Në suren Shuara thuhet: “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”, “Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm, ndërsa Xhehenemi do t’u tregohet atyre që kishin humbur.” (Shuara, 88-91)
Termi “Kalbun Selim” që përmendet në ajet dhe për të cilën njoftohemi se ka një vlerë të madhe te Allahu Teala, nënkupton një zemër që është pastruar nga dyshimet e shirku dhe që ka besuar me sinqeritet. Said ibn Musejebi (r.a.), thotë: “Kalbun Selim është zemra e dëlirur. Ajo është zemra e besimtarit.”
Ky transmetim e shpjegon në formën më të bukur ajetin fisnik që përbën temën tonë: Nganjëherë, i Dërguari i Allahut, (s.a.s.), jepte lajme për gjendjet e veçanta të disa njerëzve. Në këtë kontekst, një ditë tha: “Njeriu që do të hyjë brenda nga kjo derë, është prej banorëve të Xhenetit.”
Pikërisht në ato momente, brenda hyri Abdullah ibn Selam (r.a.). Sahabët e nderuar u mblodhën te ai dhe e njoftuan për situatën. Pastaj i thanë: “A mund të na tregosh për veprën në lidhje me të cilën shpreson më shumë që do shpërblehesh nga Allahu, në mënyrë që ta kryejmë edhe ne?” Abdullahu (r.a.), u tha: “Unë kam vepra të pakta. Ndërsa gjëja për të cilën shpresoj nga Allahu është pastërtia e zemrës. Unë qëndroj larg fjalëve dhe veprave boshe dhe të padobishme.” (Ruhu’l-Bejan, Përkthimi dhe Komentimi i Kuranit, Botimet Erkam, vëll. 14, fq. 87)
Ka shumë vepra që e bëjnë vepruesin e tyre të fitojë kënaqësinë e Allahut (xh.sh.) dhe si rezultat, të përgëzohet me Xhenet. Njëra prej këtyre, ndoshta më e rëndësishmja është “kalbun selim”, pra të pasurit e një zemre të dëlirë dhe të pastër prej gjërave boshe dhe të padobishme, një zemër aq të gjerë, që kërkon mirësi për të gjithë, duke pajisur personin me cilësi të bukura. Prandaj, ne duhet t’i kryejmë veprat me pastërti, në mënyrë që të shpresojmë.
(Revista Etika, nr. 133)