Milazim Krasniqi
Kalimi i hershëm në Islam i shqiptarëve, para së gjithash, ka qenë i motivuar si ikje nga autoriteti i dhunshëm i Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj Greke. Meqë Kisha Serbe e kishte fituar autonominë në vitin 1219, autoriteti i saj i kishte përfshirë edhe shqiptarët ortodoksë të gjendur nën sundimin serb së paku që nga viti 1196. Përndryshe, sundimi osman nuk provokoi ndonjë presion ndaj Kishës Ortodokse Serbe, e aq më pak ndaj asaj greke, i cili do t’i shtrëngonte besimtarët e tyre që të konvertoheshin në fenë islame. Përkundrazi, toleranca ndaj kishës ortodokse ishte shumë e madhe. “Pushtetet e reja që i dha kishës ortodokse Mehmeti II bënin në fakt që ajo të ishte një shtet brenda shtetit. Me kalimin e kohës hierarkët filluan ta konsiderojnë veten si sundues dhe mbrojtës de facto të të krishterëve dhe njëkohësisht si të vetmin organ për t’u përballur me pushtetin qendror. Kisha i kreu këto detyra me një shkathtësi të madhe. Jeta e popujve të krishterë të Ballkanit varej po aq nga efikasiteti i autoriteteve kishtare sa dhe nga ato osmane. Kjo shpjegon faktin që dallimet e ndryshimet midis tyre, si p.sh. ajo me mitropolitët e Ohrit e të Pejës, u zhvilluan në një shkallë të gjerë brenda për brenda kishës”, pohon Sugar.
Edhe pse kisha ortodokse praktikisht ishte shtet në shtet, shqiptarët me shumicë e braktisën atë. Arsyeja ishte e thjeshtë: meqë nuk kishin arritur të kishin një kishë të veten, ata e pranuan me shumicë Islamin, në përpjekjet e tyre që të ruanin përkatësinë etnike, duke iu shmangur asimilimit etnik në serbë, i cili imponohej përmes konvertimit fetar në ortodoksi. “Kështu “kombi” ose mileti grek do të përfaqësohej dhe do të drejtohej tanimë nga Patrikana e Stambollit. Mosmarrëveshjet midis grekëve do të zgjidheshin nga gjyqet ortodokse. Së fundi, u lejua ushtrimi i lirë i veprimtarisë fetare. Në të vërtetë, ky status i përgjigjej gjendjes që e kishin zakonisht bashkësitë e krishtera në vendet myslimane, por vendosja e kësaj situate në shkallë shtetërore dhe njohja e rëndësisë së Patrikanës përbënin një ngjarje me rëndësi”, shkruan Robert Mantrani.
Është e qartë se autoriteti aq i madh i kishës greke e, më vonë, edhe të asaj serbe, mbetej me fuqi gllabëruese ndaj shqiptarëve. Prandaj kalimi i tyre në Islam ishte më shumë ikje nga ajo politikës gllabëruese sesa si pasojë e ndonjë politike konvertuese të osmanëve. Po qe se do të kishin osmanët politika koherente të konvertimit fetar të të sunduarve, ata do t’u drejtoheshin edhe popujve të tjerë e jo vetëm shqiptarëve. E vërteta është se ata shqiptarë që ngelën nën ombrellën e Kishës Ortodokse Serbe me kohë u asimiluan në serbë.
(Fragment nga një artikull më i gjatë i tij)