Të shkruarit është paraqitja grafike e një përmbledhjeje shkronjash, të cilat shërbejnë për ta bërë paraqitjen me shkrim të tingujve zanorë të një gjuhe.
Shkrimi ndihmon në mënyrën e të shprehurit dhe të menduarit mes njerëzve. Gjithashtu, ndihmon në ruajtjen dhe transmetimin e të dhënave dhe informacioneve. Sistemi i të shkruarit është shpikur 3500 vjet para erës sonë dhe shkruhej në pllaka balte me ndihmën e kunjave prej druri, ose gdhendej nëpër pllaka mermeri ose gurë. Në këtë listë paraqiten sistemet e shkrimit (alfabetet) më të vjetra në historinë e njerëzimit.
1- Shkrimi egjiptian
Egjipti i Lashtë dhe Sumeria (sot, pjesa jugore e Irakut) kanë qenë djepet e qytetërimit ku lindi dhe historia e shkrimit. Hieroglifët, të cilët përfaqësonin shkronjat, janë shpikur rreth vitit 3200 para erës sonë, pas shkrimit “Kuniform”, shkrim në formë pyke i përdorur në Sumeri. Përveç hieroglifëve, në Egjiptin e Lashtë kanë ekzistuar dhe dy shkrime të tjera të vjetra: “Hieratic”, e cila është një formë e të shkruarit përdorur nga “scribe” – “shkrues, kopjues”, të cilët ishin individë që në epoka dhe kultura të ndryshme shkruanin ose kopjonin dokumente të ndryshme për të ruajtur gjurmët e historisë. Ndërsa shkrimi tjetër i lashtë është “Demotic”, që nga greqishtja “demotikos” do të thotë “popullor” dhe është përdorur në Delta, Egjipti Verior. “Demotic” është referuar nga egjiptianët si “shkrim dokumenti”, ndërsa në shekullin e dytë teologu Clement of Alexandria e quajti “letter writing” – “shkrimi i shkronjave”. Këto shkrime kanë ndikuar dukshëm në alfabetin modern egjiptian. Qytetërimi i lashtë egjiptian ka bërë që këto shkrime të jenë ushqim shpirtëror dhe psikik për kulturën, traditën ndër shekullore të Egjiptit në veçanti dhe asaj botërore në përgjithësi.
2- Cuneiform
Sistemi i shkrimit “Cuneiform” ose “Kuniform”, që nga latinishtja do të thotë shkrim në formë pyke, është forma e parë e shkrimit në historinë e njerëzimit. Ky “alfabet” është përdorur rreth shekullit të 3-të para erës sonë nga Sumerët, një popull i lashtë që ka jetuar në Mesopotami, sot pjesa jugore e Irakut në Lindjen e Mesme. Shkrimi i tyre kishte hieroglifë (shenja piktoreske që përbëjnë sistemin e të shkruarit të përdorur edhe nga egjiptianët e lashtë) dhe përbëhej nga 550 “shkronja”. “Kuniform” është përshtatur nga shumë gjuhë si “Akkadian”, “Hittite”, “Hurrian”, gjuhë të folura në Mesopotaminë e lashtë. Gjithashtu ka ndikuar edhe në gjuhën “Ugaratic, Siria e sotme” dhe në alfabetin e persishtes së vjetër. Për më shumë se 3 mijë vjet këto “shkronja” ose “shenja” kanë ndikuar në shkrimet e Lindjes së Mesme. “Kuniform” është zëvendësuar nga alfabeti i gjuhës aramike. Aramishtja bën pjesë në grupin e gjuhëve afro-aziatike të nën familjes semitike. Sot, kjo gjuhë flitet në disa fshatra të Sirisë.
