Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Të nderuar vëllezër besimtarë;
Allahu i Plotfuqishëm në Kuran e përmend merimangën. Në fakt, e tërë surja quhet ‘el-Ankebut – Merimanga.’ Pse? Sepse merimanga ka shtëpinë më të dobët dhe më të keqe. Allahu i Plotfuqishëm na porosit se besimi tek dikush tjetër përveç Tij, kërkesa e ndihmës, ngushëllimit dhe sigurisë përveç Tij, do të thotë, është e njëjtë sikur të strehohesh dhe të kërkosh siguri në fijet e merimangës.
Në fillim të sures ‘Merimanga’, qëndron një ajet shumë domethënës dhe gjithëpërfshirës:
أَحَسِبَ النَّاسُ أَنْ يُتْرَكُوا أَنْ يَقُولُوا آمَنَّا وَهُمْ لا يُفْتَنُونَ
“A mendojnë njerëzit se do të lihen (të qetë) nëse thonë: “Na kemi besuar! E që ata nuk do të vihen në sprovë?” (el-Ankebut, 2)
Ky ajet është konfirmimi më i mirë, se besimi i cili na zbret nga gjuha, dhe të cilin e konfirmojmë me fjalë dhe vepra, do të testohet vazhdimisht përmes sprovave të ndryshme. Për të qenë edhe më preciz, sa të jetë besimi në zemrat, veprat dhe gjuhët tona më i fortë, sprovat do të jenë më të shpeshta.
Në një hadith, Pejgamberi (savs), ka thënë: “Sprovat më të vështira i kanë pasur pejgamberët, pastaj njerëzit e mirë dhe pastaj më të shquarit në mesin e njerëzve. Njeriu do të sprovohet sipas forcës së besimit të tij, andaj nëse besimi i tij është i fortë, sprova është më e vështirë.”
Detyra e sprovës është që ta forcojë besimin tonë dhe të na pastrojë nga mëkati. Në sprova duhet të durojmë, dhe të jemi të bindur fortë se ajo është caktim i Allahut.
Sidoqoftë, përmes hutbes së sotme do të theksojmë edhe atë, se nganjëherë në jetë, sprovat kanë për qëllim të na përgatisin për diçka që është më e mirë, më e madhe dhe më e vlefshme. Zoti ynë është i Mëshirshëm dhe Ai na njeh neve më së miri. Nga mëshira e Tij, Ai shpesh na merr diçka që neve na pëlqen, për të na dhënë pastaj diçka, që do të jetë për neve edhe më e dëshirueshme. Nga ana tjetër, nganjëherë na vendosë mbi supe ndonjë barrë, për të cilën mendojmë se nuk mund ta mbajmë, por më pastaj e kuptojmë se pas kësaj barre, vjen një lehtësim dhe lumturi e tillë, me të cilën asgjë nuk mund të matet.
Le t’i mbajmë mend mirë tri situata, të cilat janë përshkruar saktësisht në tregimin më të bukur kuranor – për Jusufin (a.s.), dhe për vëllezërit e tij. Ato situata na mësojnë se mundimet më të mëdha të jetës, në fund kthehen në kënaqësi të jashtëzakonshme, natyrisht, me durim dhe mbështetje të sinqertë në Allahun e Plotfuqishëm.
Situata e parë: Nga vegjëlia, Jusufi (a.s.), ishte therrë në syrin e vëllezërve të tij të lindur. Ata e përçmonin nga thellësia e shpirtit dhe pëlcitnin nga mundimi, sa herë që Jakubi (a.s.), i ati i tij, e merrte në krah. Xhelozia u rrit deri në atë masë, saqë vendosën ta zhdukin përgjithmonë dhe e hodhen në pus. Po e përsëris, këtë ia bënë vëllezërit e tij të lindur. Nuk e di, ju a mund ta imagjinoni veten në një situatë të tillë!?
