Vahid Arnaut
Falënderimi qoftë për Allahun e Lartësuar dhe të Mëshirshëm, i Cili Tokën e krijoi si shtrat, kurse qiellin si mbulesë për ne. Atij, i Cili Tokën e zbukuroi me begati të panumërta, kurse frytet e saj i bëri të shijshme dhe të këndshme për ata që i shijojnë. Ai e krijoi tërë bollëkun e florës dhe faunës në një harmoni të përsosur, të cilën e mirëmban dhe atë ia nënshtroi njeriut, në mënyrë që të jetë mirënjohës ndaj Tij.
Salavati dhe selami qofshin mbi mësuesit e njerëzimit, pejgamberët fisnikë të Allahut, mbi vargun më të bukur të perlave, të kryesuar nga babai ynë Ademi (a.s.), kurse vula e tyre është mëshirë për të gjitha botët – Muhamedi (a.s.). Salavati qoftë mbi të gjithë ata, mbi familjet e tyre dhe të gjithë ata, të cilët kanë jetuar dhe janë larguar nga kjo botë, duke qenë në fenë e nderuar islame.
Të nderuar vëllezër dhe besimtarë të dashur!
Toka është dhuratë e Zotit për njeriun. Njeriu është krijuar nga toka, kështu që ajo është substancë shumë e rëndësishme e ekzistencës njerëzore. Njeriu jeton në tokë, mbi tokë dhe prej tokës. Ajo i është besuar atij për tu kujdesi dhe për ta ruajtur. Zoti njeriut ia dhuron tokën dhe njeriun e mban përgjegjës për tokën dhe për të gjitha krijesat që banojnë me të.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Dhe ju ka nënshtruar juve çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka këshilla për popullin që mendon.” (el-Xhathije, 13)
Është e rëndësishme të theksohet fakti, se në transferimin e jetës te bimët dhe kafshët, por edhe te njerëzit, toka ka një rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm. Zoti është burimi i jetës, por shtrirja dhe mirëmbajtja e jetës i është dhënë Tokës. Simbolika e tregimit kuranor qëndron edhe në thirrjen, që i bën njeriut, që ai t’i shohë të njëjta – procesin e mbirjes së farërave nga toka, dhe lindjen e jetës në bark të nënës – si lindje e jetës me gjithëfuqinë e Zotit.
Toka nga e cila vjen ushqimi është burim i ekzistencës së njeriut. Duke ushqyer, me aktin e të ngrënit, Toka bëhet pjesë e brendshme e njeriut, pjesë integrale dhe e domosdoshme e trupit të njeriut. Me ushqim realizohet prekja më intime midis Tokës dhe njeriut.
Bollëku në tokë është i lidhur me jetën morale dhe të virtytshme. Toka ua mohon begatitë, me caktimin e Zotit, atyre që bëjnë çrregullime dhe tregohen të shurdhër ndaj urdhrave të Zotit, për të ndarë një pjesë nga ajo që u ka dhënë Toka atyre që nuk kanë.
Ajo që u jep bereqet pasurive është dhembshuria dhe ndarja. Ajo është shenjë e mirënjohjes ndaj Zotit për begatitë e dhuruara, por edhe mënyrë e zbritjes së bereqetit.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “O besimtarë! Jepni nga të mirat që keni fituar ju dhe nga ato që ua kemi dhënë Ne, nga frytet e tokës. Mos dhuroni nga ato gjëra të pavlefshme të pasurisë suaj të cilat ju nuk do t’i pranonit ndryshe pos symbyllur. Dinie ju se Allahu është i pasur (i panevojshëm për asgjë) dhe vetvetiu i lavdëruar.
Shejtani ju frikëson juve me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni mëkate, (si koprraci, etj.). Por, Allahu ju premton falje mëkatesh dhe dhuntitë e Tij. Se, Allahu është bamirës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (el-Bekare 267, 268)
Secilit njeri i është përcaktuar nafaka para lindjes së tij. Prandaj, në nafakë nuk mund të ndikohet, por mund të ndikohet në bereqetin e saj. Bereqeti shtohet përmes falënderimit ndaj Allahut për begatitë, përmes punës së njeriut, përmes kryerjes së ibadeteve të përcaktuara, namazit, zekatit, agjërimit, sadekatul-fitrit dhe bamirësisë ndaj të gjitha krijesave.
Të dashur vëllezër!
Islami muslimanëve ju ofron motiv të fortë, që të mbjellin dhe ta kultivojnë tokën. Përveç përfitimeve në këtë botë, begatisë së frutave që ata mund t’i gëzojnë, Islami gjithmonë ua kujton njerëzve shpërblimin që do ta marrin në botën tjetër, nëse fitimi i tyre është hallall dhe nëse shërben për të mirën e njerëzve dhe të gjitha krijesave.
Sa bukur Pejgamberi (savs) na inkurajon: “Secili musliman që mbjell bimë ose e kultivon tokën, nga e cila do të hanë zogjtë, kafshët dhe njerëzit, do të ketë shpërblim nga Allahu i Plotfuqishëm.”
Ndërsa në një hadith tjetër, shtohet edhe kjo pjesë: “Ky shpërblim do të vazhdojë të rrjedhë deri në Ditën e Gjykimit.”
El-Alusi, në Tefsirin e tij, shënon se Omeri (r.a.), me një rast, kishte kaluar pranë një grupi njerëzish dhe i kishte pyetur ata: “Kush jeni ju?”
Ata ishin përgjigjur: “Ne jemi ata që i mbështeten Allahut (bëjmë tevekkul)!”