3- Alfabeti grek
Alfabeti grek ka shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e shkrimit, veçanërisht pasi në këtë alfabet u përfshinë zanoret si shkronja të veçanta. Gjuha greke është përvetësuar nga alfabeti i fenikaseve (viti 1050 para erës sonë) dhe është një degë e familjes së gjuhëve indoevropiane. Greqishtja ka ekzistuar që nga viti 800 para Krishtit, deri në ditët e sotme dhe shumë fjalë të saj janë huazuar nga shumë gjuhë si hebraishtja, arabishtja, turqishtja dhe shqipja dhe shumë gjuhë të tjera. Greqishtja e shkruar është dokumentuar shumë herët, që në periudhën e Mikenasve (1600 – 1100), që i korrespondon periudhës së Bronzit në Greqinë e Lashtë. Përveç rëndësisë së saj të dukshme në historinë dhe në letërsinë e Greqisë së Lashtë, ndikimi i saj në sistemet e tjera të shkrimit ka qenë i madh, veçanërisht sepse ajo është prejardhja e alfabetit cirilik dhe latin. Kjo gjuhë është bërë e njohur nën emrin “greqishtja e lashtë” dhe studiohet në shkolla dhe universitete në mbarë botën.
4- Latinishtja
Latinishtja i përket familjes indoevropiane dhe është përvetësuar nga alfabeti grek që në vitin 700 para erës sonë. Të gjitha gjuhët romake moderne si anglishtja, rumanishtja, spanjishtja, frëngjishtja dhe italishtja e kanë origjinën nga latinishtja. Më vonë, ajo është folur në rajonin italian Latium, sot Lazio, dhe u bë gjuha zyrtare e Perandorisë Romake (nga shekulli i parë para erës sonë, deri në shekullin e katërt). Për më shumë se 1000 vjet latinishtja është gjuha ndërkombëtare në shkencë dhe politikë në Evropën Perëndimore. Gjithashtu është gjuha zyrtare e Kishës Katolike, Vatikanit. Kolonizatorët evropianë (portugezët, spanjollët, francezët) shpërndanë alfabetin latin në Amerikë, Afrikë, Oqeani dhe në kontinentin aziatik, së bashku më gjuhët e tyre respektive.
5- Alfabeti arab
Arabishtja është alfabeti i dytë më i përhapur në botë dhe përdoret kryesisht në Afrikën e Veriut dhe në pjesën qendrore dhe perëndimore të kontinentit aziatik. Arabishtja i përket familjes semitike dhe është gjuha më e përhapur e kësaj familjeje. Fillimet e saj i përkasin vitit 400 para erës sonë dhe me përhapjen e fesë Islame (gjithashtu gjuha e Kuranit), ajo u bë gjuha e përbashkët e letërsisë arabe. Gjuha e Kuranit ka mbetur deri më sot e vetmja gjuhë letrare për arabët, ndërsa gjuha e folur, ajo veriore dhe jugore, ndryshojnë shumë nga ajo letrare. Arabishtja klasifikohet si “abjad”, mënyrë shkrimi ku shkronjat janë të gjitha bashkëtingëllore, por në disa raste zanoret janë diakritike. Arabishtja zyrtare është gjuhe amtare e 26 shteteve dhe gjuha e fesë islame.
6- Alfabeti cirilik
Është një shkrim alfabeti që përdoret në shtetet sllave (nga serbët, kroatët, sllovenët, rusët, maqedonasit, boshnjakët dhe një pjesë e grekëve) të Evropës dhe të Azisë Perëndimore. Ky alfabet është zhvilluar në Perandorinë e Parë Bullgare gjatë shekullit të 10-të para erës sonë në ‘Preslav Literary School”, shkolla e parë në periudhën mesjetare bullgare. Ky alfabet ka marrë emrin e dy vëllezërve grekë, “Saint Cyril dhe Methodius”, të cilët kanë jetuar në periudhën bizantine dhe krijuan alfabetin “Glagolitic” (i njohur si alfabeti më i vjetër sllav). Studiuesit modernë dëshmojnë se alfabeti cirilik është zhvilluar dhe formalizuar nga dishepujt Cyril dhe Methodius. Me hyrjen e Bullgarisë në Unionin Evropian më 1 janar të vitit 2007, alfabeti cirilik është gjuha e tretë zyrtare pas alfabetit latin dhe grek.