Jusufi gjatë gjithë kohës ishte i vetëdijshëm për përbuzjen dhe synimet e tyre të këqija. Ai nuk i kundërshtoi as nuk ju rezistoi, sepse ishte i vetëdijshëm edhe për diçka shumë të rëndësishme: Ai që krijoi gjithçka, vëzhgon dhe regjistron gjithçka, nëse vërtet mbështetesh tek Ai, Ai do të japë që në fund gjithçka të dalë më mirë se sa që mund të mendosh. Dhe çka ndodhi në rastin e Jusufit?
Ai arriti në pallatin e sundimtarit. U gjend në mesin e elitës së atëhershme. Pra, për tu ngritur lartë, ai duhej të hidhej shumë poshtë – në pus.
Prandaj, nëse ndonjëherë bie, mos e humb shpresën, sepse ajo, me ndihmën e Allahut, mund të jetë vetëm një përgatitje, që të ngrihesh përsëri dhe të shkosh edhe më lart.
Situata e dytë: As në pallatin e sundimtarit, Jusufi nuk ishte plotësisht rahat. Sapo u bë një djalosh i bukur, u përplas me dinakërinë e femrave. Ai u përball me intrigat femërore, për të cilat Kurani thotë se janë shumë të rrezikshme. Në fund, arriti ta dëshmojë pafajësinë e tij, por, megjithatë, u hodh në burg.
Kështu, pas pusit, e priti rënie e re.
I drejtë – i shëndoshë, përfundoi në burg. Përsëri nuk rezistoi as nuk kundërshtoi. Ai e dinte që Zoti i tij nuk do ta linte në baltë. Dhe nuk e la.
Burgu ishte vetëm një shkallë nga e cila Jusufi (a.s.), u ngrit drejt për në pozitën e ministrit të shtetit. Brenda natës u bë një nga njerëzit më me ndikim në Misirin (Egjiptin) e atëhershëm.
Prandaj, nëse ndonjëherë ndjehesh i pakënaqur ose i refuzuar nga njerëzit, dije se e ke Zotin, i Cili brenda natës mund të të bëjë njeriun më të respektuar.
Situata e tretë: Vlen të përmendet edhe shembulli i Jakubit (a.s.), babait të Jusufit (a.s.). Ai është pjesëmarrës i gjithë kësaj historie, nga fillimi deri në fund. Ai e hetoi xhelozinë e sëmurë të fëmijëve të tij, por edhe besimin e vërtetë të djalit të tij, Jusufit.
Kur bijtë e tij e hodhën Jusufin në pus, ata llogaritën se nuk do të mbijetonte, dhe babait të tyre Jakubit, ia sollën këmishën e përgjakur, duke i thënë se Jusufin e hëngri ujku. Nga hidhërimi për djalin e tij, këmishën e të cilit shpesh e mbante në krahë dhe qante, Jakubi u verbua.
Shumë vite më vonë, kur Jusufi (a.s.), u bë ministër shtetëror dhe kur vëllezërit e tij, të detyruar nga uria, shkuan që t’i mëshirojë dhe tu japë ushqim, ai e dërgoi këmishën e tij dhe u tha që Jakubi ta vë në fytyrë. Sapo e afroi te sytë, Jakubit (a.s.) i erdhi shikimi. Këmisha, në fillim ia shkaktoi dhembjen më të madhe të jetës, kurse pastaj ia solli gëzimin më të madh në jetën e tij.
Prandaj, duhet të jemi të durueshëm dhe këmbëngulës në jetë, sepse ajo që sot na ka pikëlluar, me vullnetin e Allahut, nesër mund të na bëjë të lumtur.
Ne nuk mund të shpëtojmë nga sprovat. Nuk mund t’i anashkalojmë ato. Mirëpo, me sabër, me besim dhe me mbështetje në Allahun, jo vetëm që do t’i fitojmë, por edhe do t’i kthejmë në momente të suksesit dhe gëzimit tonë më të madh .
O Zoti ynë, na bëj të durueshëm dhe mos na ngarko me sprova, të cilat nuk mund t’i përballojmë.
- O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!
- O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
- Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
- O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës të fesë dhe atdheut!
Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.
Përshtati: Miftar Ajdini