Ai ua kthen: “Jo, ju vetëm thjesht po paraqiteni si ata që i mbështeten Allahut (që bëjnë tevekkul). Mbështetje (tevekkuli) të saktë në Allahun, bën ai njeri, i cili e mbjell farën në tokë, dhe pastaj mbështetet te Zoti i tij i Lartësuar!”
Pejgamberi (savs), thotë: “Merruni me bujqësi, sepse në bujqësi ka begati, dhe hapni sa më shumë puse për atë qëllim.”
Në bashkëveprimin e njeriut me natyrën si dhuratë e Zotit, kultivimi i tokës dhe shfrytëzimi i resurseve të tokës zënë një vend parësor në zhvillimin ekonomik të secilit shtet. Përveç këtij fakti, punimi i tokës dhe qëndrimi në natyrë, është lëvizje e përhapur dhe veprimtari mirënjohëse e rekreative në botën e sotme.
Le ta dëgjojmë edhe një shembull të ndritshëm, për ata që fitimin nga puna e tyre, nuk e shohin vetëm në përfitim personal ose në një afat të shkurtër.
Imam Ahmedi e regjistron transmetimin, se Ebu Derda (r.a.), një ditë po mbillte një fidan në Damask, kështu që një njeri e pyeti: ‘Pse po e mbjell ti këtë fidan? Ti je njeri plak, kurse ky fidan do të japë fryte vetëm pas disa vitesh?’
Ebu Derda (r.a.), iu përgjigj: ‘Unë do të kem shpërblim për të gjithë ata që do të përfitojnë nga ky fidan.’ “
Besimtarë të nderuar!
Në këtë periudhë të vjeshtës, toka ofron nga thesari i saj i pasur frytet e saj, shpërblim për punën e devotshme dhe të palodhur, të atyre që kanë mbjellë dhe punuar në të. Atyre të cilët e kanë hedhur farën me fjalën ‘bismil-lah’, duke besuar dhe duke u mbështetur sinqerisht tek Ai që i jep jetë farës, mundi i tyre u paguhet. Ata, këto ditë, me fjalë mirënjohjeje, frytet e Tokës i vendosin në thesaret e tyre, duke e pritur dimrin dhe duke u kënaqur me frytin e duarve të tyre.
Kjo është edhe koha kur besimtarët besnikë, për hir të shpërblimit të Allahut të Lartësuar, për bereqet dhe lëmoshë, nga pasuritë e tyre ndajnë një pjesë që u takon të tjerëve. Ajo pjesë e pasurisë ose e bën pasurinë tonë të bereqetshme, të pastër dhe pjellore – nëse jepet, ose e zhdukë, e përlyen dhe shkatërron atë – nëse nuk u jepet atyre që u takon.
Pejgamberi (savs), ka thënë: “Asnjë kapital në Tokë dhe në det nuk është shkatërruar për asgjë tjetër, përveçse për shkak se nuk është pastruar me zekat.”
Nga Ebu Hurejre (r.a.), transmetohet se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kushdo që jep një sadakë sa vlera e një hurme, të fituar në mënyrë hallall – dhe Allahu i Plotfuqishëm nuk pranon asgjë tjetër përveç asaj që është fituar në mënyrë hallall – Allahu do ta merr atë në dorën e Tij dhe pastaj do ta kultivojë atë për pronarin e saj, sikur që dikush nga ju e rritë dhe kujdeset për mëz të vogël, derisa të bëhet si një kodër.”
Pejgamberi (savs), ka thënë: “Dhënia e zekatit kurrë nuk do ta zvogëlojë pasurinë!”
Allahu i Plotfuqishëm, e ka përcaktuar zekatin në disa lloje të pasurive. Ekzistojnë dy lloje të zekatit në lidhje me kohën e ndarjes së pasurisë:
1. Pasuritë për të cilat jepet zekati çdo vit, si p.sh. ari, argjendi, mallrat tregtarë, bagëtitë dhe
2. Pasuritë për të cilat jepet zekati një herë, në ditën e mbledhjes, dhe pastaj për të nuk jepet zekati, për aq kohë sa e kemi në pronësi, dhe ato janë produktet bujqësore.
Të dashur besimtarë!
Është koha që ta japim zekatin nga pasuritë tona për prodhimet bujqësore, një pjesë e pasurisë e cila pasurinë tonë e bën të pastër dhe të bereqetshme. Nga produktet bujqësore jepet 10% e sasisë totale, nëse nuk ka pasur ujitje, por nëse ka pasur ujitje, atëherë jepet 5% e sasisë. Gjithsesi duhet të merret parasysh kostoja e prodhimit dhe plotësimi i nevojave themelore të jetesës.
Në një mënyrë shumë të bukur, Hasan Basriu e ka përshkruar fatin e atyre që janë koprracë, kur thotë: “Unë nuk kam parë njeri më të pakënaqur në pasurinë e tij sesa koprraci. Ai tërë jetën në dynja e kalon duke e mbledhur atë, kurse në ahiret jep llogari pse nuk e ka ndarë. Në dynja, sigurimi i pasurisë nga zhdukja e mundshme i shkakton brengë, shqetësim dhe preokupim të vazhdueshëm, ndërsa në ahiret nuk ka shpëtim nga mëkati. Në dynja e jeton jetën e të varfrit, kurse në ahiret, e jep llogarinë e të pasurit.”
O Allahu i Lartësuar dhe i Mëshirshëm, bëji mbjelljet tona të bekuara, kurse frytin e saj furnizim për neve.
O Zot, bëji mbjelljet tona të frytshme dhe të bereqetshme dhe mos na privo nga e mira që ta kërkojmë.
O Zot, mos na sprovo me privim e mohim, sepse Ti nuk e mohon Atë që të lutet Ty dhe i përgjigjesh atij që kërkon nga Ti!
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress.ch)