Sot fillojnë ditët e ritualeve të Haxhit

1289

07 korrik 2022 – Dita e Tervijes, dita e tetë e Dhul-Hixhes

Kur vjen dita e 8-të e Dhul-Hixhes, pas faljes së mëngjesit dhe pas lindje së diellit të gjithë haxhinjtë drejtohen për në Mina. Aty falet namazi i drekës, i iqindisë, i akshamit dhe i jacisë. Për mysafirët namazet falen të shkurtuara dhe në kohën e tyre pa i bashkuar. Qëndrimi në Mina është sunet. Në Mina kujtohet Ibrahimi a.s. dhe akti i tij për të sakrifikuar djalin, Ismailin a.s.

09 korrik – Dita e Arafatit, dita e nëntë e Dhul-Hixhes

Qëndrimi në Arafat është shytllë e Haxhit, nëse nuk qëndron në Arafat, Haxhi nuk vlen. Pas lindjes së diellit, haxhinjtë drejtohen për në Arafat, duke thënë telbijen, tekbirin dhe format e ndryshme të lutjes dhe dhikrit. Në Arafat duhet qëndruar, si një minimum i kërkuar, nga dreka e deri në aksham. Në këtë kohë, në kohën e namazit të drekës, haxhinjtë falin drekën dhe iqindinë së bashku, duke i bashkuar. Përveç kësaj, haxhinjtë luten me gjithë zemër dhe mundohen që sa më shumë t’i kërkojnë falje All-llahut xh.sh. Në këtë vend, në malin e Rahmetit, thuhet se janë takuar Ademi a.s. dhe Hava, pas largimit të tyre nga Xhenneti.

Muhammedi a.s. thotë: “Haxhi është Arafat”.  

Po ashtu ka thënë:  “Allahu në ditën e Arafatit fal shumë robër nga zjarri. Zoti zbret ditën e Arafatit në rafshnaltën e Arafatit, lavdërohet me robërit e tij para engjëjve duke thënë: “Çfarë kërkojnë (që t`ua jap)?!

10 korrik – Dita e Bajramit të Kurbanit, dita e dhjetë e Dhul-Hixhes

Haxhinjtë qëndrojnë në Arafat deri pas perëndimit të diellit, dhe kur prijësi i Haxhit niset, të gjithë shkojnë pas tij me qetësi, pa u nxituar dhe pa rrëmujë. Akshamin dhe jacinë duhet t`i falin në Muzdelife, duke i falë të shkurtuar dhe të bashkuar. Falja e Akshamit dhe Jacisë bëhet në kohën e Jacisë. Qëndrimi (fjetja) në Muzdelifeh është detyrë (vaxhib) qoftë edhe fare pak.

Në Muzdelife është e pëlqyeshme që të mblidhen 49 guralecë. Të paktën shtatë guralecë t’i marrë në Muzdelife kurse të tjerat mundet edhe gjatë rrugës.

Drejtimi për në Mina

Pas lindjes së diellit, haxhinjtë drejtohen për në Mina. Kur arrijnë në Mina ata kryejnë këto veprime:

1 – Gjuajtjen e shtatë guralecëve te Xhemeratet (shtyllat ku gjuhet me gurë shajtani). Hedhja e gurëve bëhet një e nga një. Në çdo hedhje thuhet Bismilah, Allahu ekber. Rrugës për te Xhemratul Akabeh thotë: “ALL’LLAHU EKBER, ALL’LLAHU EKBER, ALL’LLAHU EKBER, LA ILAHE IL’LALL’LLAHU, ALL’LLAHU EKBER, ALL’LLAHU EKBER UE LIL’LAHIL’HAMD”.

2 – Therja e kurbaneve për ata që e kanë detyrë (Haxhi Temettu dhe Kiran).

3 – Qethja e plotë ose shkurtimi i flokëve. Gratë shkurtojnë nga flokët vetëm sa një majë gishti.

4 – Tavafi i Haxhit, siç quhet ndryshe Tavafu-z-zijarah ose Ifadah 

Pas heqjes së flokëve drejtohen për në Mekë për të kryer Tavafin e Ifadas (apo vizitës). Ky tavaf është shtyllë e Haxhit. Haxhi nuk vlen, nëse nuk kryejmë Tavafin e Ifadas. Është e pëlqyeshme të kryhet ditën e Kurbanit, por mund të kryhet edhe në ditët e tjera të Kurbanit. Pas tavafit falim dy rekate.

DITËT E KURBANIT  (11-të, 12-të, 13-të DHUL-HIXHE) DHE GJUAJTJA E GURALECËVE

Në këto ditë haxhinjtë shkojnë sërisht në Mina dhe gjuajnë gurët, me këtë rast ata gjuajnë në secilën ditë nga 21 gurë, në të tre xhemeratet, apo siç quhen në popull, shtyllat e shajtanit.

Pas hedhjes së gurrëve, haxhinjtë qëndrojnë në Mekke të lirë, ndërsa kur vendosin të largohen nga qyteti, ata bëjnë edhe tavafin e fundit, atë të Lamtumirës.  

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Gjëja e fundit bën (në Meke) të jetë takimi (tavafi) me Qaben”.

Këto ishin vetëm disa nga veprimet më kryesore që do t’i kryejnë haxhinjtë gjatë këtyre ditëve, ndonëse ka edhe veprime të tjera, të ndërmjetme, të cilat nuk janë të detyrueshme, por sunete dhe nafile.

Përgatiti:
Hfz. Mehas Alija

(Islampress.ch)