Kur komandanti i famshëm musliman Kutejbe bin Muslim el-Bahili (669–715 / 49–96 h.) e pushtoi Kashgarin, duke arritur në kufijtë e Kinës, ai i dërgoi perandorit kinez një delegacion prej dhjetë ushtarësh të fuqishëm dhe të mençur, nën udhëheqjen e Hubejre bin Mushemrixh el-Kilabit.
I dërguari musliman, Hubejre bin Mushemrixh, qëndronte në mes të pallatit kinez bashkë me shokët e tij, të cilët nuk dalloheshin aspak prej tij.
Përballë tyre ishin dijetarët kinezë, princat, fisnikët dhe ministrat, ndërsa perandori kinez ishte ulur në fronin e tij, duke treguar krenarinë dhe fuqinë perandorake. Pallati ishte mbushur me aromë temjani dhe lulesh, mbizotëronte një atmosferë tensioni, ndërsa të pranishmit shkëmbenin shikime, duke pritur se çfarë do të ndodhte.
Pastaj u dëgjua zëri i perandorit kinez, si bubullimë mbi male, i cili e urdhëroi përkthyesin që t’i thotë Hubejres dhe shokëve të tij: “Perandori i madh ju porosit: Shkoni te komandanti juaj dhe thuajini që të largohet menjëherë me ushtrinë e tij, sepse unë e njoh synimin e tij dhe e di që ai ka pak ushtarë, përndryshe do të dërgoj dikë që do t’ju zhdukë edhe juve edhe atë.”
Atëherë Hubejre ibn Mushemrixh, me një buzëqeshje përçmuese në buzë, doli përpara me krenari, pa i kushtuar fare vëmendje kërcënimit dhe arrogancës së perandorit kinez, dhe i tha atij: “Si mund të ketë pak ushtarë ai, pararendësit e të cilit tashmë janë në vendin tënd, ndërsa pjesa e pasme e ushtrisë është ende në ullishta? Sa i përket kërcënimit tënd me vdekje, ne e dimë mirë se çastin e vdekjes (exhelin) e kemi të caktuar, dhe kur ai të vijë, nderi më i madh për ne është që të vdesim si shehidë, prandaj ne nuk kemi aspak frikë nga vdekja.”
Këto fjalë e kthyen perandorin kinez në realitet, dhe ai e kuptoi se kishte përballë njerëz për të cilët kërcënimet dhe frikësimi nuk kishin efekt, prandaj, i tronditur nga kjo deklaratë, pyeti: “E me çfarë do të ishte i kënaqur komandanti juaj?”
Hubejre iu përgjigj: “Emiri ynë, Kutejbe bin Muslim, është betuar se nuk do të largohet pa shkelur tokën tënde, pa e vulosur perandorinë tënde dhe pa e marrë xhizjen.”
Dhe atëherë ndodhi befasia, perandori kinez pranoi t’ua paguajë xhizjen muslimanëve, duke thënë: “Ne do të bëjmë që komandanti juaj ta përmbushë betimin e tij. Do t’i dërgojmë atij baltë nga toka jonë që të shkelë mbi të, dhe do t’i dërgojmë disa nga të rinjtë tanë që ai t’i vulosë me vulën e robërisë, si dhe do t’ia japim xhizjen me të cilën do të jetë i kënaqur.”
Më pas urdhëroi që t’i sillnin fletë të praruara me ari, në të cilat vendosi baltë nga toka kineze, dhe ia dërgoi Kutejbes bashkë me dhurata të pasura, si dhe katër të rinj, pasardhës të mbretërve kinezë, që ai t’i vuloste me vulën e robërisë si shenjë nënshtrimi dhe përulësie.
Kutejbe bin Muslim e pranoi xhizjen, ua vendosi vulat e robërisë të rinjve kinezë dhe i ktheu ata në Kinë, më pas shkeli mbi dheun kinez para rreshtave të ushtrisë krenare muslimane. https://saff.ba//…
(Burimi: Ibnul-Ethir, El-Kamil fit-tarih, IV/67–70.)
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)