Në Instagram dhe FB mund të jesh kushdo që dëshiron, por…

1449

A janë një mijë ndjekës në IG dhe FB më të rëndësishëm për ne sesa mendimi i gruas, i burrit, nënës, fëmijës, vëllait, të tjerëve…?!

Edhe unë i ndjek ndodhitë në FB, IG sikur edhe shumica ditëve të sotme. Edhe unë sikur të tjerët i kam pjesë të përditshmërisë sime. Sikur njeriu të thellohet pakëz në mendime do të fillojë ta kuptojë në çfarë mashtrimi, iluzioni dhe katastrofë njerëzore jeton…

Ne vazhdimisht bëjmë përpjekje për të qenë diçka që nuk jemi, ndonjë projeksion, model… diçka që në të vërtetë nuk jemi. Nuk është jeta ajo sekondë që e shpallim një postim dhe as buzëqeshja në fytyrë që e paraqesim, nuk është ajo jeta, por ato janë vetëm sekuenca të parashikuara të jetës.

Dhe ç’bëjmë në fund?!

Fillojmë të mundohemi që ta jetojmë sa më mirë jetën mashtruese, dhe gjithnjë e më tepër ta injorojmë botën e vërtetë. Ndërsa komunikojmë me njëmijë njerëz, duke i kënaqur iluzionet e rreme, duke përfituar pëlqimet (like) dhe komentet, jeta jonë e vërtetë dhe e atyre që jetojnë përreth nesh fillojnë të vyshken, të shemben, ta humbin kuptimin…

Që trishtimi të jetë akoma më i madh, njeriu bën çmos ta paraqitet ashtu siç tregohet. Ai investon burime, blen celularët më të ri, rrobat e fundit me markë, përgatit ushqime të shijshme, ha nëpër restorante, bën vendosjen e fotografive…

Çfarë fotografi?!

Edhe atëherë kur nuk është e rrejshme, sërish ajo nuk e paraqet jetën por vetëm një sekuencë të saj. Ato fotografi nuk kanë emocione, pas atyre fotografive fshihen një mijë çudira të cilat quhen jetë. Është e trishtueshme ndërsa përpiqemi rreth jetës së rreme dhe largohemi nga jeta e vërtetë.

A thua është me rëndësi pëlqimi, mbresa… ndërsa ik nga jeta e vërtetë?!

Një mijë ndjekës në IG dhe FB janë më të rëndësishëm se mendimi i gruas, i burrit nënës, fëmijës, vëllait, të tjerëve…

Influencuesit.

Çfarë janë influencuesit?!

Sipas disa përkufizimeve, ato janë njerëzit që ne i ndjekim dhe të cilët, përmes veprimeve të tyre (foto / klipe), na japin udhëzime si të jetojmë.

Çfarë lloji janë?! Ekzistojnë edhe të mirë edhe këqij, por sikur edhe në punët e tjera, shumica janë të këqij.

Na mësojnë të lozim lojëra të ndryshme, të bartim aksesore të shtrenjta dhe me marka, synojmë veturat hapësinore, ushqehemi si perandorët romakë… po kush e edukon shpirtin?! Vetëm një pakicë.

Ndërsa fëmijët kërkojnë influencues, prindërit e kanë humbur lojën, sepse ata i kanë influencuesit e tyre, dikë me recetë më të mirë, jetë më të mirë dhe me pamje të shkëlqyer në monitorin gjashtë polesh.

Deri sa kërkojmë kush do të na influencojë përmes celularëve në jetët tona reale, e harrojmë mësuesin më të mirë, influencuesin e vërtetë.

E harruam birin më të madh të njerëzisë i cili ishte influencues i vërtetë, ai i cili me ndihmën e Allahut i ndryshoi jetët e njerëzve të asaj kohe. Deri sa ai mësues ishte i gjallë, ata e ndryshuan mënyrën e fjetjes, të ushqyerit, sjelljes, marrëdhëniet ndërnjerëzore, tregtisë, edukimit… u ndryshuan në të mirë nga themeli.

E dimë të gjithë kush ishte ai

Muhammedi salAllahu alejhi ue sel-lem, paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij të ndershme. Si i Dërguar i fundit, si njeri i njohur pa vepra të liga, pa të meta, me sjelljen më të mirë, luftëtar i sinqertë për mirëqenien njerëzore, të sinqertin i cili brengosej për Ummetin që i është dhënë në emanet.

Kush janë udhëheqësit tanë dhe kush jemi ne, a i ngjasojnë të Dërguarit të Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem?

A thua do të lejonte ai të ketë njerëz të varfër, të ngrirë nga të ftohti? A thua do të lejonte që qenia njerëzore të flenë në deponi të plehrave?

Ndërsa në rrjetet sociale mund të pretendojmë të jemi kush dëshirojmë, le të pyetemi kush jemi në jetën reale dhe çfarë do të ndodhte sikur çdonjëri prej nesh të mundohej të jetë ajo që dëshiron.

Çdo dëshirë kërkon angazhim, edukim, kohë dhe është shumë më e vështirë sesa fotografitë e rastit në Instagram dhe FB.

Unë jetoj me shpresë se ndikuesi im i vetëm në këtë botë do të mbetet Muhamedi salAllahu alejhi ue sel-lem.

Akos.ba
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress.ch]