Dhikri pas namazit dhe pauza ndërmjet farzit dhe sunetit

1119

Hfz. Mehas Alija

Kohëve të fundit janë përzier format e namazit ndër xhematet shqiptare. Kjo ka ardhë si pasojë e prurjeve të reja të mendimit dhe praktikës islame nga hoxhallarë që janë shkolluar në botën arabe, ku janë takuar dhe kanë mësuar medh’hebet e tjera, siç janë medh’hebi maliki, shafii‘ dhe ai hanbeli.

Populli shqiptar, tradicionalisht, deri më tani ka ndjekur medh’hebin hanefi dhe namazin e ka falur sipas përcjelljes dhe shpjegimit të dijetarëve të këtij medh’hebi. Nëpër libra e hasim të shkruar si “forma e namazit të Pejgamberit a.s. nën dritën e shpjegimit të dijetarëve të medh’hebit hanefi”.

Ndër pikat dhe temat e diskutuara është edhe bërja e dhikrit me xhemat, gjegjësisht koha se kur bëhet dhikri pas namazit dhe sa duhet të jetë pauza ndërmjet farzit dhe sunetit, sikur që është namazit i drekës, i akshamit dhe i jacisë, kur pas farzeve falen edhe sunetet.

Sipas medh’hebit hanefi, është sunet të behet një pauzë e shkurtër ndërmjet namazit farz dhe sunetit. Për ta realizuar këtë sunet do të mjaftonte koha sa duke dhënë selam dhe duke shqiptuar duanë profetike, që Muhammedi a.s. e bënte pasi jepte selam: “All-llahumme ente-s-selam ve minke-s-selam, tebarakte ja dhel xhelali ve-l-ikram – Zoti ynë, Ti je Paqësori dhe prej Teje buron paqja. I Bekuar je o Zotëruesi i madhështisë dhe fisnikërisë.”

Në hadithin që e shënon imam Muslimi, të përcjellë nga gruaja e Pejgamberit a.s., hazreti Aishja r.a., thuhet: “Kur Pejgamberi a.s. jepte selam, nuk qëndronte më gjatë ulur, pos sa i nevojitej kohë për të thënë “All-llahumme ente-s-selam ve minke-s-selam, tebarekte dhe-l-xhelali ve-l-ikram.” (Imam Muslimi, hadithi 592).

Në bazë të këtij hadithi, imami i njohur hanefi, Imam Serahsi në librin e tij “El-Mebsut”, thotë se është mekruh (vepër e urryer) qëndrimi më gjatë se sa duhet pas mbarimit të farzit të drekës, akshamit dhe të jacisë.

Po ashtu, në rivajetin që e shënon Imam Muhamed Esh-Shejbaniu në “Atharin” e tij, të përcjell nga Mesreuk ibn Exhde’, thuhet se Ebu Bekri r.a., shoku më i ngushtë i Muhammedi a.s., kur falte farzin, qëndronte ulur sikur të ulej në një gurë të nxehur, pra, rinte shkurtë, dhe ngritej për të vazhduar me faljen e suneteve apo nafileve.

Mësuesi i imam Ebu Hanifes, Hammad ibn Ebu Sulejmani e përcjell një deklaratë të mësuesit të tij, Ibrahim En-Nehaiut, i cili ka thënë: “Selami e realizon pauzën e kërkuar ndërmjet dy namazeve.”

Nga këto përcjellje dhe transmetime kuptojmë se namazi i praktikuar deri më tani nga shqiptarët ka bazë të fortë në traditën profetike dhe të gjeneratave të para, selefus-salih.

All-llahu e di më së miri!

(Islampress.ch)