Husejn Ali Shejh
Synimi i realizimit të dashurisë ndër-muslimane, pa dyshim, është një nga qëllimet më sublime të sheriatit. Allahu i Plotfuqishëm thotë:
“Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër …” (el-Huxhurat, 10).
Kurse Pejgamberi (savs), në këtë kontekst thotë:
“Shembulli i muslimanëve në dashurinë dhe dhembshurinë e tyre të ndërsjellë, është si shembulli i një trupi të vetëm. Nëse sëmuret njëri prej organeve të tij, i tërë trupi vuan nga pagjumësia dhe ethet.” (Transmeton Muslimi)
Një nga kushtet parësore, të cilat duhet të përmbushen, në mënyrë që dashuria në mes muslimanëve të jetë e mundur dhe e arritshme, është pastërtia zemrave të tyre, si dhe eliminimi i formës më të vogël të urrejtjes, zilisë dhe keqbërjes.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Edhe ata që vijnë pas tyre – thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve; O Zoti ynë, Ti je, me të vërtetë, i mirë dhe mëshirues!” (el-Hashr, 10)
Nuk është e mundur të kihet sukses në ahiret ose të hyhet në xhenet, përveçse me zemër të pastër dhe të paprishur, në të cilën nuk ka as urrejtje, as zili dhe as ndonjë formë të keqdashjes ndaj muslimanëve.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Në Ditën kur nuk do të bëjë dobi as pasuria as djemtë, – por do të bëjë (ketë) dobi (vetëm) ai që vjen me zemër të pastër te Allahu.” (esh-Shu’ara, 88)
Në një rast është pyetur Pejgamberi (savs): ‘Kush është më i miri nga të gjithë njerëzit?‘
Meqë rast, ai u përgjigj: “Secili njeri me zemër të paprishur dhe me gjuhë të sinqertë.”
Ata i thanë: ‘Ne e dimë se cili njeri është me gjuhë të sinqertë, por cili njeri është me zemër të paprishur?’
Dhe ai tha: ‘Ai është një njeri i pastër dhe i devotshëm, i cili largohet nga mëkatet, dhe i cili nuk ka zili apo keqdashje në vetvete.” (Ibn Maxhe)
Një nga gjërat që e shkatërron dashurinë ndër-muslimane është edhe bartja e fjalëve të njerëzve të tjerë. Për këtë Pejgamberi (savs), ka thënë:
“Në xhenet nuk do të hyjë nemmami”, dmth. një person i cili i përcjell fjalët e njerëzve të tjerë me qëllim që të mbjell konfuzion, armiqësi dhe urrejtje mes muslimanëve.
Duhet ta dimë se çdo fjalë e shëmtuar dhe çdo fjalim i papërshtatshëm, shkakton mos durim dhe urrejtje, i përlyen zemrat e pastra dhe të paprishura. Për këtë Allahu i Plotfuqishëm thotë:
“Thuaju robërve të Mi, le të flasin atë që është më e bukur. Me të vërtetë, shejtani mbjell ngatërresa në mes tyre. Me të vërtetë, shejtani është armik i hapët i njeriut.” (el-Isra, 53)
Vëllezër të dashur, le tu shmangemi diskutimeve të panevojshme dhe të kota, sepse edhe ato fusin intolerancë dhe urrejtje mes muslimanëve. Imam Maliku ka thënë: “Diskutimi bëhet shkak që zemrat të bëhen të ashpra dhe të dhunshme, dhe kjo gjë shkakton mjerim mes njerëzve.”
Të dashur vëllezër, le të jenë moto e jetës sonë, që do të na udhëheqë në të gjitha segmentet e jetës, fjalët e Pejgamberit (savs): ” Askush prej jush nuk do të ketë besim të mirëfilltë, derisa për vëllanë e tij musliman të dëshirojë atë që dëshiron për vetvete.” (Muttefekun alejhi)
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress.ch)