Nexhat Ibrahimi
Fillimi i mendimit filozofik
Zhvillimi i mendimit njerëzor dhe krijimi i njeriut fillojnë para historisë së shkruar, me shfaqjen e ndjenjës së ‘habisë’ dhe të ‘kuriozitetit’ njerëzor: Kush jam unë?, Nga jam unë?, Përse ekzistoj unë?, Çfarë janë në të vërtetë sendet?, Si mund ta shpjegojmë procesin e ndryshimit të sendeve?! Faktet si lindja, vdekja, rritja dhe shkatërrimi ngrejnë jo vetëm pyetje? Kudo që ka jetuar apo kudo që ka lëvizur njeriu, atë e ka përcjellë cilësia e të menduarit, e të kuptuarit dhe e gjykimit. Për historianin e filozofisë nuk është me rëndësi cilësia e pyetjeve të tyre të ‘çmendura’ dhe përgjigjet ‘idiotie’ të tyre dhe e gjithë kjo nuk ka ndonjë interes të veçantë për ne sot.
Mirëpo, për mendimet e pashkruara të njeriut nuk kemi të dhëna, përveç atyre të gjetura nga zbulimet arkeologjike, atyre të shpellave apo të dhënave nga librat që historia i quan të shenjta apo janë të shenjta. Por, me fillimin e paraqitjes së shkrimit, gjerat filluan të ruhen, kurse rrjedhat historike kalonin më tej. Mendimi njerëzor që ka të bëjë me dijen mbi ekzistencën për fillimin dhe fundin e saj fillimisht qe përzier me bindjet fetare dhe këtë fillim filozofik do të duhej kërkuar ndër mendimet fetare në Orient[1], e jo drejtpërdrejt në Greqi, siç pretendojnë shumica e filozofëve evropocentristë.[2]
Historianët evropocentristë të filozofisë besojnë se përmbledhjet më të vjetra të plota filozofike apo kryesisht filozofike lidhen për urtakët grekë të cilët kanë jetuar rreth gjashtë shekuj para Isait a.s.. Përmenden dijetarët e asaj kohe të cilët janë përpjekur ta njohin ekzistencën dhe fillimin dhe fundin e kozmosit. Duke iu shpjeguar paraqitjet dhe ndryshimet e shumta në ekzistencë, ata kanë shprehur mendime të ndryshme, herë-herë edhe kundërthënëse, por njëkohësisht nuk e kanë fshehur faktin se mendimet e tyre kanë qenë, pak a shumë, nën ndikimin e mësimeve fetare orientale dhe të kulturës orienatale.
Filozofi Veljaçiq mendon se historia e filozofisë fillon më herët se ajo greke, madje ai pohon se “dy kulturat e mëdha aziatike, induse dhe kineze, e arrijnë apogjenë e zhvilimit të tyre kah mesi i mijëvjeçarit të fundit të erës së vjetër, në epokën e cila në historinë e kulturës quhet aksiale” dhe e cila hapësinërisht shtrihet nga Kina e deri në Detin Mesdhe”.[3] Madje, edhe Hegeli evropocentrist kah fundi i jetës ishte më fleksibil në këtë aspekt, duke njohur ekzistimin e vlerave filozofike edhe para se ajo të fillonte në Evropë dhe jashtë Evropës.[4]
Mirëpo, gabimin që e kanë bërë hulumtuesit e historisë së filozofisë duke injoruar filozofitë e tjera nga një anë, dhe afërsia hapësinore dhe kontaktet fizike me Greqinë, nga ana tjetër, nuk do të na mjegulloj mendjen që të mos e pranojmë se “terreni më i mirë dhe më i përshtatshëm për zhvillimin dhe përparimin e filozofisë qe Greqia. Edhe Thalesi, edhe Anaksimandri dhe dijetarë e filozofë të tjerë do të sjellin në Greqi dituri dhe përvoja të vlefshme nga udhëtimet e tyre në Lindje dhe në Egjipt. Natyrisht, mendimet e para as te grekët nuk qenë të sistemuara dhe klasifikuara sa duhet, as nuk ekzistonin kategori dhe metoda të veçanta, por tashmë kishte filozofi me plotë kuptim. Të gjitha idetë quheshin shkencë, urtësi dhe njohje (kognitim)”[5] etj..
