paraqet rrugëtimin jetësor të besimtarit, nga lindja deri në vdekje.

Le t’i shikojmë tani veprimet e kërkuara fetarisht për të qenë ky ibadet i pranuar dhe i plotësuar sipas standardeve të burimeve të fesë dhe të traditës.

1. Së pari veshim Ihramin, bëjmë nijetin dhe këndojmë telbijen.

2. Në ditën e tetë të Dhul-hixhes dilet në Mina. Gjatë kësaj dite bëhet një parapërgatitje për ditën e së nesmër, për ditën e Arafatit.

3. Në ditën e nëntë të Dhul-hixhes dilet në Arafat dhe aty qënderohet deri pas perëdimit të diellit. Në arafat falet namazi i drekës dhe i iqindisë bashkë, në kohën e drekës, dhe pastaj gjatë ditës bëhet lutje, lexohet Kur’an, etj.

4. Pas arafatit, haxhillarët drejtohen për në Muzdelife dhe aty i mbledhin guralecët (49 guralecë). Në Muzdelife haxhillarët flejnë deri në mëngjes.

5. Të nesërmen në mëngjes, pas faljes së sabahut dhe pa lindur dielli, haxhillarët drejtohen për në Mina për t’i gjuajtur 7 guralecë në Shtyllën Xhemretu-l-akabe. Gjatë rrugës për në Mina këndohet sa më shumë telbija dhe tekbir. Me hedhjen e gurit të parë ndërpritet telbija. Kur i hedhim gurët themi: Bismil-lah, All-llahu ekber.

6. Pas gjuajtjes së gurëve, haxhiu pret të merr lajm për therrjen e kurbanëve dhe tek pastaj i qeth flokët dhe nëse dëshiron e heq edhe ihramin. Pas kësaj, haxhillarëve ju lejohen gjërat që i kishin të ndaluara gjatë ihramit, përveç marrëdhënieve seksuale, e që duhet pritur deri sa të kryehet tavafi i haxhit, ose tavafu-zijareh.

7. Pas veprimeve të derimëtanishme, në ditën e parë të bajramit është më mirë të kryehet Tavafi i haxhit, gjegjësisht tavafu-zijarah, që zakonisht haxhillarët e kryejnë mbas dreke ose në mbrëmje të ditës së parë të Bajramit. Pas tavafit, falim dy reqat namaz, pimë ujë zemzemi dhe drejtohemi për në sa’j.

8. Pas tavafit të haxhit, bëhet sa’ji i haxhit, duke filluar nga Safa dhe duke mbaruar në Merva.

9. Pas mbarimit të sa’jit mbarojmë me veprimet kryesore (farze) të haxhit.

10. Në ditën e dytë të Bajramit, dilet përsëri në Mina dhe gjuhen 21 guralecë te shtyllat e shajtanit.

11. Në ditën e tretë dilet përsëri në Mina dhe gjuhen edhe 21 guralecë të tjerë te shtyllat e shajtanit.

12. Gjatë kohës së lirë është mirë të bëhet sa më shumë tavafe dhe vizita te vendet historike.

13. Në fund, para se të largohemi nga Mekka, duhet të behet tavafi i lamtumirës, duke u përshëndetur përfundimisht me Qabenë e bekuar.

Përgatiti:
Mehas Alija

(Islampress.ch)