Çfarë njerëz jemi ne?!

1552

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: “Çfarë njerëz jemi ne?!”

Legjenda e shqiponjës është po aq e vjetër sa ekzistenca e këtij zogu të fuqishëm. Sipas kësaj legjende, shqiponja ka jetëgjatësinë më të gjatë ndër zogjtë. Ajo mund të jetojë deri në 70 vjet. Megjithatë, për të jetuar deri në atë moshë të vjetër, shqiponja duhet të marrë një vendim të vështirë. Kur i arrin të dyzetat, kthetrat e saj të gjata dhe elastike nuk mund të gjuajnë më gjahun që i shërben si ushqim. Sqepi i saj i gjatë dhe i mprehtë bëhet i përkulur. Krahët e saj të vjetër dhe të rëndë, për shkak të puplave të dendura, i ngecin në gjoks, gjë që e bëjnë të pamundur fluturimin. Atëherë shqiponjës i mbeten vetëm dy mundësi: ose të vdesë ose të kalojë nëpër një proces të dhimbshëm ndryshimi që zgjat 150 ditë. Ky proces kërkon që shqiponja të fluturojë në majë të malit dhe të ulet në fole. Aty shqiponja godet me sqepin në gur derisa sqepi të bie. Pasi bie sqepi, shqiponja pret që të rritet sqepi i ri, pastaj me sqepin e ri shkëput kthetrat e vjetra. Kur rriten kthetrat e reja, shqiponja fillon t’i godasë pendët e saj të vjetra dhe të ngurtësuara. Dhe kështu, pas pesë muajsh, shqiponja niset në fluturimin e rilindjes dhe jeton edhe 30 vjet të tjera.

Pse e tregova këtë legjendë?

Sepse, të dashur vëllezër, edhe ne sikurse shqiponja, nëse duam të vazhdojmë të jetojmë si popull, si komunitet, si individë, duhet ta fillojmë urgjentisht procesin e vështirë të ndryshimit.

Ka shumë ndryshime që ne të gjithë duhet t’i bëjmë edhe si komunitet, por edhe individualisht. Mirëpo, për shkak të shkurtësisë së kohës do t’i përmendi vetëm tri ndryshime, të cilat i konsideroj më të rëndësishmet.

Gjëja e parë që duhet të bëjnë është të bashkohemi. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!..” (Alu Imran, 103).

Ky është urdhëri i Allahut ndaj nesh, prandaj nëse e respektojmë, nëse të gjithë së bashku përpiqemi për të mirën e përbashkët, për të vërtetën, për drejtësinë…, nëse e ndihmojmë njëri-tjetrin, dhe nëse vetëm flasim dhe mendojmë mirë për njëri-tjetrit, atëherë suksesi dhe përparimi ynë është i garantuar. Por, nëse e kundërshtojmë këtë urdhër të Allahut, që interesi ynë personal të jetë para të mirës së përbashkët, nëse ndahemi në parti dhe sekte… nëse shikojmë se si t’i ndihmojmë vetëm atij nga i cili do të përfitojmë personalisht, nëse e kemi zili njëri-tjetrin dhe nëse flasim keq për njëri-tjetrin, atëherë nuk na shkruhet mirë, sepse Ibni Mesudi (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Mos u ndani sepse ata të cilët kanë jetuar para jush janë ndarë dhe janë shkatërruar.” 

