Gjithçka është zero pa njëshin, kurse njeriu zero pa moralin!

360

Isai (a.s.) kaloi pranë një njeriu të pasur, e kapi për dore dhe e çoi te një njeri i varfër dhe i tha: “Ky është vëllai yt sipas Islamit. Allahu të ka bekuar me pasuri në krahasim me të, prandaj falënderoje Allahun për këtë!” Pastaj e kapi për dore të varfërin e lartpërmendur dhe e çoi te një i sëmurë, dhe i tha: “Ti je i varfër, por nuk je i sëmurë! Çfarë do të bëje sikur të ishe edhe i varfër edhe i sëmurë?! Andaj, ji mirënjohës ndaj Allahut!” Pastaj ai shkoi me të sëmurin te një jobesimtar. Me atë rast, të sëmurit i tha: “Çfarë do të bëje sikur të ishe i varfër, i sëmurë dhe i jobestimtar?! Ji mirënjohës ndaj Allahut!”

Siç mund ta shihni, gjendja e të varfrit është e vështirë, por gjendja e të sëmurit është edhe më e keqe, ndërsa më e keqja është të qenët jobesimtar.

A ka gjë më të keqe sesa të qenët jobesimtar? Më keq se të qenët jobesimtarë është që njeriu të jetë asgjë, zero. Më keq se kjo është që njeriu të jetë rob i njeriut dhe jo rob i Allahut. Më keq se kjo është që njeriu të jetë hipokrit (unafik). Edhe më keq se kjo është që njeriu të jetë i pamoralshëm.

Sot ka shumë njerëz që janë jashtëzakonisht të bukur dhe të elegantë. Sot ka shumë njerëz që falë Zotit kanë pasuri, origjinë të mirë, diplomë të mirë, pozitë të mirë… por fatkeqësisht, të paktë janë ata që kanë moral të mirë; të paktë janë ata që janë të dobishëm për komunitetin e tyre; të paktë janë ata që e flasin të vërtetën dhe që veprojnë me drejtësi, edhe nëse kjo është në dëm të tyre; të paktë janë ata për të cilët mund të thuhet se janë njerëz.

Për kënd mund të thuhet se është njeri?

Përgjigjen për këtë pyetje është përpjekur të na e jepë përmes matematikës Muhamed bin Musa el-Havarizmi, i cili quhet babai i algjebrës. Në atë përgjigje thuhet:

“Nëse një njeri është i moralshëm dhe i ndershëm, ai është 1; Nëse është edhe i bukur dhe simpatik, ia shtojmë edhe një zero dhe atëherë ai është 10; Nëse është edhe i pasur, ia shtojmë edhe një zero tjetër dhe atëherë ai është 100; Nëse është edhe me origjinë fisnike, ia shtojmë një zero tjetër dhe atëherë ai është 1000; Por nëse vlerat e moralit dhe ndershmërisë tek ky njeri zhduken (nëse numri një zhduket), atëherë mbeten vetëm zerot, të cilat janë pa asnjë vlerë.”

Gjithashtu, Aristoteli, filozofi i famshëm i lashtë grek, njeriu që quhet babai i logjikës, është përpjekur t’i përgjigjej pyetjes se çfarë e bën njeriun njeri? Kështu, ai në librin „Etika Nikomake“ thotë se qëllimi kryesor i njeriut është që të jetë njeri i mirë. Duke bërë mirë, njeriu përmbush atë për të cilën ekziston në këtë botë.

Nëse bleta nuk do të prodhonte mjaltë, atëherë a do të ishte bletë? Nëse e ndërtojmë një diçka që duket si automobil, por nuk mund të drejtohet, atëherë a është automobil? Nëse lapsi nuk do të shkruante, a do të ishte laps? Me pak fjalë, përgjigja është JO!

Prandaj shprehja popullore, ne të gjithë jemi njerëz, por rrallë kush është njeri, sepse një numër i vogël i tyre e përmbushin qëllimin për të cilin janë ktu, kurse sipas filozofisë së Aristotelit, njerëzit e tillë nuk e meritojnë emrin njeri, që nuk do të thotë, vetëm një gjitar që ecën me dy këmbë dhe ka fuqinë e arsyes dhe të fjalës, por edhe veprimin moral që e bën njeri në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Prandaj qëllimi përfundimtar i Islamit është ta pastrojë njeriun nga shprehitë dhe veprimet negative dhe ta zbukurojë me moral të bukur.

Allahu i Plotfuqishëm thotë në Kuran:

„Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar…“ (el-Xhumu’a, 02)

Ndërsa Pejgamberi (a.s.) thotë: “ Unë jam dërguar për t’i përsosur virtytet e larta morale!”

Le të përpiqemi të jetojmë sa më shumë në përputhje me vlerat morale, sepse siç po e shihni, vlera jonë matet sipas moralit tonë. Pa moral, pa mirësi njerëzore, pa dobi njerëzore për bashkësinë, bukuria jonë, pasuria jonë, origjina jonë, pozita jonë, diploma jonë …nuk kanë asnjë vlerë.

Gjithçka është zero pa njëshin, edhe njeriu është zero pa moral!

O Allah! Na e bëj të bukur sjelljen, ashtu siç na ke bërë neve të bukur. Amin!!!

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)