Brenga e njeriut bashkëkohor dhe rrugëdalja

1036

Xhemat i dashur!

Po kalojmë një kohë si kurrë më parë: Na përshkojnë ndjenja pasigurie dhe mungesë qëllimi në një botë shumë të ndërlikuar dhe në një kohë që ec shumë shpejt. Gjithnjë e më tepër po izolohemi dhe po ndihemi të pashpresë. Krizat globale, si ajo e pasigurisë dhe të tjera, kanë bërë që shumë individë të ndihen të mbingarkuar dhe të paaftë për të përmirësuar situatën.

A thua, vallë, ku është rrugëdalje?

Rrugëdaljen e shoh vetëm te kthimi në vlerat shpirtërore dhe te shoqëria e mirë. Duke u afruar me njëri-tjetrin, duke mbështetur dhe ndihmuar njëri-tjetrin, ne mund të krijojmë një ndjenjë më të fortë të përkatësisë dhe qëllimit. Besimi, namazi, lutjet, Kur’ani dhe reflektimi mbi mësimet e fesë na japin qetësi dhe udhëzim në kohë të vështira. Për më tepër, duke u fokusuar në vepra të mira dhe duke ndihmuar ata që kanë nevojë, ne jo vetëm që përmirësojmë jetën e tyre, por edhe gjejmë kuptim dhe paqe në jetën tonë, gjejmë ngushëllimin e munguar dhe shpresën e kërkuar.

Ja edhe tre këshilla konkrete:

1. Nuk është koha të qajmë dhe të ankohemi. Është koha që të tregohemi të përgjegjshëm për jetët dhe veprat tona. Mos të shikojmë se çfarë nuk bënë të tjerë, por le të shikojmë se çfarë mund të bëjmë ne vetë.

2. Teknologjia dhe rrjetet sociale kanë sjellë përparime të mëdha, por gjithashtu kanë rritur ndjenjat e izolimit dhe krahasimit social, duke i lënë njerëzit të ndihen të pashpresë dhe të vetmuar. Mbaje nën kontroll veten dhe mos ia shit zemrën rrjeteve sociale. Mos ia shit imanin dhe vlerat morale internetit dhe hajdutit të kohës. Kjo maqineri po na dëmton në iman, na ndanë nga familja dhe xhemati, si dhe na vjedh më të çmuarën – kohën.

3. Ji mirënjohës dhe falënderues ndaj Zotit, me zemër e me shpirt, për krejt atë që ke dhe që është në dorën tënde. Dije se ajo që ti e ke është shumë më shumë, është shumë më e madhe, se sa ajo që të mungon. Zoti na ka dhënë shumë më tepër se sa që mendojmë se nuk kemi!

Allahu xh.sh. thotë:

“Dhe Ai ju ka dhënë gjithçka që keni kërkuar. Dhe nëse ju numëroni begatitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni ato. Vërtet, njeriu është shumë i padrejtë dhe përbuzës.” (Ibrahim, 14:34).

“Atëherë, cilat nga begatitë e Zotit tuaj po i mohoni?” (Er-Rahman, 55:13).

Një hadith Pejgamberi a.s. na kujton: “Kushdo që zgjohet në mëngjes i shëndetshëm në trupin e tij, i sigurt për veten dhe familjen e tij, dhe ka ushqim për atë ditë, është sikur i është dhënë e tërë bota.” (Tirmidhi).

Të dashur xhemat!

Mirësitë e Zotit shtrihen nga gjërat më të vogla dhe të përditshme deri te ato më të mëdhatë. Në çdo frymë që marrim, në çdo ditë që kalojmë, dhe në çdo mundësi që kemi, ne duhet të shohim mëshirën e Zotit ndaj neve. Le të falënderojmë Zotin për gjithçka që kemi dhe të punojmë për t’u bërë më të mirë, duke ndihmuar dhe mbështetur njëri-tjetrin në çdo hap të jetës.

Allahu ju bekoftë të gjithëve!

(Hutbeja e xhumasë, 28.06.2024, nga Hfz. Mehas Alija)