Sot është dita e 14 (katërmbëdhjetë) e Ramazanit. Para nesh janë dita e Betejës së Bedrit dhe Dita e çlirimit të Mekës (Fet’h). Do të dëgjojmë për betejën e madhe të Bedrit dhe do t’i mbajmë mend me kujdes mësimet e saj. Do të mahnitemi nga uniteti i besimtarëve në fitoren e madhe, si në Bedër, në ditën e 17-të, ashtu edhe në çlirimin e Mekës në ditën e 20-të të Ramazanit. Bedri ndodhi në vitin 624, ndërsa Fet’hi në vitin 630. Nga ato ngjarje të mëdha dhe të lavdishme kanë kaluar katërmbëdhjetë shekuj. Gjatë gjithë këtyre shekujve, umeti që krenohet me Bedrin dhe Fet’hin ka përjetuar ngritje dhe rënie. Ka pasur epokat e tij të lavdishme, por edhe periudha rëniesh dhe disfatash.
Sot, kur i përkujtojmë fitoret e mëdha të Pejgamberit (a.s.), nuk e dimë sa shumë nga vëllezërit tanë në botë po vuajnë. Kush e di sa vëllezër tanë janë vrarë në Gaza? Për shkak të përçarjeve mes nesh, umeti nuk është i aftë t’i mbrojë ata nga armiqtë. Kush e di sa janë vrarë dhe sa shumë vuajnë vëllezërit tanë në Mianmar? Umeti, për shkak të konflikteve të brendshme, nuk ka forcë t’u ofrojë atyre mbrojtje dhe t’ua zgjojë shpresën. Kush e di sa vëllezër dhe motra tona jetojnë të poshtëruar në pjesë të atdheut të tyre ku janë kthyer si refugjatë? Xhamitë e tyre po u përdhosen, ata po fyhen, kurse në vatrat e tyre po dyshohen nëse janë të vetët në tokën e tyre, toka po u merret. As umeti dhe as ne si pjesë e tij nuk jemi të aftë t’u ofrojmë siguri.
Për shkak të gjithçkaje të përmendur, pyesim veten si t’i lexojmë sot mesazhet e Bedrit dhe Fet’hit? Çfarë na rekomandon sot Pejgamberi ( a.s.) dhe sahabët (r. anhum) nga burimet e Bedrit dhe nga Haremi Qabesë? Le ta dëgjojmë këtë ajet kuranor: “Mos i dëgjo mohuesit, por luftoji ata me forcë nëpërmjet këtij (Kurani).” (el-Furkan, 52)
Nëpërmjet mesazhit të Pejgamberit drejtuar sahabëve gjatë kthimit nga Bedri, ne e dimë se mesazhi themelor dhe bazë i Bedrit është se Bedri ende vazhdon. Lufta me vetveten është e pandërprerë. Kurani është mesazh i pandërprerë dhe i përjetshëm. Ai është rruga jonë dhe arma jonë në luftën për siguri dhe dinjitet. Në të gjendet forca dhe lavdia jonë.
Të luftosh me Kuranin, do të thotë ta ndërtosh vetveten mbi parimet e tij themelore. Të luftosh me Kuranin, do të thotë të edukohesh në kuadër të mesazheve kuranore dhe të ecësh në rrugën e Pejgamberit pa lëkundje dhe pa kompromis.
Kurani na udhëzon drejt besimit të fortë dhe të thellë, na udhëzon drejt bindjes në ekzistencën e Allahut, në ringjalljen dhe në Ditën e Gjykimit. Kush armatoset me këto njohuri, nuk e kursen mundin dhe sakrificën në rrugën e Allahut. Kush beson, e di se për çdo grimcë të mirësisë shpërblimi nuk do t’i mungojë. Edhe Bedri edhe Fet’hi, përkatësisht Kurani, na mësojnë se pa sakrificë të tillë nuk ka sukses. Secili individ duhet të çlirohet nga gjendja në të cilën interesat personale dhe të grupeve të vogla dominojnë mbi ato të përbashkëtat, mbi interesat e umetit. Sikur të ishte kështu, sikur interesi ynë i përbashkët të ishte mbi atë personal, do të kishte kush t’i mbronte vëllezërit tanë në Gazë, do të kishte kush të dilte para nesh dhe të na shpjegonte se Islami e ndalon dhunën dhe na nxit, madje na urdhëron që të luftojmë kundër saj.
Kurani me ngulm dëshiron të na udhëheqë në rrugën e arsimimit dhe fitimit të diturisë. Fjalët e para dhe të shumta kuranore insistojnë në rëndësinë e diturisë. Bedri dhe Fet’hi janë rezultat i një rruge të tillë dhe nxitje e fuqishme për të vazhduar në atë rrugë. Çfarë të themi sot për Bedrin, pas të cilit liria fitohej duke i arsimuar të tjerët? Nga ky akt kuptojmë se pa arsimim nuk ka liri. Nuk mund të jesh i lirë nëse nuk e prodhon vetë ushqimin tënd, nëse nuk i qep rrobat e tua, dhe nëse nuk i prodhon armët e tua – e kjo nuk është e mundur pa dituri.