Shfaqja e sofizmit dhe spekticizmit
Në shekullin V p.e.r. përmenden dijetarët që në greqisht quheshin sofistë, respektivisht urtakët e ditur. Përkundër të dhënave që kishin për dijen, sofistët nuk besonin në të vërtetat e qëndrushme dhe të pandryshueshme dhe asgjë nuk konsideronin përfundimisht të njohur dhe të besueshme.
Si transmetojnë historianët e filozofisë, sofistët me profesion ishin mësues të cilët e mësonin retorikën dhe udhëheqjen e debateve dhe i aftësonin avokatët për gjykata.
Puna i tyre i ngjanë asaj të rrëfimit të një njeriu, i cili një ditë në shaka gënjeu se në atë shtëpi po ndahen ëmbëlsira. Njerëzit filluan të nxitojnë drejt shtëpisë në fjalë. Pak nga pak, njeriu që gënjei filloi të mendojë dhe shpresojë në vërtetësinë e këtij pohimi. Më në fund edhe vetë u vendosë në rend duke pritur ëmbëlsira pa para.
Si duket, sofistët u bënë viktimë të fatit të njëjtë. Duke i aftësuar të tjerët që me metoda të rrejshme të dëshmimit dhe mohimit, shkallërisht këtp prirje filluan të bëhen pjesë e tyre, dhe këto prirje të bëhen për ta të vetmet të drejta. Fjala sofizëm, që fillimisht kishte kuptimin e njerëzve të ditur, me kalimin e kohës mori kuptim tjetër, kuptimin e mashtruesit etj.[6]
Epoka e lulëzimit të filozofisë
Mendimtari më i njohur i cili u ngrit kundër sofitëve dhe i kritikoi qëndrimet e tyre ishte Sokrati. Ai veten e quajti filozofus (simpatizues të filozofisë). Kjo shprehje në arabisht e mori trajtën e njohur fejlesuf, nga doli edhe termi për filozofinë – felsefeh.
Pas Sokratit, erdhi Platoni, i cili në fillim ligjëronte sipas bindjeve të mësuesit, por më vonë ai formoi filozofi të veten, që kjo filozofi të kulmojë me Aristotelin, filozofin më të madh klasik.
Nga Sokrati shprehja filozofi përdorej si kundërshtim të shprehjes sofizëm, kurse përfshinte fizikën, kiminë, medicinën, astronominë, matematikën dhe teologjinë. [7]
Në atë kohë filozofia ndahej në dy grupe kryesore: teorike dhe praktike. Në grupin teorik bënin pjesë shkencat natyrore, matematika dhe teologjia. Në grupin praktik bënin pjesë: etika, ekonomia shtëpiake dhe politika.[8]
Fundi i filozofisë greke dhe epoka e kristianizmit
Pas Platonit dhe Aristotelit, nxënësit e tyre një kohë kryesisht janë marrë me punë kompilative, dhe me sistemimin dhe përpunimin e veprave të mësuesve të tyre. Puna e tyre megjithatë e ka mbajtur të freskët tregun shkencor-dituror. Por, nuk zgjati shumë dhe filloi dobësimi dhe stagnimi. Greqia mbeti e shkretë sepse shkenca dhe dituria kaloi në Aleksandri. Këtë primat Aleksandria e mbajti deri në fund të shekullit IV të e.r.[9]
Mirëpo, me zyrtarizimin e kristianizmit në shekullin IV dhe me përhapjen e fesë kristiane, filloi kundërvënia ndaj shkencës dhe diturisë, që të merrë fund kjo në kohën e Justinianit në vitin 529 e.r., kur ky perandor i Bizantit urdhëroi mbylljen e shkollës së Atinës dhe Aleksandrisë. Dijetarët për të shpëtuar kokën ikën nëpër vende të ndryshme kurse shkenca e dijes dhe e filozofisë u fikë në Perandorinë Romake.
