Qytetërimi islam, një superqytetërim

1239

Pak njerëz e dinë se themelet e mjekësisë moderne, të aplikacioneve programore, të matematikës, fizikës dhe astronomisë janë rezultat i punës së shkencëtarëve dhe mendimtarëve nga periudha e Epokës së Artë të Halifatit, e cila ka zgjatur nga shekulli i VIII deri në shekullin e XIII pas Isait a.s. (Krishtit). Në këtë periudhë kanë ndodhur ndryshime të pabesueshme shoqërore dhe shkencore, që deri atëherë nuk janë parë askund në botë. Së shpejti Halifati u bë aq superior në aspektin e qytetërimit ndaj pjesës tjetër të botës sa që lirisht mund ta quajmë SUPERQYTETËRIM. Këtë progres e ka shoqëruar edhe mirëqenia ekonomike dhe pasurimi i Halifatit, i cili u bë tërheqës për tregtarët, shkencëtarët, por dhe për grabitësit nga mbarë bota. E tëra filloi me zgjerimin e shpejtë të territorit të Halifatit dhe me absorbimin e një numri gjithnjë e më të madh të popujve dhe kulturave në një shtet.

Ndryshimet i filloi halifi Abdul-Melik ibn Mervani (646-705). Ai lindi në Medinë. Ishte njeri shumë i arsimuar dhe gjatë sundimit të tij vendosi shumë reforma. Ai e instaloi monedhën e vetme për të gjithë Halifatin, e organizoi shërbimin e rregullt postar, por reforma më e rëndësishme ishte futja e arabishtes si gjuhë zyrtare dhe “lëvizja e famshme e përkthimeve”. Në realitet, Abdul-Meliku hasi në një problem të madh burokratik në vend, me shumë zona të gjuhëve dhe kulturave të cilat i unifikoi në gjuhën arabe, e cila ishte njëkohësisht edhe gjuhë e Kur’anit dhe gjuhë e fesë shtetërore.

Ai i ftoi të gjithë njerëzit që t’i sillnin libra dhe shkrime nga e gjithë bota dhe në mënyrë të shkëlqyeshme e financoi blerjen e tyre. Përveç kësaj, ai e financoi një ushtri të vogël të përkthyesve të këtyre veprave, kurse pastaj ua dha në dispozicion të gjitha palëve të interesuara. Aty ka pasur vepra nga Greqia, India, Kina dhe shumë pjesë të botës dhe madje edhe përkthime të hieroglifëve nga Varri i Faraonit. Përveç kësaj, ai themeloi Mexhlise (kuvende), do të thotë, qendra intelektuale, ku lirisht mund të diskutohej për të gjitha fushat e shoqërisë dhe shkencës, por me kusht që debati të jetë i argumentuar dhe profesional. Nga këto qendra i mori mendimtarët më të mirë dhe i punësoi në administratë shtetërore, ku punën e tyre pastaj e vazhduan për të mirën e gjithmbarshme të shoqërisë.

Tubimi i këtillë i thesarit të diturive në një vend, rezultoi me përparim të fortë në të gjitha aktivitetet sociale, e në vend të parë të atyre mjekësore. Mjekët e atëhershëm i kanë përdorur njohuritë nga India, Greqia e lashtë, por edhe nga Mjekësia e Pejgamberit savs të cilën e nxorën nga hadithet e tubuara të Pejgamberit savs.

Nga fondet e zekatit dhe donacioneve të mbledhura, u hapën spitale në të gjitha qendrat e Halifatit. “Nurud-din” është njëri nga katër spitalet e atëhershme në Damask, i ndërtuar në vitin 1154, i cili me arkitekturën e tij të bukur edhe sot i tërheq vizitorët. Ai në përbërje të tij kishte një strukturë për farmakologji dhe objektin kirurgjik që, për atë kohë, duhet pranuar, ishte fantazi shkencore.

Farmakologjia punën e saj e bazonte në nxjerrjen e bimëve medicinale, ndërsa ndërhyrjet kirurgjike kryheshin sipas instruksioneve të kirurgut pak të njohur Ebul-Kasim Khalaf ibn el-Abbās ez-Zahrāvī (936-1013). Ai konsiderohet kirurgu më i madh islam dhe ka jetuar në Endelus. Ai pas vetes ka lënë veprën “Enciklopedia e praktikës mjekësore”, ku ka përshkruar punën e tij me ilustrime të anatomisë së ndërhyrjeve të tij kirurgjike. Vepra më e famshme është kirurgjia e syve ose heqja e kataraktit në sy, e cila ende edhe sot zbatohet në disa pjesë të botës.

Duhet theksuar se muslimanët deri atëherë me shumicë e kanë prodhuar sapunin i cili ishte i domosdoshëm me rastin e operacionit për parandalimin e infeksionit të plagës. Bota perëndimore nuk ka ditur asgjë të ngjashëm me të dhe shumë mjekë të krishterë dhe hebrenj janë trajnuar në këto spitale ku nuk është bërë dallim i studentëve në baza fetare.

Mirëpo, një dijetar islam, më shumë se çdo tjetër, ka mishëruar sintezën e besimit, Islamit dhe arsyes. Emri i tij është Ibn Sina ose Avicena, siç është i njohur në Perëndim. Ai ishte astronom, kimist, gjeolog, hafidh i Kur’anit, psikolog Islamik, teolog islamik, logjikolog, paleontolog, matematikan, mësues mektebi, fizikan, poet dhe shkencëtar. Prej rreth 450 veprave për të cilat dihet se i ka shkruar, prej tyre janë ruajtur rreth 240 prej tyre, duke përfshirë edhe 150 vepra nga lëmi i filozofisë dhe 40 në lëmin e mjekësisë. Veprat më të njohura të tij janë: Libri i Shërimit, enciklopedi filozofike dhe shkencore, dhe Kanuni i Mjekësisë, enciklopedi mjekësore, e cila ishte bërë burim standard mjekësor i njohurive në shumë universitete mesjetare dhe është përdorur deri në vitin 1650.

Përshtati: Miftar Ajdini