Pse fëmijët dështojnë në shkollim dhe në jetë?

49

Cilët janë faktorët që përcaktojnë se pse një fëmijë do të ngritët mbi mesataren, ndërsa të tjerët ‎nuk e realizojnë potencialin e tyre?‎

Në këto dhe shumë pyetje të tjera, është përpjekur të përgjigjet Dr. John Holt, në librin e tij të ‎jashtëzakonshëm “How Children Fail” (“Si dështojnë fëmijët”). Duke folur për shumë faktorë që ‎ndikojnë në zhvillimin e fëmijës, Holt në plan të parë e vendos ndikimin e prindërve dhe ‎mësuesve, të cilët duke zgjedhur metodat dhe teknikat edukative e arsimore kanë mundësinë ‎të formojnë tek fëmija një bazë të fortë për sukses jetësor. Për fat të keq, më shpesh zemrat e ‎ndjeshme të fëmijëve ju ekspozohen kritikave, dënimeve dhe qortimeve, si dhe ngufatjes së ‎kreativitetit dhe lirisë së tyre.‎

Një nga arsyet më të mëdha pse fëmijët dështojnë gjatë shkollimit, pastaj edhe në jetën e ‎mëvonshme është frika. Frika nga kritikat, frika nga moshatarët, frika nga gabimet, frika nga ‎dështimi, dhe kjo listë shkon deri në pambarim. Rrënja e frikave kthehet në metodat e këqija të ‎‎(mos) edukimit, për shkak të së cilave fëmijët jetojnë në ngërç të vazhdueshëm, i cili i pengon ‎në realizimin e potencialit të tyre. Prindërit dhe mësuesit përpiqen t’i bëjnë fëmijët më të mirë ‎duke i kritikuar, por ky veprim shpesh është kundërproduktiv. Holti thekson se dhurata më e ‎madhe që prindërit dhe mësuesit mund t’u japin fëmijëve është që të tregojnë besim në ‎aftësinë e fëmijës për ta realizuar potencialin e tij. Bindja prindërore në aftësitë e fëmijës ‎pasqyrohet edhe tek fëmija, i cili e kupton se ai vlen dhe mundet t’i përmbushë nevojat e tij ‎dhe të jetë i suksesshëm.‎

Në vazhdim, nga libri i përmendur i Dr. Holtit, po sjellim një seksion të shkurtër të frikave më të ‎mëdha, për shkak të së cilave fëmijët nuk mund të arrijnë sukses më të madh. ‎

Nga kush frikësohen fëmijët në shkollë?

Së pari, fëmijët kanë frikë mos t’i zhgënjejnë pritjet e të rriturve, në radhë të parë të prindërve ‎dhe mësuesve. Kjo frikë luhatet gjithandej mbi kokat e fëmijëve si një re e errët, dhe i shtynë ‎ata të dështojnë.‎

Çfarë tjetër i frikëson fëmijët tanë?

Fëmijët frikësohen edhe nga poshtërimi kur nuk janë në gjendje të mësojnë gjithçka që ‎kërkohet prej tyre.‎

Ata kanë frikë se do të bëhen objekt i moshatarëve të tyre, të cilët do të tallen dhe do t’i vënë ‎në siklet publik.‎

Fëmijët kanë frikë, gjithashtu, nga krahasimet e dhimbshme.

Ata lëndohen kur prindërit i ‎krahasojnë me vëllezërit dhe motrat e tyre ose me shokët a shoqet e klasës.

(Shembuj: ‎‎”Shikoje çfarë është Jasmini, dhe shiko çfarë je ti”, “Pse nuk je edhe ti si filani dhe filani?” “Sa i ‎qetë është ai dhe i dëgjueshëm, e shiko ti çfarë je, turp!”)‎

Fëmijët shumë frikësohen edhe nga gabimet. Të rriturit kanë shumë pak ose aspak tolerancë ‎për gabimet. Pa marrë parasysh, se a bëhet fjalë për derdhjen e qumështit, për përgjigje të ‎gabuar në matematikë, apo për shqiptim të gabuar të fjalës, fëmijët tanë u ekspozohen ‎kritikave për çdo gabim që bëjnë.‎

Frika është pengesa më e madhe në procesin e të mësuarit. Madje edhe mendjet gjeniale, ‎nuk mund të mbijetojnë nëse janë të ekspozuara ndaj një frike të vazhdueshme nga dështimi, ‎humbja dhe mos përmbushja e pritjeve të njerëzve të tjerë. Pikërisht për këto arsye, shpikësit ‎si Tomas Edisoni dhe Albert Einsteini, kanë kaluar shumë keq gjatë shkollimit formal. Dhe ‎sapo janë liruar nga presioni, dhe kur janë lejuar që ta shprehin kreativitetin e tyre dhe të ‎bëjnë diçka me vlerë, ata nga mediokritetët janë bërë madhështorë.‎ /Akos.ba/

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)