Dalja në skenë e Islamit
Po në këtë shekull, në pjesën tjetër të botës, ndodhi ngjarja më e madhe në historinë njerëzore. Lindi, u rrit, dhe veproi pejgamberi musliman, Muhammedi a.s. (570-632). Ai filloi së pari të kërkojë që njerëzia të mësojë, lexojë dhe shkruajë, dhe atë “qoftë edhe në Kinë”, madje “prej djepit deri në varrë”, me çfarëdo çmimi.
Fidani produktiv islam, i mbjellë me dorën e Muhammedit a.s., në dritën e Shpalljes hyjnore, lëndën e parë të mendimit njerëzor e absorboi dhe me normat hyjnore, e ndryshoi në kritikë konstruktive dhe për një kohë të shkurtër e shpërndau hijen e tij në të gjitha kulturat e botës. Të trimëruar nga Muhammedi a.s. dhe nga pasardhësit e tij, muslimanët filluan të përvetësojnë dituri të ndryshme. Trashëgimia shkencore greke, romake, iraniane e të tjera janë përkthyer në gjuhën arabe. Këtyre përkthimeve iu dha kontributi musliman me hulumtime të reja, për të arritur zbulime të jashtëzakonshme në algjebër, trigonometri, astronomi, fizikë dhe kimi.[10]
Faktor tjetër i zhvillimit të kulturës islame ishte politika. Drejtimi shiit mendon se edhe emevitët edhe abasitët duke favorizuar dituritë e huaja kishin për qëllim të afrojnë rreth vetes dijetarë për t’iu kundërvënë shkollës së ehli-bejtit. Mirëpo, mendojmë se një gjë e tillë nuk qëndron dhe nuk është parim i atyre dinastive. Është e vërtetë se shkenca dhe filozofia islame filloi të prodhojë personalitete gjeniale, të cilët do të ofrojnë fryte të pasura për kulturën dhe qytetërimin botëror. Përkundër probleme, kundërshtimeve dhe përkrahjeve, shumica e dijetarëve dhe filozofëve muslimanë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm,[11] që do të çmohet deri nëditët tona.
Zhvillimi i filozofisë në epokën islame
Me përhapjen e Islamit në vende të reja, shumë qendra të shkencës Aleksandria, Xhundi Shapuri, Damasku etj. kaluan nën ambrellën islame. Filloi një erë e re, era e mirëkuptimit dhe e këmbimit të ideve e dijetarëve dhe librave e bibliotekave; filloi përkthimi i librave nga gjuhë të ndryshme: nga indishtja, persishtja, greqishtja, latinishtja, arameishtja, hebraishtja etj. në arabishte. Menjëherë pas periudhës së përkthimit filloi periudha e prodhimeve origjinale dhe lindja e një literature të pasur së pari nga mjekësia, astronomia, matematika, farmakologjia e që pastaj të fillojë edhe në filozofi dhe shkencat e tjera.
Problemet dhe mangësitë e para rreth koncepteve dhe terminologjisë shkencore e filozofike me kalimin e kohës filluan të zgjidhen me punën e madhe të Kindiut, Farabiut, Ibn Sinait dhe të tjerëve më vonë. Këtë punë të tyre më vonë e kritikoi Gazaliu, F. Raziu etj., por e mbrojti Ibn Rushdi etj. E gjithë kjo ndihmoi që ideja filozofike të zhvillohet në kulminacion, e cila do të reflektojë me shekuj të tërë.[12]
Nga filozofia skolastike deri te Kanti
Pas përhapjes së kristianizmit në Evropë dhe përqëndrimit të fuqisë së Kishës dhe të Perandorisë Romake, qendrat shkencore deri atëherë aktive erdhën nën ndikimin e pushtetit dhe deri në fund të shekullit VI u mbyllën të gjitha shkollat. Kjo periudhë që zgjati rreth një mijë vjet, e që quhet mesjetë, karaktarizohet me epërsinë dhe dominimin e Kishës mbi shkencën.
