Nëse shejtani do të flinte vetëm një moment, krejt dynjaja do të merrte frymë, por … ai kurrë nuk fle dhe funksioni i tij është që t’i shpërqendrojë dhe devijojë njerëzit deri në atë masë, sa t’i bëjë jobesimtarë, që edhe është qëllimi i tij i fundit, siç thuhet në Kuran:
“Janë të ngjashëm ata me shejtanin kur i thotë njeriut: “Mos beso!” – e kur bëhet jobesimtar, atëherë ai i thotë: “Unë jam larg prej teje, unë, me të vërtetë, i frikohem Allahut, Zotit të gjithësisë!” (el-Hashr, 16)
Në komentimin e këtij ajeti thuhet se, bëhej fjalë për një të devotshëm, të cilin shejtani së pari e shtyri të pijë alkool, më pas e shtyri për të bërë zina, kurse më në fund e shtyri për ta mbytur një fëmijë, të cilin e lindi me atë grua, dhe krejt në fund kur vëllezërit e asaj gruaje zbuluan të vërtetën, deshën ta vrasin. Në atë proces, i vjen Iblisi si shpëtimtar, me kusht që ky t’i bënte sexhde atij dhe të bëhej jobesimtar! Dhe, kur krejt këtë arriti ta bëjë, shejtani e la vetëm. Ja, kështu i ka mashtruar shumicën, andaj Allahu këshillon që të marrim mësim.
Është interesante që shejtani ka frikë nga Allahu i Plotfuqishëm, dhe madje edhe më e çuditshme është se Allahu e mallkoi atë, jo pse nuk e pranoi Allahun, por pse nuk bëri sexhde. Tani imagjinoni që njeriu edhe shejtanit ia kalon, edhepse, do të jenë së bashku në xhehenem, sepse, të mos biesh në sexhde, do të thotë, të jesh i pabindur dhe të bëhesh jobesimtar (kafir).
Tregohet se shejtani dhe një bandit – musliman, kishin udhëtuar së bashku tërë ditën, por më në fund shejtani e kishte braktisur duke i thënë: “Ti qenke më i keq se unë, unë nuk rashë në sexhde një herë dhe u mallkova përgjithmonë, kurse ti, ja tërë ditën me mua, dhe nuk e fale asnjë namaz.” /Hfz. Husejn Čajlaković/
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)