1. Kur’ani fisnik i informon njerëzit për ekzistencën e All-llahut, për njëshmërinë, madhërinë, gjithëfuqinë dhe urtësinë e Tij. E tërë kjo bëhet në atë mënyrë që lë ndër hije poezinë dhe filozofinë botërore.
2. I fton njerëzit për dije, njohje dhe meditim për përmirësim, si dhe për zgjim nga gafleti (letargjia).
3. Kur’ani fisnik sjell lajme dhe njofton njerëzit për disa nga pejgamberët e mëparshëm, për të cilët flet se si janë përballur me sprova dhe vështirësi në rrugën e All-llahut xh.sh., dhe se si ia kanë arritur që të dalin me sukses. Kur’ani, gjithashtu, urdhëron njerëzit që ta ndjekin pejgamberin e fundit, Muhammedin a.s.
4. Kur’ani fisnik sjell shembuj të shumtë për popujt e mëparshëm dhe i fton njerëzit që nga jeta e tyre të marrin mësim. Ai njofton, po ashtu, se ç’përfundim kishin ata që kundërshtuan pejgamberët e Zotit.
5. Ky Libër i Zotit i nxit njerëzit që të ndjekin vetëm të Vërtetën dhe të mos zhvishen nga bukuritë shpirtërore, duke ju nënshtruar dhe robëruar nevojave të nefsit, respektivisht dëshirave dhe pasioneve të pakontrolluara. Ai e paralajmëron njeriun që, për shkak të dashurisë së madhe ndaj dunjasë, të mos e humbë Ahiretin, gjegjësisht botën tjetër, duke nënvizuar se kjo do të ishte njëra nga katastrofat më të mëdha që mund t’i ndodh njeriut.
6. Kur’ani famëmadh i këshillon njerëzit për përmbajtje të fortë ndaj fesë dhe së vërtetës, e të jenë të fortë dhe të mos pranojnë nënshtrim ndaj armikut, duke qenë gjithmonë të kujdesshëm. Ai, gjithashtu, fton për sakrificë dhe gatishmëri të përhershme në mbrojtje të besimit, nderit, vatanit dhe të vlerave shpirtërore e materiale.
7. I ofron njeriut sistemin më të mirë jetësor, i cili i siguron jetë paqësore dhe e bënë të lumtur atë.
8. Kur’ani famëlartë thërret në drejtësi, në të vërtetën, në nënshtrim, dashuri, merhamet, bamirësi, falje, edukatë dhe ekuilibër, ashtu që të mundet, si individi, ashtu edhe bashkësia, të jetojnë në paqe dhe mirëqenie.
9. Në të njëjtën kohë, Kur’ani i tërheq njeriut vërejtjen që të largohet nga veset dhe sjelljet e këqija, sikur që janë zullumi (dhuna), tradhtia, hakmarrja, fjalët e ndyta, kryelartësia, ngurtësia e zemrës. Ai thërret, gjithashtu, për largim nga ushqimet dhe pijet e ndaluara.
10. Sipas Kur’anit fisnik, askush nuk do t’i ndryshojë ligjet natyrore që All-llahu xh.sh. i ka vendosur në gjithësi. Ai flet për atë se të gjithë duhet të jetojnë në përputhshmëri me ato ligje.
11. Kur’ani fton njeriun për punë dhe mund dhe se çdo njeri ka për të pasur vetëm atë që ka fituar.
12. Ai sjell lajme të gëzueshme në lidhje me Botën tjetër dhe për mirësitë që i presin besimtarët që kryejnë urdhrat e All-llahut dhe largohen nga ndalesat e Tij. Po ashtu, paralajmëron për dënime të ashpra për mohuesit dhe ata që të vërtetës ia kthejnë shpinën.
13. Kur’ani i njofton njerëzit për vetë qëllimin e krijimit dhe të ekzistimit, etj.
Burimi: Menzil.ba
Përktheu: Mehas Alija