7- Braille
Alfabeti Braille, ose “Braj” është krijuar nga një i verbër me origjinë franceze, Lousi Braille (1809-1852). Ai u frymëzua nga “night writing” – “kodi i natës”, i përdorur në ushtrinë franceze dhe ishte në gjendje të lexonte libra ku shkronjat ishin të ngritura. Gjithashtu Braille bëri të mundur që të shpiket një tjetër sistem që ta ndihmonte për të shkruar dhe përdori sistemin prej 6 pikash. Ky sistem i të shkruarit u përdor për herë të parë në vitin 1821. Sistemi “Braj” është alfabeti që lehtëson të verbrit për të shkruar dhe lexuar dhe është forma e parë dixhitale e të shkruarit. Germat, shenjat dhe shifrat e alfabetit “Braj” janë të paraqitura në formën e drejtkëndëshit. Ky alfabet është përshtatur sipas karakteristikave të gjuhëve të ndryshme dhe është pranuar në të gjithë botën.
8- Alfabeti kinez
Gjuha kineze, përveç numrit të madh të përdoruesve të saj (rreth një miliardë e dy qind mijë folës), është një nga gjuhët më të rëndësishme, duke qenë një nga sistemet më të vjetra të shkrimit që nga dy mijëvjeçari para erës sonë deri në ditët e sotme. Alfabeti kinez është shpikur në kohën e Dinastisë Shang (1766 – 1122, para erës sonë) dhe karakterizohet nga një numër i madh shenjash në vend të shkronjave dhe ka mbi dhjetë mijë shenja, por në përdorim janë rreth tre mijë dhe çdo shenjë paraqet një term të caktuar. Çdo shkronjë fillimisht ishte shenjë grafike dhe përfaqësonte një fjalë monosilabike. Shkronjat kineze ishin të përshtatura edhe për të shkruar gjuhë të tjera, për shkak të ndikimit të madh të Kinës në Azinë Lindore, si për gjuhën koreane, japoneze dhe vietnameze (bazuar në të njëjtin tingull apo kuptim). Gjithashtu, gjuha kineze ka shumë forma të të folurit dhe dialekti mandarin është përdorur si gjuhë zyrtare e Kinës. Gjuhëtarët kineze kanë thjeshtuar shumë karaktere për ta bërë sa më të thjeshtë leximin dhe shkrimin e gjuhës.
9- “Brahmi”
Shkrimi “Brahmi” është një shkrim i vjetër që është përdorur në gadishullin Indian, Azi rreth shekullit të pestë para erës sonë. Shkronjat janë të gjitha bashkëtingëllore dhe zanoret janë të shkruara si shenja diakritike. Me kalimin e kohës, u zhvilluan shumë forma të të folurit, të cilat u bënë dialektet e shumë vendeve rajonale. Këto dialekte mund klasifikohen si dialekti jugor dhe dialekti verior. Shkrimi “Brahmi” është përdorur më shumë për qëllime fetare ne vendet aziatike ku gjenden popullsitë e fesë budiste.
10- Alfabeti fenikas
Alfabeti fenikas u zhvillua nga alfabeti “Proto-Sinaitic” rreth vitit 1050 para erës sonë. Alfabeti Proto-Sinaitic është shkruar gjatë Periudhës së Bronzit, në gadishullin Sinai, në Egjipt. Fillimisht, fenikasit shkruanin me sistemin “kuniform” (ishte shkrimi i parë, me anë të pykës, që e shpikën sumerët në Mesopotami). Alfabeti fenikas kishte 21 shkronja të formave të ndryshme dhe shkronjat ishin bashkëtingëllore. Këto shkronja ishin përvetësuar nga hieroglifët e semitëve në Egjiptin e Lashtë. Gjuha e fenikaseve i përkiste gjuhës semite e cila ishte e përhapur në Mesdhe nga markantet, që nga Siria, Izraeli, Libani, Palestina dhe Tunizia. Gjithashtu alfabeti aramaic është një formë e alfabetit fenikas dhe është pasardhësi i gjuhës arabe moderne dhe hebraishtes.
(Tirana Observer)