Rini, Islami është më tepër se dersi dhe tribuna!

402

Pranvera është stina e vitit kur fara hedhet në tokë. Kjo është koha kur jeta lulëzon, kur çdo gjë zgjohet dhe njeriut i ofrohet mundësia që të përgatitet për stinët tjera të vitit.

Rinia është pranvera e jetës së njeriut. Atëherë duhet të shfrytëzohet çdo moment për të bërë sa më shumë të mira në mënyrë që pjesa e mbetur e jetës, e edhe bota tjetër të jenë kohë të mirëqenies.

Pejgamberi savs na inkurajon, në të vërtetë, na urdhëron që ta shfrytëzojmë rininë para pleqërisë.

I ri ishte edhe Ibrahimi a.s. kur vendosi t’i thyej idhujt dhe të luftojë për fenë e drejtë.

E dëgjuam një djalosh se si i nxiste ata (me fyerje), e ai quhej Ibrahim. (el-Enbija, 60)

Jusufi a.s. ishte djalë i ri, kur ai me vendosmëri e kundërshtoi ftesën për të mëkatuar dhe bërtiti:

O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë që më ofrojnë ato… (Jusuf, 33)

Musai a.s. ishte djalë i ri, kur iu kundërvu Faraonit, kur doli në mbrojtje të popullit tij dhe kur atë popull e shpiu në vend të sigurtë.

Kurse në Suren Kehf, Allahu i Madhërishëm na tregon për një grup të rinjsh, ata ishin njerëz që besonin në Zotin: “dhe Na ua kemi forcuar atyre drejtimin.” (el-Kehf, 13)

Ky është tregimi për disa të rinj që ishin besimtarë, kur sundimtari i vendit të tyre besimtarët i vriste. Ata ikën dhe u strehuan në një shpellë. Me vullnetin e Allahut ata ranë në gjumë dhe u dukën si të vdekur dhe kështu në fakt Allahu i shpëtoi, në sajë të besimit të tyre të fortë.

Muhamedi savs ishte djalosh i ri, kur karvanët tregtare i drejtoi në Sham dhe kur u quajt el-Emin. Atëherë në Mekë e respektuan dhe e ftuan që të gjykojë midis fiseve, se kush dhe si do ta vendosë Haxherul Esvedin në Qabe.

Kur erdhi Islami, Ebu Bekri r.a. kishte 37 vjet, Omeri r.a. 27, Osmani r.a. 34, Aliu r.a. 10, Talha bin Ubejdullahu 14, Zubejr ibn Avami 16, Sad bin Ebi Vekasi 17, Seid ibn Zejdi 15, Ebu Ubejde 17, Abdurrahman ibn Avf 30 vjet. Është e rëndësishme të përmendet se Pejgamberi savs, para vdekjes së tij, Usame ibn Zejdin, si djalosh 18 vjeçar, e vendosi në krye të ushtrisë të cilën e dërgoi për Siri.

Ibn Abbasin r.a. si një djalosh i ri, e përmes tij rininë dhe njerëzimin mbarë, Pejgamberi savs e porositi:

O djalosh, unë do t’i mësojë disa fjalë, andaj mos i harro. Ruaje Allahun, e do të ruaj edhe Ai ty. Ruaje Allahun, do ta gjesh në anën tënde. Kur të lutesh, lute Allahun. Kur të kërkosh ndihmë, kërko prej Allahut … (Tirmidhiu)

Rinia jonë e dashur,

Shikoni të gjithë këta shembujt që Krijuesi ynë na i sjell në Shpallje dhe të gjithë këta njerëz nga gjenerata e parë e muslimanëve të cilët rininë e tyre e vunë në shërbim të Islamit dhe të së mirës.

Rinia është pranvera e jetës sonë dhe assesi nuk guxojmë ta lëshojmë mundësinë që në këtë moshë pjellore, në thellësinë tonë ta rrënjosim, dhe ta mbjellim besimin dhe vullnetin për sakrificë vetëmohuese për t’i shërbyer të mirës në mënyrë që të gjendemi në gjurmët e këtyre pejgamberëve të përmendur. Pejgamberët për neve janë shembull, model se si duhet të sillemi, kurse sahabët, me më të zgjedhurin e tyre, e kanë kaluar kohën dhe me jetën e tyre kanë treguar se duke shkuar rrugës në të cilën thirri Alejhiselami, arrihet sukses në të dy botët.

Është detyrë e të rinjve që ta njohin fenë dhe brenda mundësive ta praktikojnë. Duke ju drejtuar atyre, Pejgamberi savs tha:

“Ruaje Allahun dhe Ai do të ruaj ty, ruaje Allahun, do ta gjesh para teje!”

Njohje e fesë do të thotë, njohje e esencës dhe gjerësisë së saj, dhe assesi nuk do të thotë se feja kërkon mbyllje në vetvete, tërheqje nga shoqëria, apo kufizim i jetës në xhami. Feja nuk lejon as mburrjen me të, që pasi ta kesh kaluar pragun e xhamisë, të tjerët t’i sjellësh me forcë në xhami. Një proverb thotë:

“Devotshmëri është që të mos mburresh me devotshmërinë.”

