Në një tregim thuhet se një baba i pasur e kishte marrë djalin e tij në fshat. Ai donte t’i tregonte atij se sa të varfër mund të ishin njerëzit. Ata kaluan disa ditë me familje të varfra fshatare. Kur po ktheheshin për në shtëpi, babai i thotë djalit: “A e pe, biri im, se sa të varfër mund të jenë njerëzit?” Në këtë pyetje djali i dha babait një përgjigje që e habiti. Ai i tha: “Unë e pashë që ne në shtëpinë tonë kemi një qen, kurse ata kanë katër. Para shtëpisë sonë është një pishinë që shtrihet deri në gjysmë të oborrit, kurse ata kanë një përrua që nuk ka fund. Në kopshtin tonë janë llampat artificiale, kurse në kopshtet e tyre shkëlqejnë yjet. Pamja jonë arrin deri te muri i oborrit, ndërsa e tyre përfshin të gjithë horizontin.” Babai mbeti i hutuar, pa ditur çfarë të thoshte, kurse djali e përfundoi përgjigjen e tij me fjalët: “Faleminderit baba që më tregove se sa të varfër jemi!”
Shpirti i pastër fëminor këtë botë e pa ndryshe. E pa ashtu siç është dhe kënaqësinë e gjeti në atë që njeriu i pushtuar nga lakmia zakonisht nuk e sheh. Në burimet e fesë sonë gjejmë të thuhet se pasuria, pasuria e vërtetë, nuk është në sasinë e madhe të pasurisë, por në kënaqësinë e shpirtit.
Po na vjen muaji më i zgjedhur, i vetmi muaj i përmendur në Kuran, ramazani. Po na vjen, ashtu siç vjen shiu i bekuar dhe e gjallëron tokën e thatë e të plasaritur dhe ajo, falë shiut, zbukurohet. Po na vjen që rahmet, magfiret, mbrojtje nga zjarri dhe nur, të përhapë, me bollëk dhe pamasë mbi ne dhe, të na e freskojë shpirtin, ta zgjojë atë dhe t’ia mundësojë që botën, këtë dynja, ta shohë ndryshe, ta shohë ashtu siç është në të vërtetë.
Allahu i Plotfuqishëm na tregon se ajo që shohim me sy nga kjo botë, është mashtrim. Na tregon se kjo botë është lojë dhe argëtim. Por ja që ramazani, ja që ditët e bekuara dhe të zgjedhura do të na mundësojnë ta shikojmë botën me shpirt, me shpirt të pastruar dhe të fisnikëruar, do të na mundësojnë që me atë vështrim të kuptojmë se pasuria e vërtetë nuk është në sasinë e madhe të të mirave të kësaj bote, por në sasinë e madhe të veprave të mira. Pse të varfërit, besimtarët e varfër, në Ditën e Gjykimit do të jenë grup i zgjedhur dhe të parët me të Dërguarin (a.s.) që do të hyjnë në Xhenet? Sepse, kur të zbatohen rregullat dhe kriteret e vlerësimit, ata do të jenë të pasur. Asgjë nga kjo botë askujt, në botën tjetër, nuk do t’i bëjë asnjë dobi, prandaj kjo nuk është pasuri e vërtetë.
Po na vjen ramazani që të na udhëheqë drejt të Vërtetës dhe, që të na tregojë se çfarë është me të vërtetë e vlefshme dhe çfarë do të na hyjë në punë kur gjithçka materiale të bëhet e pavlerë.
Në ramazan besimtari nuk e shikon këtë botë vetëm me sy. Mbi shpirtin e tij bie shiu i bekuar i mirësive të ramazanit dhe ai ringjallet, shikon dhe thotë: “Me agjërim, duke u përmbajtur nga ngrënia, nga pija dhe nga kënaqësia trupore, prej agimit deri në perëndimin e Diellit, unë, me këtë trup që është veshja ime, stërvitem, dhe ushtrohem që të heq dorë nga çdo kënaqësi që gjendet përtej kufirit të caktuar nga Allahu. Me agjërim, me këtë përmbajtje nga ushqimi dhe pija, me këtë stomak të uritur, unë mësohem që ta kuptoj të uriturin. Ramazani më vendos në gjendjen e tyre dhe më thotë, o njeri, ka të uritur pranë teje. Do të fitosh të mira të mëdha, do të fitosh pasuri të jashtëzakonshme, nëse i ushqen ata, nëse i vesh dhe nëse i ndihmon.
