Përgjigje në disa dilema rreth agjërimit

2073

Autor: Ahmed Purdić

Duke qenë se çdo vit gjatë ramazanit besimtarët përballen me shumë dilema rreth agjërimit, në këtë tekst, ne do të ofrojmë përgjigje për disa prej tyre.

Shumica e përgjigjeve janë marrë nga rezolutat e Akademisë së Drejtësisë Islame në Xhedë, nga fetvatë e dr. Enes Ljevaković, fetva-i emin, nga veprat e dr. Jusuf el-Kardavit dhe dr. Mustafa Hasanit.

Që në fillim, është e rëndësishme të kujtohet përkufizimi i të drejtës së sheriatit mbi agjërimin, sepse në bazë të tij mund të zgjidhen shumë dilema rreth agjërimit… Juristët islamë thonë se agjërimi është abstenim i vetëdijshëm nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime nga agimi deri në perëndimin e diellit.

Dilemat rreth nijetit – qëllimit

Në Islam, nijeti e përcakton kuptimin e vërtetë të çdo akti, sepse me nijet ndahen veprat të cilat kryhen nga devotshmëria, nga veprimet të cilat kryhen, thjeshtë, nga shprehia apo zakonet njerëzore. Tek agjërimi ekzistojnë dy mënyra të nijetit: (1) në fillim të muajit, është nijeti i përgjithshëm se do të agjërohet i tërë muaji ramazan, dhe (2) pastaj çdo natë, para agimit, bëhet nijet i veçantë për ditën e nesërme. Vetë akti i ngritjes në syfyr trajtohet si veprim me të cilin shprehet qëllimi për të agjëruar dhe ai është i mjaftueshëm si nijet. Shqiptimi i nijetit me gjuhë nuk është i detyrueshëm, kurse ata që e arsyetojnë, thonë se ai synon t’i ndihmojë njeriut, që nijetin, i cili është i vendosur në zemrën e njeriut, se do të agjërojë për Allahun e Plotfuqishëm, ta forcojë edhe me shprehje verbale. Nëse një person e bën nijet gjatë natës dhe bie në gjumë, pastaj zgjohet përsëri para agimit, nuk ka asnjë pengesë që në rastin e përmendur të hajë syfyr në mënyrën e zakonshme dhe përsëri ta bëjë nijet për agjërim.

Prej çka duhet të abstenojë agjëruesi

Nga definicioni shihet qartë se thelbi i aspektit material të agjërimit është abstenimi nga tre lloje të dëshirave: ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime. Të gjithë dijetarët islamë, krahas këtyre tre dëshirave themelore, i shtojnë edhe “ato që janë në kategorinë e ushqimit dhe pijeve”, dhe mendohet në dëshirat e caktuara, me të cilat njerëzit janë mësuar, edhepse nuk i përkasin ushqimit dhe pijeve, si duhani, droga, etj.

Gjatë agjërimit, ndonjëherë ndodhin shkelje të caktuara, veçanërisht në ditët e para të ramazanit, derisa njerëzit të mësohen. Këto shkelje, sipas qëllimit të agjëruesit, mund të klasifikohen në tri kategori.

Kategoria e parë: – janë shkeljet më të rënda të cilat shkaktojnë prishjen e agjërimit dhe ajo shkelje duhet të korrigjohet me pagesë, me të a.q. keffaret, dhe kjo ndodh në dy raste. Rasti i parë është nëse diçka hahet qëllimisht ose pihet, kurse rasti i dytë është nëse kryhen marrëdhënie intime gjatë agjërimit. Në të dyja këto rastet e përmendura, agjërimi është prishur, sepse konsumimi është bërë me qëllim, me vetëdije, pa pasur nevojë për të. Kur agjëruesi këtë e bën pa justifikim të sheriatit, është i detyruar për atë shkelje të paguaj keffaret. Keffareti përbëhet nga 60 (gjashtëdhjetë) ditë agjërim radhazi, plus një ditë më shumë, dmth, ditën kur agjërimi është prishur me shkelje.