Kurani është arma jonë e cila na çon drejt fuqisë dhe dinjitetit, dhe ai insiston në dituri. Si mund ta ndalim dhunën midis muslimanëve kur në ato vende ku ndodh dhuna ka një numër të madh njerëzish analfabetë dhe të paarsimuar? Ata janë terren ideal për çdo manipulim dhe tokë pjellore ku mbillet përçarja dhe armiqësia. Do të ishte interesante t’i shihnim të gjithë ata pasues të Pejgamberit (a.s.) që tmerrohen nga arsimimi perëndimor: a përdorin celular, a ngasin makinë, a përdorin internetin, etj.? Imagjinoni sikur Pejgamberi t’ia kishte kthyer shpinën përvojës perse – kush do të kishte fituar në betejën e Hendekut?
Kurani, në të cilin qëndron fuqia jonë, na udhëheq dhe na tërheq fuqishëm drejt një bashkësie të organizuar. Na udhëheq drejt një shteti ku mbizotëron rendi, rregullsia, ndershmëria, drejtësia, procedura, etj. …
O trashëgimtarë të Bedrit dhe Fet’hit, vëllezër të dashur muslimanë!
Si është e mundur, që ta kemi Kuranin, ta kemi mrekullinë e përjetshme dhe të Vërtetën e pashtershme, e të jetojmë në shoqëri të paorganizuar ku i forti e shtyp të dobëtin? Po, është e mundur, sepse Kuranin si udhëzim dhe këshillë, si dritë dhe udhërrëfyes, nuk e përdorim në mënyrën e duhur. Neve zakonisht nuk na intereson ajo që na thotë i Plotfuqishmi në Librin e Tij! Ne i zgjedhim ajetet që janë në përputhje me sjelljen tonë, pa u përpjekur që sjelljen tonë ta përputhim me ajetet. Çfarë vlere ka një ushtri, qoftë edhe me mbi një miliard në numër, nëse nuk i përdor armët? Ajo është ushtri e madhe, por e padobishme, dhe e pafuqishme për ta mbrojtur veten. Ne jemi të padobishëm dhe nuk mund t’u ndihmojmë vëllezërve tanë në Gazë dhe në vende të tjera nëpër botë, sepse nuk e marrim armën që na është dhënë në duar, dhe arma jonë është Kurani. Sa pikëlluese dhe e turpshme është, o trashëgimtarë të Bedrit dhe Fet’hit, që kaq shumë të varfër jetojnë në radhët e umetit, ndërkohë që Allahu i Lartësuar i ka dhënë umetit një pasuri të tillë.
O trashëgimtarë të fitoreve të mëdha të Ramazanit!
Sa pikëlluese dhe e turpshme është, që në Ramazan Kurani do të lexohet kaq shumë herë, kurse ne asgjë nga ajo nuk do të fusim në jetën tonë, as nuk do të dalim aspak më të fortë nga Ramazani. Ne në Ramazan, ashtu si edhe jashtë tij, po e dëgjojmë Kuranin, por nuk po e kuptojmë atë. Asgjë pas këtij Ramazani, në të cilin Kurani erdhi për njerëzimin, nuk do të bëhet më e lehtë për vëllezërit palestinezë në Gazë. Ende interesat personale dhe të elitave të zhytura në korrupsion do të dominojnë mbi ato të përbashkëtat. Të dehur nga pushteti i tyre dhe të strukur thellë në privilegjet që gëzojnë presidentët dhe mbretërit tanë, nuk do ta dëgjojnë vajin e fëmijës nga Gaza, britmën e muslimanit nga Mianmari, vuajtjet e të kthyerve në Srebrenicë, derisa do ta dëgjojnë Kuranin.
Mesazhet nga burimet e Bedrit dhe nga Haremi i Qabesë janë të qarta. Lufto me Kuranin, përkatësisht, edukoje veten me Kuranin, ndërtoje shoqërinë mbi parimet e tij, dhe gjyko me drejtësi për të gjithë.
O trashëgimtar i Bedrit dhe Fet’hit!
Forcohu me iman dhe përgatitu për sakrifica më të mëdha, armatosu me dije dhe moral. Çdo rrugë tjetër që ndjek është armë kundër teje dhe kundër nesh. Çdo gjë që nuk është rruga e Kuranit na çon në nënshtrim dhe poshtërim. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne ua kemi shpallur Librin, i cili është përkujtesë për ju. Vallë, a nuk po kuptoni?” (el-Enbija, 10).
Dhe thotë gjithashtu: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…” (el-Isra, 9).
O Allahu i Lartësuar, na bëj të vetëdijshëm për fuqinë e Kuranit. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)