Ndër autoritetet e dalluara të kësaj kohe e kemi Shën Augustinin, i cili nëpërmjet filozofisë së Platonit dhe të neoplatonistëbve u përpoq t’i shpjegoj dogmat kristiane. Kjo periudhë është në dëm të filozofisë së Aristotelit, sepse konsiderohej si kundërshtar i mësimeve fetare. Si të tilla mësimet e tij qenë ndaluar.[13] Mirëpo, depërtimi i Islamit në Spanjë dhe më pak në pjesë të tjera të Evropës, nëpërmjet mësimeve filozofike të Ibn Sinanit dhe Ibn Rushdit, Evropa fillojë të njoftohej me Aristotelin dhe trashëgiminë tjetër.
Kjo ndikoi që kundërshtimi i Aristotelit në Evropë të dobësohet e në disa vende edhe të merrë hovë mësimi i tij, sidomos me Toma Akuinin, i cili quhej edhe averroist.[14]
Është e qartë se gjatë mesjetës filozofia në Evropë nuk u zhvillua, madje u dobësua. Në anën tjetër, deri sa filozofia në vendet muslimane zhvillohej në përmasat dhe llojet më të ndryshme, filozoifia në Evropë ishte në shërbim të Kishës dhe zhvillohej vetëm ai segment që mbronte dogmat kristiane. Kjo periudhë quhej filozofi skolastike dhe janë zhvilluar pjesërisht logjika, teologjia, etika, politika, aspekte të astronomisë dhe gramatika dhe retorika.
Pas kësaj periudhe pason periudha e renesansës, e konflikteve te brenda fetare dhe nacionale, periudha e paraqitjes së protestantizmit, kështu që filozofia skolastike pësoi fund.[15]
Më pastaj kemi paraqitjen e interesimit për shkencë, Koperniku, Kepleri, Galileu e të tjerë e e lëkundën shkencën e dikurshme, i lëkundën themelet e Papatit. Ky stagnim, kjo rënie shkaktoi paraqitjen e skepticizmit modern e më vonë edhe të lulëzimit të shkencave empirike në planin kulturor dhe paraqitjes së liberalizimit dhe demokracisë në planin politik.
Meqenëse Kisha shumë qëndrime të filozofëve i kishte përvetësuar si mësime fetare, me zbulimet e Kopernikut, këto hipoteza i refuzuan shkencëtarët bashkëkohorë. Ky refuzim i tyre rezultoi me krizën psikike të tyre në të vërtetat fetare, dogmat kishtare: si mund të jemi të sigurt që edhe bindjet tona të tjera nuk janë të gabueshme? Si të jemi të sigurt se teoritë e reja njpë ditë nuk do të refuzohen? Kjo ishte faza e dytë e skepticizmit në hisytorinë e mendimit filozofik dhe në përgjithësi.
Paraqitja e skepticizmit nga një anë rrezikoi vlerat ndhe të arrituirat shkencore, por nga ana tjetër, ajo rezikoi edhe vlerat fetare e morale. Asnjë vlerë etike, juridike, politike dhe fetare nuk mund të jetpë e fuqishme para dhunës, krimit dhe persekutimit që e shkakton skepticizmi. Prandaj, lufta kundër skepticizmit është luftë e të gjithëve, e politikanëve, reformatorëve, filozofëve, teologëve etj.
Në shekullin XVII Kisha, duke parë gabimet e së kaluarës, filloi të lirohej, ta lë të lirë arsyen dhe shkencën, duke e forcuar doktrinën e zemrës dhe të besimit. Por, filozofia dhe filozofët kërkonin bazë të fortë që të mbrohen nga hamendjet intelektuale dhe kthesat shoqërore.
Mirëpo, filozofia mori krahët me paraqitjen e Rene Descartesit, filozofit francez, Leibnicit, Spinozës dhe Malebranches, edhe pse jo në shkallën e dëshiruar dhe të nevojshme.
