Fundi i vitit hixhrij, si përkujtues i fundit të jetës

912

Jemi në fund të vitit hixhrij, dhe kjo na e përkujton fundin e jetës sonë.

Gjatësia e jetës së njerëzve është e ndryshme dhe njeriu përgjatë gjithë jetës së tij kalon nëpër sprova dhe vështirësi të ndryshme. Pavarësisht nga vështirësitë dhe fatkeqësitë nëpër të cilat kalon, njeriu duhet të kujdeset që kurrë të mos e dëshirojë vdekjen. Për këtë na e ka tërhequr vërejtjen Pajgamberi ynë (savs), në hadithin vijues:

Xhabir ibn Abdullahu (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: „Mos e dëshironi vdekjen sepse ora e vdekjes është e vështirë. Është fat i madh që njeriu të jetojë gjatë dhe Allahu ta furnizojë me bindje dhe pendim.“ (Hadithi hasen, i regjistruar nga Ahmedi)

Kur njeriu gjendet në një situatë të vështirë, në një sprovë të madhe, në një sëmundje të rëndë dhe të ngjashme, duhet ta ruajë qetësinë (maturinë) dhe ta kuptojë se me këtë Zoti i botëve po na sprovon dhe dëshiron që ne të mbetemi të fortë, të vendosur, këmbëngulës dhe dinjitozë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se me durim në sprova, ne shumëfish do të shpërblehemi. Në situata të tilla, nuk është e lejuar të kërkohet ose të dëshirohet vdekja. Sidoqoftë, nëse njeriu vjen në një situatë të vështirë dhe të palakmueshme, është më së miri që të veprojë ashtu siç na këshillon Pejgamberi ynë (savs).

Enes ibn Maliku (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: „Askush prej jush në asnjë mënyrë mos ta dëshirojë vdekjen për shkak të ndonjë telasheje që e ka goditur, dhe nëse tashmë duhet, atëherë le të thotë: ‘O Allah, më jep jetë, për aq kohë sa jeta është më e mira për mua dhe më vdis, në qoftë se vdekja është më e mira për mua!“ (Buhariu, 5671 dhe Muslimi 2680)

Ndonjëherë njeriu e dëshiron vdekjen për shkak të ndonjë fatkeqësie të dynjasë që i ka ndodhur, kështu që e dëshiron vdekjen duke u ngutur që të rahatohet dhe të shpëtojë nga ajo fatkeqësi. Problemi është se njeriu me të vërtetë nuk e di se çka ndodh me të pas vdekjes, ndoshta ajo nuk është rehati dhe lehtësim, por, Zoti na ruajt, fatkeqësi dhe vështirësi më të mëdha se ajo në të cilën është. Kjo do të ishte sikurse ai i cili kërkon mbrojtje nga nxehtësia në afërsi të zjarrit.

Transmetohet se Ibrahim Neha’i kishte qarë kur i ishte afruar çasti i vdekjes, dhe kishte thënë: „Unë jam duke pritur melekun e vdekjes (Azrailin), por nuk jam duke e ditur se a do të më gëzojë me xhenet apo me Zjarr.“

Ibrahim ibn Edhemi ka thënë: „Vërtet vdekja ka shije të rëndë, të cilën nuk mund të durojë askush, përveç atij që me të vërtetë i frikësohet Allahut, dhe të paktë janë të bindurit që janë përgatitur për të.”

Abdullah ibn Omeri (r.a.), kishte dëgjuar një njeri i cili e dëshironte vdekjen dhe i tha: „Mos e dëshiro vdekjen, sepse gjithsesi do të vdesësh, por lute Allahun për falje të mëkateve dhe për mbrojtje.“

Rahatinë dhe lehtësimin e vërtetë me vdekje e përjeton ai njeri, të cilit i janë falur mëkatet, sepse Pejgamberi (savs), thotë: „Me të vërtetë është rahatuar dhe lehtësuar ai, të cilit i janë falur mëkatet.“

Meqenëse njeriu në shumë situata nuk e di se çka është hajr dhe e mirë për të, pasuria apo varfëria, në situata të tilla ai duhet të falë namaz ‘istihare’ dhe t’i lutet Allahut, që ta drejtojë në atë që është e mirë për të. Mirëpo, kur bëhet fjalë për gjërat që janë padyshim të mira për njeriun, si udhëzimi, falja e gjynaheve, mëshira, shëndeti, devotshmëria etj., atëherë, për këto gjëra, njeriu pa dilemë i lutet Allahut të Plotfuqishëm për to, sepse me të vërtetë ato janë të mira për të.

