Dr. Salah el-Budejr
Falënderimi i qoftë Allahut të Madhëruar, i cili i ofron strehim, secilit që kërkon strehimin në butësinë dhe mirësinë e Tij, dhe i Cili shëron begatitë e Tij, e shëron atë që nuk ka humbur shpresën në mirësinë dhe mëshirën e Tij.
Devotshmëria është ajo që njerëzve ju sjell çdo të mirë dhe begati, si dhe i largon prej tyre të këqijat dhe fatkeqësitë.
“Allahu do t’i shpëtojë ata të cilët janë ruajtur me vepra të mira. Nuk do t’i prek e keqe dhe nuk ka pikëllim për ata.” (ez-Zumer, 61)
Besimtari, ndër të tjera, dallohet duke u ruajtur nga gjithçka që mund t’i sjellë turp në këtë botë dhe në botën e ardhshme, që mund ta bëjë të urrejtur në sytë e njerëzve dhe mund ta vendosë atë në pozitë poshtëruese. Një pakujdesi ose një gabim mund të jetë shkak i turpit, i cili do ta shoqërojë njeriun gjatë gjithë jetës së tij, dhe zjarri i të cilit nuk do të shuhet kurrë.
Padyshim, që njeriu i ka ngritjet dhe uljet e tij, kurse Allahu i fshinë mëkatet dhe i fal. Njeriu bën mëkate dhe jepet pas veseve, kurse Allahu e fal dhe ia mbulon turpet, sepse Ai është i Butë, i Turpshëm (ka turp ta ndëshkojë robin e Tij) dhe i mbulon mëkatarët me mëshirën e Tij. A mund ta imagjinojmë se si do të dukej, sikur të mos ishte mbulesa e Zotit (duke na i mbuluar mëkatet dhe turpet) dhe sikur të gjitha mëkatet dhe mashtrimet njerëzore të bëra në fshehtësi, disi të dalin në publik, që me to të njoftohen edhe miqtë edhe armiqtë tanë, dashamirët dhe keqdashësit?
Si përgjigje në këtë pyetjeje, le të na shërbejë tregimi vijues:
Në fakt, theksohet se fetarit të mirënjohur, Davud et-Taij (që vdiq në vitin 165 h./ 781 m.), i kishin ardhur disa njerëz dhe e kishin informuar se ai gëzon respekt të madh në qarqet qeveritare, meqë rast ai kishte thënë: “Vetëm duke ju falënderuar mbulesës së Allahut (mbulesës së mëkateve), ne lëvizim në shoqëri të pa penguar dhe pa probleme të mëdha, por nëse njerëzit do të dinin gjithçka për neve (atë që ne bëjmë fshehtas), nuk do tu binte ndër mend që të thonin ndonjë të mirë për ne, sidomos të na lavdëronin.”
Prandaj, le ta falënderojmë Allahun e Plotfuqishëm për mirësinë e Tij universale dhe për begatitë e jashtëzakonshme.
Nëse, rastësisht, edhe ndodh që të na mbizotërojë pasioni, dhe nuk jemi në gjendje tu rezistojmë kërkesave të këqija të shpirtit tanë, le të mos përulemi para magjisë së mëkatit. Ajo që nuk duhet ta bëjmë në asnjë mënyrë, është që mëkatin ta shfaqim në publik. Përveç kësaj, ne jemi të detyruar, që sa më shpejt që të jetë e mundur, të kërkojmë falje nga Allahu i Plotfuqishëm, që të pendohemi sinqerisht dhe ta braktisim mëkatin.
Në një hadith mursel (hadith në transmetimin e të cilin mungon një sahabij), i regjistruar nga Maliku, Hakimi dhe Bejhekiu (r.h.), transmetohet se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kush bën ndonjë papastërti (mëkat), le ta fshehë atë nga sytë e njerëzve, përndryshe, kush e shfaq mëkatin publikisht, ne do ta gjykojmë në përputhje me dispozitat e Librit (Kuranit).”
Ebu-Hurejre (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Të gjithë pasuesve të mi do tu falen (mëkatet), përveç atyre që mëkatet i shpallin publikisht, dhe në shfaqjen publike të mëkatit, bën pjesë edhe ajo kur një person e kryen një mëkat natën, dhe pastaj pasi që Allahu ia ka mbuluar atë turp, ai, të nesërmen, u tregon njerëzve se si ka bërë këtë dhe atë. Allahu ia pat fshehur mëkatin e tij, kurse pastaj ai vet e ka grisur perden e Zotit (me të cilën ishte i mbuluar mëkati i tij).” (Muttefekun ‘alejhi)
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress.ch)