Në natën e Beratit: Çfarë nuk mund të bëjmë, dhe çfarë mund të bëjmë?

2730

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Çfarë nuk mund të bëjmë, dhe çfarë mund të bëjmë?

“… Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër…“ (Lukmân, 34) Ai nuk e di as nuk ka si ta dijë. Ne besojmë në caktimin e Allahut, Kada dhe Kader. Në mësim besim nga shartet e imanit, kemi mësuar se sharti i gjashtë është: “Besoj se çdo gjë që ndodh, ndodh me vullnetin e Allahut dhe me caktimin e Tij.” Kur e kemi mësuar këtë nga ilmihali, nuk kemi menduar për të. Ndërsa kur jemi rritur, ajo që kemi mësuar na u kthye në formën e njohjes. Tani, në vitet tona e pjekurisë sonë dhe edhe më të vona, shpesh na vijnë në mendje dhe na i preokupojnë mendimet tona temat si: vdekja, përgjegjësia, takimi me Zotin e botëve.

Ashtu sikurse hixhreti që na kujton sakrificën, sakrificën e domosdoshme në rrugën drejt suksesit; ashtu sikurse Miraxhi që na kujton se pas vështirësive vjen lehtësimi dhe se besimtari që bën përpjekje ka arsye të shpresojë për sukses; ashtu sikurse që na mëson Kadri se ka një rrugëdalje nga errësira dhe konfuzioni, po kështu edhe nata e nesërme, nata e madhe e Beratit, nata e pesëmbëdhjetë e muajit shaban, na kujton largimin tonë nga kjo botë dhe na nxit që të përgatitemi për të.

Në transmetime thuhet se në natën e nesërme, me pesëmbëdhjetë shaban, melekëve ju komunikohen fatet e njerëzve, ju komunikohet se kush do të lindë, kush do të vdesë, çfarë do t’i ndodhë secilit në vitin vijues. Në transmetime thuhet, gjithashtu, se në atë natë, në natën e nesërme, në natën e madhe të Beratit, veprat tona ngrihen tek Allahu, dhe pranohen ose refuzohen.

Për çfarë duhet të mendojmë, duke e pritur këtë natë të madhe dhe gjatë saj?

Duhet të mendojmë për këtë ajet kuranor: “Është Ai që ka në dorë jetën dhe vdekjen. Kur Ai vendos diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” dhe ajo menjëherë bëhet.“ (Gâfir, 68) Ne nuk e caktojmë as jetën as vdekjen; as nuk kemi vendosur kur do të vijmë në këtë botë, as nuk do të pyetemi se kur të largohemi prej saj. Ne plotësisht lirisht, me zgjedhjen tonë, e rregullojmë jetën midis lindjes dhe vdekjes. Allahu na ngarkon me këtë dhe do të na pyesë se si e kemi bërë këtë. Ne lirisht dhe në mënyrë të pavarur e zgjedhim rrugën që do ta ndjekim, e zgjedhim besimin ose mosbesimin, bamirësinë ose keqbërjen-mëkatin. Nëse jemi të lirë, dhe jemi të lirë, atëherë nënkuptohet se, edhe jemi përgjegjës. Kjo nata madhe e nesërme, le të na kujtojë për pafuqinë tonë kur është në pyetje momenti i vdekjes, dhe për lirinë dhe detyrimin tonë për t’u përgatitur për atë moment të pashmangshëm.

Nga sfera e vullnetit absolut të Allahut, pa asnjë konsultim me ne, na janë caktuar prindërit. Allahu i Plotfuqishëm ka vendosur se kush do të jetë babai dhe nëna jonë, dhe na ka urdhëruar neve, që kushdo qofshin ata, të jemi të dëgjueshëm, të përulur dhe të mirë ndaj tyre.

Për çfarë duhet të mendojmë, duke e pritur këtë natë të madhe në muajin shaban?

Duhet të mendojmë për këtë ajet kuranor: “Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë…“ (Lukmân, 34) Ne nuk i zgjedhim prindërit tonë, por se si do të sillemi ndaj tyre, ne vendosim në mënyrë sovrane. Në këtë natë, nesër mbrëma, lartësohen veprat tona! Dëgjoni se sa e vlefshme është bamirësia ndaj prindërve. Pejgamberi (a.s.) thotë: “Sikur të kishte një fjalë më të butë sesa fjala “UF”, me të cilën shprehet pakënaqësia, mosbindja ndaj prindit, Allahu do ta kishte ndaluar edhe atë. Mosrespektuesi i prindërve le të bëjë ç’të dojë, nuk do të hyjë në Xhenet, kurse respektuesi i prindërve le të bëjë ç’të dojë, nuk do të hyjë në zjarr.” (transmeton Nesaiu)

Prej sferës së vullnetit absolut të Allahut është edhe se, kush prej nesh do të ketë fëmijë – pasardhës, dhe të cilës gjini do të jenë ata. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “I Allahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë. – Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza; e, kë të dojë e lë pa fëmijë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm.“ (esh-Shura, 49-50)

Për çfarë duhet të mendojmë, duke e pritur këtë Natë të madhe nesër?

Duhet të mendojmë rreth këtij ajeti nga i cili mësojmë dhe kuptojmë se nëse duam të kemi fëmijë, kjo nuk varet nga ne, por është dhuratë që Allahu ia jep kujt të dojë; mirëpo, se si do t’i rrisim ata fëmijë, në cilën rrugë do t’i drejtojmë ata, kjo në një masë të madhe varet nga ne. Nesër, veprat tona do të ngrihen tek Allahu. Një nga veprat e mira të jashtëzakonshme, e cila edhe quhet „e mirë e përhershme“, është fëmija i edukuar mirë.

Nuk ka dyshim se nesër, natën e pesëmbëdhjetë të muajit shaban, Allahu i Plotfuqishëm do t’ua japë melekëve listën e atyre prej nesh që do të largohen nga kjo botë në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm. Ne nuk mund të ndikojmë në asnjë mënyrë dhe ta shtyjmë largimin tonë nga këtu, por mund ta pyesim veten se me çfarë do të largohemi, dhe mund të luftojmë për të sjellë sa më shumë vepra të mira para Allahut. Allahu i Plotfuqishëm na inkurajon që të veprojmë kështu: „Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish. Kush bën një vepër të keqe, do të dënohet vetëm sipas gjynahut që ka bërë dhe nuk do t’i bëhet kurrfarë padrejtësie.“ (el-En’am, 160)

O Allahu i Plotfuqishëm, të lutemi na ndihmo! Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić;

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)