Respektimi i prindërve dhe bamirësia ndaj tyre është një nga mënyrat më të mira të suksesit dhe të shpëtimit. Ky është një ibadet, i cili ka vend shumë të lartë në Islam. Për ta treguar madhësinë e këtij ibadeti, është e mjaftueshme, të theksojmë se Allahu i Plotfuqishëm, bamirësinë ndaj prindërve e ka urdhëruar menjëherë pas urdhrit për tevhid dhe ibadet vetëm për Allahun, duke thënë:
“Zoti yt ka urdhëruar që ta adhuroni vetëm Atë dhe t’u bëni mirësi prindërve. Nëse njëri prej tyre, ose të dy, arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre: “Uh!”, dhe mos i kundërshto ata (me fjalë të këqija), dhe drejtohu atyre me fjalë respekti.
Lëshoj para tyre krahët tuaj të përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë edukuar kur isha unë i vogël!” (el-Isra, 23-24)
I Dërguari i Allahut (savs), i ka urdhëruar dhe inkurajuar muslimanët që ta kryejnë këtë ibadet në shumë hadithe të tij. Kështu, Abdullah ibn Amër ibn As (r.a.), transmeton se një burrë erdhi tek Pejgamberi (savs) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë kam ardhur që t’ju jap besën për hixhret (se do të bëj hixhret) dhe i kam lënë prindërit e mi duke qarë për këtë.” Pejgamberi (savs) i tha: “Kthehu dhe bëri të qeshin, ashtu siç i ke bërë të qajnë!” (Nesaiu)
Muslimani duhet të jetë i vazhdueshëm në bamirësi ndaj prindërve të tij edhe pas vdekjes së tyre. Allahu i Plotfuqishëm nga mëshira e Tij e pafund, i ka hapur rrugët e bamirësisë ndaj prindërve dhe besimtarëve ju ka mundësuar që tu bëjnë bamirësi prindërve derisa janë gjallë, por edhe pas vdekjes së tyre. Pejgamberi (savs) na ka shpjeguar se istigfari, të cilin e lexojmë dhe sadaka të cilën e japim për prindërit tanë, mund të sjellin dhe të sigurojnë shumë sevape dhe shpërblim të madh prindërit tanë pas vdekjes së tyre. Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë:
“Njeriut do t’i rriten gradat në xhenet, dhe ai do të pyes: ’Prej nga kjo?’ Atij do t’i jepet kjo përgjigje: ‘Kjo është nga istigfari i fëmijës tënd për ty.” (Ibn Maxhe)
Transmetohet nga Aishja (r.a.), se një njeri erdhi tek Pejgamberi (savs) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime papritmas vdiq dhe nuk la testament. Më duket se, nëse do të mund të fliste, ajo do të ndante sadakë. A do të ketë ajo, sikurse edhe unë, shpërblim nëse unë jap sadakë për të?” “Po”, iu përgjigj Pejgamberi (savs). (Ibn Maxhe)
*****
Tregim: Nuk po mund ta lë pa e përmendur këtu rastin e një muslimani i cili ka treguar:
“Isha me një shokun tim, kur ai i shpërndante të hollat nga paga e tij modeste, duke i numëruar: ‘100 euro fëmijës për shkollim, 200 euro për nevojat shtëpiake, 20 euro për nënën time dhe 20 euro për babain tim.’
Unë i thashë: “Ndalu, ndalu pak! A nuk më ke thënë se babai dhe nëna jote kanë vdekur shumë kohë më parë?!”
Ai u përgjigj me buzëqeshje në fytyrë: “Po, prindërit e mi kanë vdekur, ata janë në dhé prej kohësh, por në zemrën time ata kurrë nuk do të vdesin. Unë mendoj se bamirësia ime për ta tani është më e nevojshme, prandaj rregullisht unë jap sadakë për nënën time dhe babain tim.”
/Abdusamed Nasuf Bushatliq
Përkthim: Miftar Ajdini