Çështja e dytë kundër së cilës duhet të fillojmë të luftojmë si shoqëri, por edhe si individë, është korrupsioni, ryshfeti dhe vjedhja. Sipas hulumtimeve, popullsia e vendit tonë është në krye të listës evropiane për sa i përket fesë, shumica deklarohen besimtarë, por ne jemi në krye të listës edhe kur bëhet fjalë për ryshfet dhe korrupsion. Duke pasur parasysh këto dy fakte, lind pyetja: A jemi ne vërtet besimtarë, siç duam të themi për veten tonë? A është me të vërtetë besimtar i vërtetë ai që ia rregullon vetes një punë, një pension apo një të ardhur tjetër, të cilën nuk e meriton me ligj? A është me të vërtetë besimtar i vërtetë ai që e blen një diplomë, dhe me atë diplomë false e fiton konkursin ndaj atyre me diplomë të merituar? A është me të vërtetë besimtar i vërtetë njeriu që bën një shkelje në trafik dhe në vend se ta pranojë gabimin dhe ta paguajë gjobën me drejtësi, ai e nxjerr një “njëzetëshe” dhe ia ofron policit, që të mos gjobitet? A është me të vërtetë besimtar i vërtetë ai që e rrit fëmijën e tij në mënyrë që thellësia e portofolit dhe të njofshmit e tij të jenë më të rëndësishme se cilësia që ai do ta ketë? A është me të vërtetë besimtar i vërtetë ai që ia jep punën të përshtatshëmve, dhe jo të aftëve?

Vëllezër të dashur!

Çfarë besimtarësh jemi ne kur kemi filluar të kërkojmë favore, lehtësira, madje edhe për xhenaze? Në një rast, më njoftuan se kishte vdekur një anëtarë i xhematit  tim, i cili ishte edhe i afërmi im. Shkova në shtëpi për t’i shprehur ngushëllime familjes dhe gjithashtu për të biseduar rreth detajeve të varrimit. Pasi u morëm vesh për orën dhe të tjerat, ky kushëriri i dytë që është gjallë më thotë: “O kushëri, bëje që të jetë xhenazja më e mirë, pastaj i rregullojmë të gjitha!”

O njerëz! Po çfarë njerëz jemi ne?!

Të dashur vëllezër!

Mbani mend; se besimi, ryshfeti dhe korrupsioni nuk shkojnë bashkë. Mos harroni; se çdo rrogë, çdo pension, çdo euro, çdo të drejtë që e kemi fituar me ryshfet, me korrupsion dhe me vjedhje, është haram.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht! Dhe mos u bëni mitëdhënës te gjykatësit për t’ua përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe me vetëdije njerëzve një pjesë të mallit.” (el-Bekare, 188).

Çështja e tretë që do të doja ta theksoja sot është sakrifica për shtetin, për komunitetin, për xhematin… Në fjalimin e tij inaugurues, presidenti amerikan Kenedi shqiptoi një frazë të pranuar globalisht për krijimin e një të ardhmeje më të mirë: “Mos pyesni se çfarë mund të bëjë shteti juaj për ju, por pyesni se çfarë mund të bëni ju për shtetin tuaj!” Në fjalën e tij, ai më tej tha: “E gjithë kjo luftë nuk do të përfundojë në 100 ditët e para të presidencës sime, as nuk do të përfundojë në 1000 ditët e para, as ndoshta edhe gjatë qeverisjes sime, dhe ndoshta as gjatë jetës sonë në këtë planet, por për të filluar, le të fillojë që sot!”

Vëllezër të dashur!

Ndoshta ne si popull nuk do t’i ndjejmë ndryshimet që po bëjmë si individë apo si komunitete më të vogla gjatë jetës sonë. Ndoshta ne si besimtarë nuk do t’i shohim rezultatet e sakrificës që investojmë në fushën e mirëqenies dhe prosperitetit të komunitetit tonë dhe të xhematit tonë gjatë jetës sonë. Por nuk ka rëndësi, le të bëjmë përpjekje, le të bëjmë sakrifica, le të jemi fillimi i ndryshimeve, për të mirën e brezave të ardhshëm, kurse Allahu i Plotfuqishëm është Ai që me siguri do t’i shohë dhe vlerësojë në mënyrë adekuate përpjekjet tona.

O Allah, na bashko në rrugën e së vërtetës dhe mirësisë!

O Allah, na forco në luftën kundër çdo të keqeje!

O Allah, pranoje sakrificën tonë dhe veprat tona të mira! Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdini

​(Islampress)