Ehlu’s-sunneti kanë thënë: i mbyturi (المقتول) vdes sipas afatit të përcaktuar të jetës së tij (exhelihi), dhe ai nuk ka exhel tjetër përpos një exheli. Mbytja (المقتول) është veprim i mbytësit, i cili e ka kryer aktin e mbytjes, ndërsa vdekja ndodh te i vdekuri, si vepër e krijuar nga ana e Allahut të Lartësuar, menjëherë pas aktit të dorasit.
Mu’tezilët kanë thënë: i mbyturi është i ndërprerë (مقطوع) në exhelin e tij, sepse sikur mos të mbytej, do të jetonte deri në exhelin e vet.
Ebul Kasim El-Ka’bij[1] ka thënë: i mbyturi posedon dy exhela: mbytjen dhe vdekjen. Sipas tij, i mbyturi nuk është i vdekur.
E vërteta është sipas asaj që e kemi thënë ne, sepse Allahu i ka vendosur exhelet e robërve, sipas gjithëdijes dhe vullnetit të Tij. Kjo nuk lëkundet as në gjithëdijen, as në vullnetin e Allahut të Lartësuar, e as nuk ka refuzues të vendimit dhe përcaktimit të Tij.
Nëse shtrohet pyetja: Pejgamberi a.s. ka thënë: صلة الرحم تزيد في العمر -“mbajtja e lidhjeve farefisnore ndikon në shtimin e jetës së njeriut”. Atëherë, nëse është një exhel i vetëm, si mund të mendohet shtimi (الزيادة) i tij?
Përgjigjemi: komentimi i këtij shtimi është nga aspekti i gjithëdijes së Allahut të Lartësuar. Për shembull, nëse një njeri nuk do të kultivonte lidhje farefisnore (صلة الرحم), jeta e tij do të ishte (për shembull) pesëdhjetë vjet. Mirëpo Allahu e ka ditur se ai do t’i mbajë lidhjet farefisnore dhe jeta e tij është caktuar të jetë shtatëdhjetë vjet. Vendimi (المحكوم) dhe vullneti (المراد) i Allahut është se ai do t’i arrijë dhe të jetojë deri në shtatëdhjetë vjet. Prandaj, ky njëzetëshi emërtohet ‘shtim’ (زيادة) për shkak të respektimit të lidhjeve farefisnore, e cila ngrihet në gjithëdijen e Tij. Nëse nuk do të ishte i këtillë, jeta e tij do të ishte pesëdhjetë vite.
Esenca e kësaj është se Allahu i Lartësuar ashtu siç e di asgjënë (المعدوم), e cila do të ekzistojë, si do të jetë, po ashtu e di asgjënë, e cila nuk do të ekzistojë, e në qoftë se do të ekzistojë, si do të jetë. Siç ka lajmëruar për banorët e xhehenemit, që nëse do të ktheheshin në këtë botë (dynja), do të ktheheshin përsëri në atë, që kanë qenë, pra në kufrin e tyre, me gjithë gjithëdijen e Tij, se kthimi i tyre nuk vjen në konsideratë. Këtë e argumenton Fjala e të Lartësuarit:
وَلَوْ رُدُّوا لَعَادُوا لِمَا نُهُوا عَنْهُ وَإِنَّهُمْ لَكَاذِبُونَ
“Prandaj, edhe sikur të ktheheshin, ata do të përsëritnin atë, që e kishin të ndaluar, e s’ka dyshim, ata janë gënjeshtarë”. (El-En’am, 28).
_______________
[1] Ky është Abdullah bin Ahmed bin Mahmud El-Ka’bij, Ebu’l-Kasim, njëri prej imamëve të mu’tezilëve dhe lider i një grupi prej tyre, i quajtur “El-Ka’nijjetu”. Vdiq, më 319/931. (shih: Topaloğlu,“El-Bidajetu…” po aty, fq. 76 – përkthyesi).
(Imam Nurud-din Es-Sabuni, AKAIDI MATURIDIJ, Prishtinë, 2011, fq. 73., verzioni elekronik).