Ndonjëherë ndodh që dikush e dëshiron vdekjen nga frika e sprovave për fenë e tij, dhe nëse ky është rasti, atëherë do të ishte e lejuar që njeriu t’i lutet Allahut të Plotfuqishëm që të vdesë.

Transmetohet nga disa sahabë dhe besimtarë të mirë, se në situata të këtilla, ata i janë lutur Allahut që t’i merr tek Ai. Ekziston e njohur lutja e hadithit, në të cilën thuhet: „O Allahu im, kur dëshiron t’i sprovosh njerëzit, atëherë mua më merr tek Ti, pa u sprovuar!”

Dihet gjithashtu se, disa sahabë dhe besimtarë të mirë e kanë dëshiruar vdekjen, kur kanë pasur rastin që të bëhen shehidë (dëshmorë), gjë që edhe ka ndodhur në disa beteja. Madje përmendet se Muadh ibn Xhebeli (r.a.), është lutur për veten dhe familjen e tij, që të vdesin si dëshmorë nga murtaja e cila e kishte goditur zonën e Shamit.

Ndonjëherë dikush e dëshiron vdekjen, duke e dashur Zotin e tij dhe duke dëshiruar ta takojë Atë, dhe diçka e tillë lejohet vetëm për atë person, i cili shpreson se veprat e tij janë të mira dhe se Allahu është i kënaqur me të. Kështu transmetohet se Ebu Derda (r.a.), ka thënë: „Unë e dëshiroj vdekjen, sepse dëshiroj të takohem me Zotin tim!“

Transmetohet nga Ammar ibn Jasir (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: „O Allah, unë prej Teje kërkoj kënaqësi me rastin e shikimit në Ty, duke e dëshiruar takimin me Ty, pa ndonjë dëm që do të më godiste, dhe pa ndonjë sprovë që do të më çonte në mashtrim.“

Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: „Askush le të mos e dëshirojë vdekjen, përveç atij që është i sigurt për mirësinë e veprave të tij!“ Ai që është i bindur në Allahun e Plotfuqishëm dhe i kryen urdhrat e Tij, ai dëshiron ta takojë Allahun dhe Allahu dëshiron ta takojë atë. Këtë e konfirmon edhe hadithi në të cilin thuhet: “Kur të sillet xhenazja (tabuti me të vdekurin), që është njeri i mirë, ajo (duke dashur ta takojë Zotin e saj) thërret: – Më dërgoni, më dërgoni! Por nëse është njeri i keq, ajo (nga frika) thërret: – Ku po më dërgoni mua! Këtë zërin e saj e dëgjojnë të gjitha krijesat, përveç njeriut, dhe nëse do ta dëgjonte njeriu, ai do të binte pa vetëdije.“

Një njeri i cili jeton në përputhje me ligjin e Allahut, dhe jeton një kohë të gjatë, kjo vetëm ia rrit veprat e tij të mira dhe jeta e tij është më e mirë se vdekja. Pejgamberi (savs), në njërën prej lutjeve të tij thotë: „O Allah, bëje jetën time rritje të çdo të mire, kurse vdekjen time bëje lehtësim nga çdo e keqe!“ (Muslimi)

Pejgamberi (savs), gjithashtu është pyetur: „Kush është më i miri i njerëzve?“ Ai është përgjigjur: „Ai që jeton gjatë dhe bën vepra të mira.“ Pastaj është pyetur: „Kush është më i keqi i njerëzve?“ Dhe atëherë ka thënë: „Ai që jeton gjatë dhe bën vepra të këqija.“ (Tirmidhiu)

Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: „Secili njeri që vdes, pendohet; nëse ka qenë nga ata që kanë bërë vepra të mira, do të pendohet për shkak se nuk ka bërë më shumë, ndërsa nëse ka qenë prej atyre që kanë bërë vepra të këqija, do të pendohet pse nuk ka qenë i bindur ndaj Krijuesit të tij.“ (Tirmidhiu)

Allahu i dashur na bëftë prej atyre, që do të shpenzojnë sa më shumë kohë që është e mundur, në ato vepra që sjellin dobi dhe me të cilat Krijuesi ynë do të jetë i kënaqur.

Përkthim: Miftar Ajdini

 Dr. Fuad Sedić; preporod.com;

(Islampress)