Falënderimi i takon Allahut të Plotfuqishëm, Zotit të të gjitha botëve. Le të sjellim salavate dhe selam mbi të dërguarin e fundit dhe të dashurin të Allahut, Muhamedin a.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.
Vëllezër të dashur, po e këshilloj veten dhe juve për besim të palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në pejgamberët e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Tij.
I Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Një njeriu që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër, përveç nëse bën ndonjë nga mëkatet e mëdha.”
Vëllezër të dashur, kam menduar gjatë për një çështje që në pamje të parë duket e thjeshtë, por në thelb është shumë e thellë: Pse me disa njerëz është bukur edhe kur vetëm heshtim, ndërsa me disa të tjerë është e vështirë dhe e mundimshme, edhe nëse flasin fjalët më të bukura? Pse pranë disa njerëzve ndiejmë qetësi dhe kënaqësi në shpirt, ndërsa pranë disa të tjerëve ndiejmë ndjesi të pakëndshme dhe pakënaqësi?
Përgjigjja për këtë pyetje është e thjeshtë, por e vështirë për t’u pranuar: edukata nuk është vetëm ajo që mësohet, as ajo që tregohet me fjalë në publik, por edukata e vërtetë është ajo që bartet në kraharor, në zemër.
Ju e dini që Pejgamberi a.s. ka thënë për xhamitë se ato janë vendet më të dashura për Allahun, sepse në to përmendet emri i Tij, lexohet fjala e Tij, adhurohet Mëshiruesi… sepse në to duhet të mbizotërojë rendi, qetësia dhe harmonia. Ndërsa për tregjet ka thënë se ato janë vendet më të urryera për Allahun, sepse aty ka zhurmë, betime të rreme, mashtrime; aty zhvillohet lufta për ekzistencë… Mirëpo, kur dikush ka edukatë (sjellje të mirë), me të ndihesh mirë edhe në treg, ku blihet e shitet, ku kërkohet furnizimi. Ndërsa, kur dikush nuk ka edukatë, është vështirë pranë tij edhe në xhami, ku mësohen fjalët më të bukura, ku dëgjohet ezani, ku paqja e Allahut i përshkon të pranishmit.
Pse ndodh kjo?
Sepse, vëllezër të dashur, edukata nuk është zë; edukatë nuk është si shfaqemi para njerëzve; edukatë nuk është qëndrimi në saf; edukata nuk është titull. Por, edukata është gjendje e shpirtit, dhe shpirti nuk mund të fshihet gjatë. Ajo rrezaton rreth nesh, hesht dhe flet pa gjuhë, lë gjurmë edhe kur nuk thotë asgjë.
Në një thënie të vjetër thuhet: “Kush nuk merr edukatë nga shtëpia, nuk do ta marrë as nga xhamia.”
Dhe vërtet, vëllezër të dashur, kur edukata del nga njeriu, me të del edhe besimi, edhe turpi, edhe mëshira.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “… Dhe u thoni njerëzve fjalë të bukura.” (El-Bekare, 83)
Pejgamberi (savs) na mëson: “Më të mirët prej jush janë ata që kanë sjellje më të bukur.”
Por ato fjalë të bukura, ajo sjellje e mirë, duhet të jetë pasqyrim i shpirtit të bukur. Sepse bukuria e fjalëve dhe sjelljes pa bukurinë e shpirtit është si një lule pa aromë, e bukur për sy, por pa jetë.
Dhe vërtet, nuk është forca në gjuhën që di të shajë, por në atë që di të heshtë.
Nuk është guximi tek ai që sulmon në koment, por tek ai që di të tërhiqet.
Nuk është njeri i madh ai që rrëzon tjetrin, por ai që di ta ngre njeriun.
Vëllezër të dashur, ne mund të veshim rrobat më të bukura, të kemi titujt më të lartë, të jemi të parët në saf, por nëse të tjerët pranë nesh ndihen keq, nëse shpirtrat tanë janë të helmuar, nëse shikimet tona janë të mbushura me përçmim dhe zili, nëse nga ne del vetëdashuria, atëherë të gjitha këto nuk kanë vlerë.
Një dijetar ka thënë: “Më e mirë është një zemër që kurrë nuk ka lexuar libër, por që nuk lëndon, sesa një dije që plagos.”
Ndërsa Imam Shafiu ka thënë: “Kush nuk e ndërton vetveten, dija nuk i bën dobi.”
Sa shumë gjyshër e gjyshe tona të mirë janë poshtëruar, turpëruar, fyer, madje ndoshta edhe kanë derdhur lot, për shkak të ndonjë të riu që, falë Zotit, ka lexuar shumë hadithe e tefsire, por pastaj ato që ka lexuar i ka interpretuar në mënyrë të gabuar.
Nuk bën kështu! Vërtet, nuk bën kështu, sepse fjala e bukur është detyrë e besimtarit, por ajo duhet të vijë nga një shpirt i bukur. Fjala pa shpirt është e zbrazët. Shikimi pa sinqeritet është i turbullt. Kurse feja pa edukatë është e ftohtë.
Në një hadith thuhet: “Kush fal gabimin e vëllait të tij, Allahu do t’ia falë atij mëkatet në Ditën e Gjykimit.” Të gjithë neve na nevojitet kjo mëshirë e Allahut, sepse nuk ka njeri pa mëkate dhe mangësi, prandaj pse të lodhemi aq shumë me gabimet e të tjerëve, ndërkohë që i neglizhojmë tonat?
Prandaj, vëllezër të dashur, le ta pyesim veten: a jemi ne njerëz me të cilët është bukur edhe kur heshtet, apo jemi nga ata me të cilët të tjerët ndihen keq?
A jemi ne njerëz që rrezatojmë paqe dhe begati, apo njerëz prej të cilëve të tjerët ikin, edhe nëse flasim fjalë të fesë?
Nëse, mos e bëftë Allahu, jemi prej atyre të dytëve, atëherë le t’i lëmë të tjerët dhe të punojmë me vetveten.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!” (el-Furkan, 63)
Vëllezër të dashur, mos të jemi xhemat që lëmë gjurmë të mira nëpër xhamia, kurse gjurmë të këqija nëpër lagje; mos të jemi njerëz që lexojmë bukur, por jetojmë vrazhdë. Le të jemi njerëz, fjalët e të cilëve shërojnë, sepse burojnë nga shpirti i pastër. Le të jemi njerëz që përhapin mëshirë, harmoni, lumturi, begati…
Siç thotë Mevlana Xhelaludin Rumi: “Bëhu si lumi në bujari, si dielli në mëshirë, si nata në fshehjen e të metave, si toka në përulësi.”
Të dashur vëllezër, të paktën sot, kur të dalim nga xhamia, secili prej nesh le të provojë t’i drejtojë një fjalë të sinqertë dhe të ngrohtë vëllait pranë vetes, një shikim, një buzëqeshje, ose një selam që vjen nga thellësia e zemrës. Le të jemi njerëz me të cilët është bukur edhe të heshtësh edhe të flasësh.
Dhe në fund, le të jetë kjo lutja jonë:
O Zoti ynë, na bëj prej atyre me të cilët është bukur si të flasësh, ashtu edhe të heshtësh. Na dhuro një gjuhë që shëron, një zemër që nuk gjykon, një shikim që fal dhe një sjellje që dëshmon. Amin! https://dzematdonjevukovije.org//
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)