Libri dhe lexueshmëria te shqiptarët sot – një sfidë e vetëdijes kulturore

204

(Me rastin e Ditës ndërkombëtare te librit – 23 Prillit)

Dita Ndërkombëtare e Librit është një mundësi për të reflektuar jo vetëm mbi librin si objekt kulturor, por mbi gjendjen e vetëdijes sonë si shoqëri. Në vendet tona shqiptare, libri është ende prezent në hapësirat publike – botohet, promovohet, shitet në panaire – por sa është ai realisht i pranishëm në jetën e njerëzve?

Në një shoqëri ku flitet më shumë se sa lexohet, ku librat shpesh janë më shumë dekor sesa burim mendimi, lind pyetja: a po humbasim aftësinë për të menduar thellë? Leximi i thellë, ai që kërkon përqendrim, kohë dhe ndjeshmëri, po bëhet një çështje gjithnjë e më e rrallë. Të rinjtë e sodit ndoshta konsumojnë tekst apo informacione më shumë se kurrë më parë – por në forma të shkurtra, të shpërndara, të shpejta dhe harxhohen shpejt. Në këtë kontekst, të shkruash një libër me vlera të mirëfillta, që i mbijeton momentit, është gjithnjë e më e vështirë.

Si të komentohen lajmet e ditës që dëshmojnë se të rinjtë shqiptarë, sidomos ata të shkollës, nuk janë në gjendje t’i përmendin dy-tre tituj librash dhe autorësh?!

Në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetiu, sfidat janë të shumta: sistemi arsimor shpesh nuk e nxit dashurinë për leximin, fjalori i të rinjve po varfërohet, dhe jashtë mureve të shkollës mungojnë programet që të ushqejnë zhvillimin kulturor dhe dituror. Shumë libra botohen, por sa prej tyre ofrojnë vërtet thellësi? Dhe sa prej nesh i qasen atyre me interes të vërtetë, jo thjesht si konsum?

E vërteta është se një shoqëri që nuk lexon, shumë se informacionin – ajo humb ndjeshmërinë, imagjinatën dhe aftësinë për të kuptuar botën dhe tjetrin. Prandaj, sot më shumë se kurrë, libri nuk është çështje nostalgjie, por çështje e mbijetesës kulturore e kombëtare. Dhe nëse duam që fjala “komb i librit” të ketë kuptim për ne, duhet të rikthejmë vëmendjen te lexuesi, gjegjësisht te formimi i tij, ndihma për të kuptuar, dhe krijimi i hapësirave ku fjala e shkruar të mbetet një udhërrëfyes në kohë.

Të urtët tanë kanë thënë:

“Një popull pa dije është si toka pa ujë” – Hz. Aliu r.a.

“Librat janë shokët më të mirë në vetmi dhe udhërrëfyesit më të mirë në errësirë.” – Ibn Kajjimi r.a.

“Lexova një libër një herë dhe gjithë jeta ime ndryshoi.” – Orhan Pamuk.

“Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.” – Sami Frashëri.

Kurse Pejgamberi a.s. thotë se “kërkimi i diturisë është detyrë për çdo musliman”, ndërkohë që dijen mund ta gjejmë te librat, dijetarët dhe mjetet e reja digjitale të kohës.

Libri është i vetmi burim informacioni ku askush nuk mund të të përgjojë, dhe ku lexuesi e ka vetëkontrollin e plotë mbi atë që ka në duar.

Uroj që këtë vit të lexojmë më shumë, të shkruajmë më shumë, me tema më të thella, të ndjeshme dhe aktuale.

Hfz. Mehas Alija

24.04.2025, St.Gallen