Krahas filozofisë racionale, në Angli filloi të zhvillohet edhe filozofia empirike, nëpërmjet Williamit, Francis Baconit, Hobbesit, John Locke, George Berkeley dhe David Hume etj. [16]
Një kohë të gjatë Kanti ka medituar për problemet e filozofisë. Në fund erdhi në përfundim se mendja teorike nuk ka forcë t’i zgjidh problemet e metafizikës dhe se parimeve racionale në këtë fushë iu mungon vlera shkencore.
Kanti shprehimisht ka konfirmuar se çështjet sikurse janë egzistenca e Zotit, amshueshmëria e shpirtit dhe vullneti i lirë nuk mund të argumentohen racionalisht., por edhe bindja dhe besimi në to janë të domosdoshme për pranimin e sistemit etik.[17]
Më me vdekjen e Ibn Rushdit më 1198, filozofia islame mbeti mbrapa. Nuk kishte zhvillim, si për shkak të faktorëve të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Stagnimi brenda umetit musliman nuk ishte në favor të filozofisë. Këtë gjendje e vështirësoi edhe vazhdimi i kqyqëzatave dhe kolonializmi i vendeve muslimane. Vetëm herë pas here kemi ndonjë figurë më të rëndësishme muslimane: Ibn Halduni, Ibn Tejmije, Abdulvehabi, Afganiu, Abduhuja, Kevakibi, Ikballi etj. Që nga Ibn Rushdi fillzofia islame nuk pati zhvillim të theksuar, pos ndonjë glosë e superglosë, ndonjë kompilacion. Kjo gjendje filloi të ndryshojë vetëm në fund të shekullit XIX dhe gjatë shekullit XX e XXI, me Afganiun, Abduhunë, Ikballin, Ehwanin, Abdurrazikun etj., por jë sipas pararendësve të tyre.
Vendi i filozofisë islame në tërësinë e filozofisë botërore
Trajtimi i vendit, rolit dhe konsekuencave të filozofisë islame në konstelacionin e filozofisë botërore kërkon përgjigje në disa çështje kruciale:
– Çfarë është kontrubuti i aktivitetit filozofik të muslimanëve gjatë të kaluarës?
– A kemi filozofi origjinale muslimane apo tërë ky angazhim është vetëm përshkrim dhe ndërmjetësim ndërmjet filozofisë klasike greke dhe filozofisë së re evropiane?
– Mos ka përfunduar filozofia islame me Ibn Sinain, El-Gazaliun, Ibn Rushdin e të tjerë në kuptim se pas tyre më nuk është paraqitur mendim origjinal? [18]
Filozofia në historinë islame përbën një pjesë të shkencave islame, të cilat ose a) kanë filluar në mesin e vet muslimanëve sikur: shkenca e tefsirit dhe hadithit, jurisprudenca islame (fikhu), dogmatika islame, sintaksa dhe gramatika e gjuhës arabe e të tjera; ose b) kanë përvetësuar nga të huajt, sikurse ndodhi me medicinën, astronominë, gjeometrinë, algjebrën, logjikën ose c) vetë filozofia dhe kanë vazhduar të zhvillohet e kultivohet në mënyrë origjinale.
