Nëse do të shihnim fytyrën e vërtetë të njerëzve

217

Në një tregim përmendet rasti i një djaloshi të ri i cili i lënduar nga mashtrimet i tha  shejhut të tij që të lut Allahun e Madhërishëm t’ia mundësoj të shoh fytyrën e vërtetë të njerëzve. Shejhu i tha se kjo nuk është ide e mirë, sepse me këtë shkelet ligji i Zotit në tokë. Megjithatë,  djaloshi insistoi derisa  iu hoq perdja nga sytë. Në atë moment kur priste se do të jetë i lumtur, se do ti lehtësohet dhimbja, afër vetes filloi të shoh ujqër, qen, dhelpra, hiena,  minj…

Ata ishin njerëz që i njihte, njerëz me të cilët shoqëroheshe dhe që i konsideronte të afërt. I zhgënjyer tejmase me atë që pa, ra në një depresion edhe më të thellë se sa që ishte. U kthye tek shejhu i tij dhe i tha të bëj lutje që Allahu t’ia largojë mundësin që ti shoh njerëzit në gjendjen e vërtetë, sepse gjendja iu përkeqësua.

“Tani e kam të qartë pse i Dërguari i Allahut insistonte që mos ti flisnin keq për njerëzit dhe secilit dëshironte ti afrohet me zemër të pastër pa paragjykime për atë se çka mund të kishte dëgjuar për dikë., tha djaloshi.

Insistimi ynë që me një mendje të pa përkryer të njohim disa gjëra që Zoti i ka fshehur nuk është ide e mirë, qoftë gjera të bukura apo të shëmtuara. Zoti ynë ka fshehur disa gjëra që mendja jonë nuk mund ti kuptoj me qëllim që të ruaj shëndetin mendorë tonin. Nëse njeriut do ti shfaqeshin bukuritë e xhenetit, mendja e tij nuk do të mund ti përballonte. Neve na takon të punojmë, të mundohemi dhe të kënaqemi me jetën që na është dhënë dhuratë, ndërsa nuk duhet të ngarkojmë veten me atë që do të na shfaqet pas vdekjes.

Ne duhet të bëjmë atë që mundemi, ndërsa rezultatin e lëmë në dorë të Zotit. Nga ne kërkohet të luftojmë për drejtësinë, mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm se drejtësia absolute është tek Allahu i Madhërishëm.

Nëse dështojmë ndonjëherë në jetë nuk duhet të fajësojmë veten. Njeriu duhet të shikojë veprimet e tij, mirëpo nuk duhet të mendoj se çdo gjë që mendja jonë e sheh të keqe  dhe si fatkeqësi, është dënim nga ana e Allahut xh.sh.  dhe se kjo na ndodh për shkak se Zoti nuk është i kënaqur me ne.

Nga jeta e profetëve kemi shumë shembuj se edhe krahas mundit të madh, rezultati ndonjëherë nuk është ai që duam. Nuhun a.s. nuk e dëgjoi djali i tij edhe pse ai ishte një prind i kujdesshëm. Zekerija a.s nuk  kishte fëmijë gjatë kohë. Të mos paturit fëmijë nuk do të thotë se Allahu nuk është i kënaqur me ju. Ejubi luftonte me sëmundjen  dhe sprovat e tij. Merjemja ishte një nënë beqare që riste fëmijën  vetēm. Muhamedi a.s. mbeti jetim, u sprovua, ndjeu dhimbjen e humbjes së fëmijëve. Pra, nëse na ndodhin sprova, nuk do të thotë se Zoti na dënon.

Të kërkosh të përkryerën në një botë jo të përkryer është humbje kohe.

Burimi: Islam.ba

Përktheu: Arsim Dauti

Islampress