Ramazani do, ai për këtë edhe po vjen, që shpirtrat tanë të shohin, që ata ta shohin këtë botë, dhe ata e dinë se asgjë materiale nuk i ushqen ata. Ushqimi i tyre është kënaqësia, kurse kënaqësia më e madhe për njeriun është kur e bën një vepër të mirë. Allahu i Plotfuqishëm, kur flet për jobesimtarët, thotë: “… Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (el-Haxh, 46)
Po na vjen ramazani që të na udhëheqë në rrugën e Drejtë dhe të na tregojë se kush me të vërtetë është i varfër. Me të vërtetë është i varfër ai që para Zotit të botëve vjen pa sexhde, pa ruku’; është ai që para Zotit të botëve vjen dhe në pyetjen e parë të shtruar nuk di të përgjigjet.
Një sexhde në ramazan, është sa 70 (shtatëdhjetë) të tilla jashtë ramazanit. Nëse është sexhde e namazit vullnetar, ajo do të shkruhet si farz nëse është bërë në ditën e ramazanit. Po na vijnë ditët e ramazanit në të cilat shejtani është i prangosur dhe i lidhur, kështu që rruga jonë drejt xhamisë dhe te sexhdeja është e lehtësuar.
Ramazani do që shpirti ynë ta ndiejë bukurinë dhe ta përjetojë ëmbëlsinë në robërimin ndaj Allahut. Sado i pasur që të jesh tani, këtu në këtë botë, sado të mira të kësaj bote që posedon, deri ku të dojë le të arrijë pishina në oborr, nëse nuk ke sexhde, do të jesh me të vërtetë i varfër.
O njeri, lejo që ramazani ta gjallërojë shpirtin tënd me shiun e bekuar të mëshirës dhe udhëzimit dhe që ai ta shohë, ta kuptojë se sa i varfër je nëse nuk je në ibadet. Ramazani ka për detyrë që ta pastrojë shpirtin tonë që ai ta shohë këtë botë ashtu siç është, të përkohshme dhe kur të jemi në tabut, plotësisht e pavlerë.
Po na vjen ramazani që të na udhëheqë nën ombrellën e dispozitave të fesë sonë dhe, që të na mësojë se si t’i sigurojmë vetes kopshte me përrenj të pafund dhe lumenj mjalti e qumështi. Po na vjen që të na tregojë rrugën drejt një vendbanimi që syri nuk mund ta përfshijë sepse është i madhësisë së qiejve dhe të Tokës.
Ramazani është koha e duhur, në fakt është e vetmja kohë, në të cilën shpirtit i mundësohet që ta shohë të Vërtetën qartë, sepse në të bashkohen të gjitha ibadetet, edhe ruhijje, edhe bedenijje, edhe malijje, përkatësisht, edhe ibadeti i shpirtit, edhe i trupit, edhe i pasurisë.
Ramazani na thotë: o njeri, do të jesh i pasur kur të jetë më e rëndësishme për ty, nëse nga pasuria do të ndash. Nëse nga pasuria nuk ke ndarë, nuk e ke plotësuar ramazanin, as agjërimi nuk do të pranohet pa sadaka. Nuk e ke kuptuar as jetën, as detyrën tënde të mëkëmbësit të Allahut në Tokë, nëse vetëm e grumbullon këtë botë, kurse prej saj nuk ndan asgjë.
Ramazani po vjen që të na mësojë, që të na ndryshojë, që të na fisnikërojë dhe që të na afrojë me Krijuesin dhe me të Dërguarit e Allahut. Ramazani po vjen që të na paralajmërojë dhe të na kthejë në ekuilibër midis trupit dhe shpirtit.
O ramazan, të falënderojmë që po na vjen dhe po na mundëson që sytë tanë të shohin me shpirt dhe që zemrat tona ta kuptojnë thelbin e ekzistencës sonë.
O Allahu i Plotfuqishëm, jepu shpirtrave tanë që janë ndotur nga mëkati, shiun e bekuar të mëshirës dhe faljes Tënde dhe na bëj të pasur në Ditën e Gjykimit. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)