Historianët e shkencës janë të pajtimit se të gjitha shkencat e përvetësuara në botën islame janë zhvilluar dhe përkryer më tej dhe se muslimanët në këtë mënyrë luajtën rol thelbësor në zhvillimin e shkencës, kulturës dhe filozofisë së njerëzimit. Rasti i Ibn Sinait dhe Ibn Rushdit në medicinë e filozofi, i Farabiut në filozofi dhe muzikë e raste tjera, janë shembulli më i mirë se dijetarët muslimanë edhe kanë përvetësuar e integruar, por edhe kanë krijuar e prodhuar.[19]
Delis Avliri në lidhje me shkencat pohon se muslimanët morën nga Grekët e vjetër: “Atë që arabët (muslimanët) e përvetësuan nga grekët nuk e përcollën më tej në formën e pandryshueshme deri te popujt tjerë. Duhet thënë se shkenca greke në mjedisin arab (musliman) kishte vend dhe rol të veçantë. Arabët dhanë kontribut të rëndësishëm në astronomi, matematikë dhe dituritë tjera të përvetësuara nga grekët dhe indusët, duke iu dhënë konstituim dhe metodologji të re … Duhet thënë se arabët themeluan dhe zhvilluan algjebrën, trigonometrinë dhe gjeometrinë sferike. Ata ishin mjaft të shkathtë në hartimin e tabelave astronomike”.[20]
Përmbyllje
Njeriu filloi të meditojë që nga fillimi i ekzistencës së tij. Pas një kohe të gjatë, ketë meditime rezultuan në diturinë të quajtur filozofi. Fillimet e para filozofia duhet t’i kërkoj në Lindje, që më vonë ato të marrin formën më të plotë me Greqinë e vjetër. Për shkak të konflikteve të brendshme, por edhe të paraqitjes së kristianizmit, filozofia për një kohë humbi. Gjetjen e fillit dhe zhvillimin e saj e mundësuan muslimanët në shekujt 9 e pas, duke e përkthyer trashëgiminë e vjetër greke, iraniane, fenikase, semuriane, egjiptiane, induse etj., dhe duke e përpunuar dhe më pastaj për ta prodhuar edhe atë origjinale. Emrat e Kindiut, Farabiut, Ibn Sinait, Gazaliut, Ibn Rushdit, Ibn Baxhes, Ibn Tufejlit, Ibn Haldunit dhe plejades së disa filozofëve të tjerë, janë për çdo respekt. Atë që e përjetoi filozofia në Evropë nga shekulli I e deri pas mesjete, muslimanët e pësuan nga shekulli XIII e deri në shekullin XIX sidomos, por edhe deri në ditët e sotme në masë më të vogël.
Megjithatë, filozofia e ka vendin e saj në mesin e diturive shkencore. Ajo mund ta luajë rolin pozitiv në doktrinën islame dhe në atë botërore dhe këtë po përpiqet ta bëjë. Së paku filozofia islame këtë rol po e luan. Muhamed Ikballi, Ali Sheriati, Muhammed Behiu, El-Ehwani, Sejid Husein Nasri, El-Attasi e të tjerë janë ambasadorë të vyeshëm në prezantimin e vlerave islame para vetë muslimanëve dhe jomuslimanëve.
Literatura:
M. Yazdi, Islamska filozofija, 1, Sarajevo, 2004.
Ahmed Fuad El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 2002.
Bertran Rasëll, Një histori e Filozofisë Perëndimore, libri i parë, Tiranë, 2004
Cedomil Veljacic, Razmedja azijskih filozofija, libri I-II, Zagreb, 1978.
Grup autorësh, Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, Sarajevë, 1987.
http://www.ibn-sina.net/txt/tekstovi.asp?tekst_id=23.
M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, I-II, Zagreb, 1988.
Nedim El-Dzisr, Vjerovanje u Boga u svjetlu filozofije, nauke i Kur’ana, Botimi II, Sarajevo, 1984.
Nexhat Ibrahimi, Aspekte të kontributit të Sami Frashërit në islamologji, Referat i lexuar në: Konferenca shkencore Shemseddin Sami Frashëri – 100 vjet pas, 19-20 Nëntor 2004, Shkup.
Nexhat Ibrahimi, Zhvillimi i terminologjisë filozofike islame në Mesjetë, në: Terminologjia islame, Prishtinë, 2006 (Tryezë shkencore në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës).
Rozhe Garodi, Islami dhe Kultura, Sarajevë, 1990.
Sami Frashëri, Qytetërimi islam, Shkup, 2002;
Samuel Enoch Stumpf, Filozofia, Tiranë, (-).
Sigrid Hunke, Dielli i Allahut shkëlqen mbi Perëndimin, Tiranë, 2007.
Xhemil Saliba, Mu’xhem’ul-felsefij, I-II, Bejrut, 1414 h./1994.
Zhan Hersh, Habia filozofike, Tiranë, (-)
[1] Krhs.: Cedomil Veljacic, Razmedja azijskih filozofija, libri i dytë, Zagreb, 1978, fq. 484-487.
