Falënderimi i takon Allahut të Plotfuqishëm, i Cili në librin e Tij famëmadh, betohet në kohën dhe i Cili vitin e ka ndarë në 12 muaj. Salavat dhe selam i dërgojmë Pejgamberit tonë të dashur Muhamedit (a.s.), i cili na paralajmëron duke thënë: “Mos e shani kohën, se vërtetë Allahu është koha.”
Vëllezër të dashur!
Koha është begati por edhe sprovë. Një sasi e caktuar kohore na është vënë në dispozicion për ne, por do të përgjigjemi për secilën sekondë. Koha kalon dhe lë gjurmë, ndërsa gjurma më e mirë është një vepër e mirë. Pjesën më të madhe të kohës që ka kaluar, ne në fakt, nuk e mbajmë mend. Mbahen në mend vetëm disa gjurmë, disa momente, disa vepra, disa personalitete, disa ngjarje … Mbahen në mend për shkak të diçkaje që ka mbetur e paharrueshme.
Vëllezër të respektuar!
Para nesh sivjet është me radhë data e rëndësishme e Vitit të Ri musliman.
Sipas takvimeve të bashkësive islame shqiptare dhe më gjerë, prej sonte në mbrëmje, e premte, 30 gusht 2019, me faljen e namazit të akshamit fillon viti i ri i hixhretit, 1441.
Dita e parë e vitit të ri hixhrij është nesër, të shtunën, 31 gusht 2019, ku fillon muaji i parë islam, muaji Muharrem.
Ky vit i ri quhet hixhrij, sepse kjo datë lidhet me Hixhretin. Hixhreti është shpërngulja e Muhamedit (a.s.), së bashku me muslimanët e tjerë nga Meka në Medinë. Hixhreti është dalje nga tortura, nga pushtimi dhe nga shtypja në liri.
Sipas Hixhretit muslimanët, me iniciativën e halifit Omer (r.a.), e llogarisin kohën dhe e përdorin kalendarin hixhrij. Çdo gjë në fenë tonë të bukur është mësim, dhe çdo ngjarje, madje edhe ngjarja më e vogël në të kaluarën tonë të ndritshme është mësim më i vlefshëm se floriri. Kështu është edhe me Hixhretin. Mësimet dhe mesazhet e tij janë të shumta.
Prandaj, në hutben e sotme do të flasim shkurt për vitin e ri të muslimanëve, vitin e ri hixhrij i cili sivjet është viti 1441.
Kjo shpërngulje ka ndodhur në vitin 622, pas lindjes së Isait (a.s.). Ky rast paraqet një ngjarje të madhe në historinë e muslimanëve, pasi që, përmes hixhretit, muslimanëve iu mundësua që të bëhen një bashkësi e fuqishme, mirë e organizuar dhe e përgjegjshme për t’i zbatuar vlerat e Islamit në jetën shoqërore.
Edhe sot e kësaj dite, hixhreti na i dhuron leksionet më të mira se si, muslimanët, duhet të vetë organizohen, të kujdesen vetë për vetveten dhe për të tjerët, të shikojnë të kaluarën e tyre dhe të nxjerrin mësimin e duhur, etj.
Për fat të keq, sot po ndodhin hixhrete të mëdha te muslimanët, edhe pse Muhamedi a.s., ka thënë se pas çlirimit të Mekes, nuk ka më hixhret, përsëri po shohim se sot nëpër botë, përfshirë muslimanët e Arakanit në Burma, ata të Sirisë, e gjetiu, janë duke bërë hixhret, të ushtruar me dhunë nga forcat vendore të shteteve përkatëse.[1]
Vëllezër të dashur!
Është moment i duhur për muslimanin që me fillimin e vitit te ri hixhrij, të ndalet me vetveten dhe ta bëjë një llogaritje të shpejtë dhe precize.
Në këtë llogari s’ka dyshim se është rruga e shpëtimit dhe udhëzimit. I zgjuar është ai i cili e vë nën kontroll nefsin, dhe punon për jetën pas vdekjes, ndërsa, syçelë është ai që e detyron nefsin e tij drejt rrugës së punëve të mira, duke e frenuar me frenat e sheriatit islam.
Njeriu nuk mund të shpëton nga këto dy gjendje: (1) nëse është bamirës, e shton bamirësinë, (2) e nëse është mëkatar, pendohet dhe kthehet tek Allahu. Allahu në Kuran thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَلْتَنظُرْ نَفْسٌ مَّا قَدَّمَتْ لِغَدٍ وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ
“O besimtarë, frikësohuni Allahut, dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen…” (el-Hashr, 18)
Ibn Kethiri (r.h.), duke e komentuar këtë ajet ka thënë: ”Llogaritni vetveten tuaj para se të llogariteni, dhe shikoni se çka keni deponuar për vetveten nga punët e mira, në Ditën kur do të dilni pata Zotit tuaj.”
Ibn Kajjimi (r.h.), na ka treguar rrugën edhe formën e llogaritjes së punëve tona:
“E para: – ta llogaris veten e tij në obligimet – farzet, dhe nëse i kujtohet se i ka ikur diçka, e kompenson.
E dyta: – ta llogaris veten e tij në ndalesat – haramet, dhe nëse i kujtohet se ka bërë ndonjë mëkat, të shpejtoj me pendim dhe kërkim falje-istigfar, dhe t’i shlyej ato me bërjen e punëve te mira.
E treta: – ta llogaris veten nga shkujdesja, dhe e nëse e sheh se ka qenë i shkujdesur nga ajo për të cilën është krijuar, le ta arrijë me dhikër-përmendje te Allahut dhe duke iu kthyer Atij.”
Vëllezër të respektuar!
Le të shpejtojmë me mëngjesin e këtij viti të ri, me pendim dhe kthim tek Allahu, sepse fletët janë të bardha dhe asgjë nuk është shkruar mbi ato. Larg qofshim nga mbushja e tyre me mëkate dhe gjynahe!!!
Le ta llogarisim veten para se te llogaritemi, ta shtojmë përmendjen e Allahut, të kërkojmë falje-istigfar, të shoqërohemi me njerëz të mirë që na udhëzojnë drejt të mirave. [2]
Ngelim me shpresë se për ne shqiptarët, ky vit do të jetë një kohë e mbarë, me suksese të reja, me paqe të brendshme kombëtare dhe fetare.
O Allah, bëje këtë vit hair për Islamin dhe muslimanet, na shto jetën, na bëj të vdesim duke bërë punë të mira dhe na largo nga punët e këqija!
O Zoti ynë, na bën të durueshëm dhe mos na ngarko me sprova, të cilat nuk mund t’i përballojmë.
– O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!
– O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
– Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
– O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës të fesë dhe atdheut!
Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.
Përshtati: Miftar Ajdini
[1] ) https://islampress.ch/2019/08/ne-mbremjen-e-se-premtes-fillon-viti-i-ri-islam-1441/
[2] ) Burimi: www.islamifejaevertete.com