Në të vërtetë, ne po jetojmë në një kohë që është ideale për ata që e kanë lënë fenë, e kanë harruar Allahun, të cilët e kanë humbur turpin dhe i kanë braktisur vlerat më të bukura morale.
Çdo gjë që dikur ishte e keqe dhe e gabuar, sot është bërë normale, madje e dëshirueshme. Të gjitha ato që dikur pleqtë tanë të nderuar i konsideronin të bukura dhe të lavdërueshme, sot konsiderohet e prapambetur dhe e gabuar.
Gruaja është shtyllë e shoqërisë. Ajo në krahët e saj i rrit dhe edukon brezat. Ajo drejton, ajo është pedagoge dhe psikologe. Ajo është mësuese dhe mualime.
Gratë janë ato që i kanë edukuar dijetarët më të mëdhenj, komandantët ushtarak më të mëdhenj, hafizat dhe rojet e Kuranit të shenjtë. Gratë i kanë edukuar dhe në krahët e tyre i kanë mbajtur pejgamberët, sahabët, tabiinët, gratë dhe burrat më të mirë të umetit.
Një grua e ndershme mund të jetë arsyeja që disa breza të ardhshëm të ngrihen në baza të forta dhe të qëndrueshme.
Ajo për nga obligimet është sikurse mashkulli, e disa prej tyre sot janë edhe më shumë. Ajo është dritë për fëmijët e saj dhe udhëzuese e jetës.
Gruaja është ajo për të cilën duhet të investohet, e cila duhet të mësohet dhe edukohet, për edukimin e së cilës duhen bërë përpjekje të posaçme, sepse secila prej tyre është themeli i familjes.
Ata që dëshirojnë ta prishin shoqërinë tonë, pikërisht kanë filluar nga gruaja, sepse e kanë kuptuar se kjo është mënyra më e lehtë dhe më e thjeshtë.
Fatkeqësisht, gjendja në rrugët tona tregon se ata në masë të madhe për këtë ia kanë arritur qëllimit. Diskotekat të mbushura me vajza të reja muslimane, kafenetë gjithashtu përplot, lakuriqësia dhe shthurja në rrugë janë tregues se diku ka dështuar edukimi i brezave të rinj.
Asgjë për gruan nuk vlen më shumë se morali i bukur. Asgjë nuk e zbukuron dhe nuk e thekson bukurinë e saj sikur morali, sidomos sot. Morali është stolia e saj më e shtrenjtë dhe thesari më i madh.
Ajo muslimane e cila stoliset me këtë cilësi dhe i bindet Zotit të saj, ajo do të shpëtojë.
Me të vërtetë, gratë e tilla sot janë të veçanta. Ato janë të shquara dhe shkëlqejnë, shndrisin si yjet në detin e grave të tjera. A nuk ka qenë gjithmonë mirë të jesh në mesin e të veçantave dhe të zgjedhurave?!
Që nga fillimi, që nga lindja e Islamit dhe nga ditët e para, gratë kanë rol të veçantë dhe të madh në ndihmën e kësaj feje. Hatixhja (r.a.), ishte e para që e pranoi Islamin pas Pejgamberit (savs). Ajo ishte mbështetja dhe përkrahja e tij më e madhe. Ajo e mbrojti dhe e ndihmoi atë në rrugën e së Vërtetës. Ajo i ndërtoi themelet e saj shumë kohë më parë, kurse edhe ne sot kemi dobi nga ato themele.
Ajo së pari ishte bashkëshorte, pastaj nënë, më pas ishte thirrëse, e dobishme dhe e suksesshme për shoqërinë në punën dhe biznesin e saj. Është mendim i gabuar se për gruan është poshtërim nëse qëndron në shtëpi dhe i rritë e edukon fëmijët. Është gabim pikërisht për shkak se gratë me edukimin e bukur të brezave të ardhshëm, me vendosjen e themeleve të forta i kontribuojnë familjes, e me këtë edhe gjithë shoqërisë.
Pavarësisht nga fakti se ajo ka qenë e fshehur nga shikimi i të tjerëve, se nuk ka qenë e zhurmshme dhe me zë të lartë për ta tërhequr vëmendjen, se nuk e ka zbuluar trupin e saj, ajo ka lënë gjurmë të mëdha dhe kujtime të bukura për veten e saj tek shumë breza edhe 1400 vjet më vonë.
A dëshironi të mbaheni në mend, si të veçanta, të dashura, të zgjedhura, nisuni rrugës kah e mira.
A dëshironi që të jeni të dobishme për familjen tuaj, për fenë tuaj, për shoqërinë tuaj, për prindërit tuaj, për bashkëshortin tuaj, zbukurohuni me tipare të bukura, parfumoni trupin tuaj me turp, vendosni stolinë e moralit, vishni rrobat e devotshmërisë dhe pritni të mira edhe në këtë botë dhe në botën tjetër.
Jeta është e përkohshme. As ju nuk do të jeni këtu përgjithmonë, as nuk do të ju pyesin se kur po doni të largoheni nga dynjaja. Koha kalon dhe nuk ju pret juve. Hipni në anijen e shpëtimit me krenari, me buzëqeshje në buzë, duke pritur shpërblime nga Zoti i botëve.
Allahu i Plotfuqishëm thotë:
– O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ngacmohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues. (el-Ahzab, 59);
– Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, baballarëve të vet ose vjehërrve të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmenden) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët që nuk i dinë ngacmimet e femrave. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre që të hetohen stolitë e tyre të fshehta. Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim. (en-Nur, 31)
– Dhe Allahu ua dhuroi atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin edhe më të madh në jetën tjetër. Se, Allahu i don bamirësit. (Alu Imran, 148);
– Me të vërtetë, Allahu është me ata, që i druajnë Allahut dhe që janë bamirës. (en-Nahl, 128);
– Vallë, për veprën e mirë, a ka tjetër shpërblim pos të mirë?! (err-Rrahman, 60)
Amila Zhuzhiq; http://minber.ba//;
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)