[2] Shih: Bertran Rasëll, Një histori e Filozofisë Perëndimore, libri i parë, Tiranë, 2004, fq. 3 e tutje; Zhan Hersh, Habia filozofike, Tiranë, (-), fq. 5 e tutje; Samuel Enoch Stumpf, Filozofia, Tiranë, (-), fq. 3 e tutje.
[3] Cedomil Veljacic, libri i parë, op. cit., fq. 10 e tutje.
[4] Sipas: Cedomil Veljacic, libri i parë, op. cit., fq. 10-11 dhe 12.
[5] A. M. Yazdi, Islamska filozofija, 1, Sarajevo, 2004, fq. 11-12.
[6] Samuel Enoch Stumpf, op. Cit., fq. 29-33. Nedim El-Dzisr, Vjerovanje u Boga u svjetlu filozofije, nauke i Kur’ana, Botimi II, Sarajevo, 1984, fq. 19-20.
[7] Zhan Hersh, op. Cit., fq. 16-21.
[8] A. M. Yazdi, op. cit., fq. 14. Nedim El-Dzisr, op. cit., fq. 12-13.
[9] Samuel Enoch Stumpf, op. cit., fq. 105-125. Zhan Hersh, op. cit., fq. 22-60.
[10] Për periudhën e përkthimeve dhe të shkrimeve origjinale në shkenca të ndryshme dhe në filozofi shih veprën autoritative të: Ahmed Fuad El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 2002, fq. 38-58.
[11] Shih një libër të shkëlqyeshëm për këtë temë: Sigrid Hunke, Dielli i Allahut shkëlqen mbi Perëndimin, Tiranë, 2007, fq. +423.
[12] Shih shkrimin tone me titull: Zhvillimi i terminologjisë filozofike islame në Mesjetë, botuar në: Terminologjia islame, Prishtinë, 2006, fq. 65-80.
[13] Gjerësisht: Samuel Enoch Stumpf, op. cit., fq. 129-145.
[14] Toma Akuni ishte nën ndikimin e Averroesit dhe të filozofisë islame. Shih: Enoch Stumpf, op. cit., fq. 129-145.172 e tutje; Krhs. edhe: Cedomil Veljacic, libri i dytë, op. cit., fq. 400.
[15] Samuel Enoch Stumpf, op. cit., fq. 168-192.
[16] Samuel Enoch Stumpf, op. cit., fq. 212 e tutje.
[17] Samuel Enoch Stumpf, op. cit., fq. 289 e tutje.
[18] Përgjigjja në këto pyetje kërkon punë, aftësi profesionale dhe hapësirë dhe kapërcen synimet e këtij shkrimi. Mirëpo, në botën muslimane, por edhe në qendrat tjera kërkimore-hulumtuese shkencore jomuslimane janë bërë hapa të mirë në këtë rrafshë dhe është e arsyeshme të shpresojmë se do të ofrohet përgjigje më serioze në këtë aspekt. Opinioni shkencor njeh disa ndërmarrje serioze në fushën e filozofisë islame, sikurse: M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, I-II, Zagreb, 1988; Xhemil Saliba, Mu’xhem’ul-felsefij, I-II, Bejrut, 1414 h./1994 etj.
Në gjuhën shqipe shih: Sami Frashëri, Qytetërimi islam, Shkup, 2002; Nexhat Ibrahimi, Aspekte të kontributit të Sami Frashërit në islamologji, Referat i lexuar në: Konferenca shkencore Shemseddin Sami Frashëri – 100 vjet pas, 19-20 Nëntor 2004, Shkup etj.
[19] Grup autorësh, Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, Sarajevë, 1987. Rozhe Garodi, Islami dhe Kultura, Sarajevë, 1990. Cedomil Veljacic, II, op. cit., fq. 400-401.
[20] http://www.ibn-sina.net/txt/tekstovi.asp?tekst_id=23. Nedim El-Dzisr, op. cit., fq. 34