Rinia muslimane mblidhet në xhami, por ajo mblidhet edhe në biblioteka, në teatro, në terrene sportive. Rinia jonë duke i shërbyer Islamit dhe duke dashur t’i ndihmojë Umetit, mblidhet në fakultete, në institute, mblidhet rreth organizatave bamirëse dhe me punë vullnetare në to ju ndihmon vëllezërve dhe motrave. Mblidhet në ara dhe në të gjitha aksionet për t’i ndihmuar njëri-tjetrit. Mblidhet edhe për të tërhequr vëmendjen për padrejtësitë dhe lëshimet në shoqëri.

Rinia jonë muslimane, shoqërohet edhe me namaz, por edhe me libër e me pendë. Shoqërohet në aktivitete sportive, por punon së bashku dhe ndihmon edhe për mbjellje, korrje, prashitje …

Rinia jonë e ka për detyrë ta di se i përket Umetit më të mirë, edhe pse tani për shkak të sprovave në të cilat po kalojmë nuk duket ashtu. Pikërisht takimet e tyre, edhe në xhami, edhe në bibliotekë, edhe në teatër, edhe në fakultet, edhe në bamirësi edhe në punë, do të bëjnë që ky Umet përsëri të jetë me të vërtetë i pari dhe më i miri. Umeti këtë e pret nga rinia jonë. Umeti pret nga rinia që mos të ngritën në demonstrata për shkak të karikaturave, ai pret që t’i largohen dhunës, dhe me punë, me angazhim, me mësim dhe me besim ta pasqyrojmë në pamjen më të bukur fenë tonë dhe në harmoni ta ndërtojmë të ardhmen, të ardhmen e sigurt për mbarë njerëzimin.

Rinia jonë e dashur, ku jeni duke e kërkuar shpëtimin?

Me kënd po shoqëroheni dhe kush po punon me ju?

Prej të gjithëve pritet që të punojnë me të rinjtë. Mendoj se të rinjtë duhet të punojnë me të rinjtë. Me të rinjtë duhet të punojmë në familje, në shkollë, në xhami. Politika dhe pushteti duhet të punojnë me të rinjtë dhe t’u sigurojnë atyre përmbajtje në shoqëri që do t’i bëjë ata më të fortë në rrugën e të mirës. Islami e inkurajon sportin, e inkurajon arsimin dhe kulturën.

Prandaj, rini e dashur, shoqërohuni dhe mblidhuni për të promovuar libra, për të organizuar takime ku nuk mësohet vetëm feja.

Islami është më shumë sesa dersi dhe tribuna!

Ligjërata mbi fenë sot ka shumë. Ne kemi nevojë edhe për ligjërata për gjuhën, për historinë, për atdheun, për shëndetin. Ne kemi nevojë edhe për ligjërata nga pedagogjia, psikologjia, filozofia … Të gjitha këto janë Islam. Ju duhet të kyçeni edhe në luftë politike, që tu afroheni partive jo për tu punësuar në to, por për t’i ndryshuar gjërat në shoqëri dhe për t’i krijuar vetes dhe fëmijëve ardhmëri.

Puna me të rinjtë nuk është vetëm në xhami. Në fakt, këta të xhamisë duhet të shkojnë tek ata që ende nuk e kanë kaluar pragun e xhamisë. Duhet te shkojnë atje, jo për t’i ftuar me vrazhdësi në xhami, por duke u shoqëruar me ta dhe duke marrë pjesë në aktivitetet e tyre, të cilat sigurisht nuk janë haram, me sjelljen e tyre t’i sjellin në xhami, dhe pastaj nga oborri i xhamisë ta përhapin atë që në të vërtetë xhamia është.

Kush duhet të punojë me të rinjtë?

Imami, po imami, por edhe babai edhe nëna, edhe vëllai edhe motra, edhe mësuesi edhe arsimtari, edhe profesori, edhe partitë politike, edhe deputetët, edhe kryeshefi, edhe bashkësia lokale deri te kryetari. Të gjithë këta, por edhe shumë të tjerë që nuk u përmenden, duhet t’i hapin të gjitha resurset dhe t’ua ofrojnë të rinjve, në mënyrë që ky Umet përsëri të jetojë në lumturi, begati, siguri, dhe vendi ynë të jetë vërtetë i yni.

Sa vjet kishte Omeri r.a. kur erdhi Islami? Sa vjeç ishte Aliu r.a.? Rinia është periudha më produktive e jetës.

Rini e dashur,

Mos lejoni që rinia t’ ju kalojë në të këqija dhe mëkate dhe ara e jetës suaj të mbetet e zbrazët, kurse Umeti të privohet nga kontributi juaj në progresin e tij.

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo në çdo punë të hajrit dhe rininë tonë forcoje në rrugën e së vërtetës. Amin.

Autor: Izet ef. Čamdžić; rijaset.ba

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)