Kategoria e dytë: – janë shkeljet e një natyre më të lehtë, të cilat kanë rezultuar me ndërprerjen e agjërimit pa qëllim për të kryer mëkat, siç është ngrënia e agjëruesit me gabim, p.sh. duke menduar se ka hyrë koha e iftarit, ndërsa rezulton të jetë e kundërta, ose konsumon ushqim dhe / ose pije pas agimit duke menduar se akoma nuk ka hyrë koha e imsakut, ose nëse agjëruesi mendon se me ndonjë veprim e ka prish agjërimin e tij, dhe më pas ha, ose ejakulon me qëllim si rezultat i vetëkënaqësisë, ose nëse vjen deri te ejakulimi gjatë përkëdheljes dhe ngacmimit të bashkëshortëve, ose nëse shkaktohet qëllimisht vjellja në sasi të madhe, dmth, “me plotë gojën” pa pasur nevojë, etj. Në këto situata, agjërimi prishet dhe personi është i detyruar ta kompensojë vetëm atë ditë pas ramazanit. Gjithashtu, është e detyruar ndalesa nga konsumimi i ushqimit dhe pijeve deri në fund të asaj dite, duke respektuar në këtë mënyrë nderimin e muajit ramazan.

Kategoria e tretë: – janë shkeljet që bëhen nga harresa. Ato nuk e prishin agjërimin. Nëse agjëruesi ha ose pi gjatë agjërimit, duke harruar se është duke agjëruar, pastaj i kujtohet dhe e ndërpret ngrënien ose pirjen, duke e nxjerrë nga goja atë që ka në gojë në atë moment, agjërimi i tij është i vlefshëm dhe ai e vazhdon agjërimin. Njësoj është edhe me shkeljet e tjera të bëra me harresë, kështu që ejakulimi që ndodh në gjumë nuk e prish vlefshmërinë e agjërimit, sepse nuk është shkaktuar me vullnetin e agjëruesit, etj.

Kryerja e mëkateve gjatë agjërimit

Përveç aspektit material, ekziston edhe aspekti edukativ i agjërimit, sipas të cilit agjëruesit i ndalohen veprimet mëkatare që manifestohen përmes kryerjes së haramit, siç janë: gënjeshtrat, thashethemet, mallkimet, pirja e alkoolit, shikimi i avretit të dikujt tjetër…, ose braktisja e farzeve (obligimeve), siç është mosfalja e namazit, veshja e pahijshme etj. Këto veprime janë të ndaluara edhe jashtë ramazanit, kurse gjatë agjërimit, ndalimi i tyre është edhe më i madh. Kryerja e mëkatit gjatë agjërimit është shenjë, se agjërimi nuk e arrin qëllimin e tij të plotë, por thjesht e plotëson vetëm formën. Megjithatë, mëkatet nuk e prishin agjërimin, edhepse e dëmtojnë dhe e zvogëlojnë shpërblimin e tij. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Ka shumë agjërues, të cilët nga agjërimi i tyre nuk kanë asgjë tjetër përveç urisë dhe etjes.” Në një hadith tjetër, Pejgamberi (savs), thotë: “Kush nuk e lë gënjeshtrën dhe veprimin me të, Allahu nuk ka nevojë që ai ta le ushqimin dhe pijen e tij.” (Buhariu, 6057)

Këto dhe hadithe të tjera të ngjashme na paralajmërojnë se agjërimi duhet të lërë gjurmë në veprimet tona, dhe se duhet të agjërojmë me të gjitha organet dhe me tërë qenien, dmth. duhet të përmbahemi nga gjithçka që është e ndaluar. Por askush nuk është imun ndaj mëkateve, sidomos ndaj atyre që kryhen me gjuhë. Prandaj, nëse agjëruesi kryen disa mëkate që nuk nxjerrin nga feja, shpërblimi i  agjërimit të tij do të zvogëlohet, por, formalisht, agjërimi i tij nuk është i prishur, dhe ai nuk është i obliguar ta agjërojë (përsëri) atë ditë. Se a do të pranohet agjërimi i tillë nga Allahu, kjo është pyetje tjetër. Për këtë vendos Allahu. Allahu shpërblen për veprat e mira, fal dhe ndëshkon për mëkatet; kjo është në kompetencën e Tij. Ne nuk mund t’ia mohojmë atij që kryen ndonjë mëkat – dhe çdokush në diçka kryen mëkat – të drejtën dhe obligimin për të kryer cilindo ibadet dhe të shpresojë në mëshirën e Zotit. Allahu askënd nuk e ka përjashtuar nga mëshira e Tij përveç shejtanit dhe ata që vdesin si jobesimtarë. Ai, nuk do ta falë në botën e ardhshme, siç thotë në Kuran, atë që i ka bërë shirk Atij, ndërsa do ta falë, cilindo mëkat tjetër përveç tij. “Ai që ka punuar ndonjë të mirë, qoftë ajo e vogël madje sa thërmia, do ta shohë atë, kurse ai që ka punuar të keqe, qoftë madje sa thërmia – do ta shohë atë.” (ez-Zelzele, 7-8)

Procedurat dhe veprimet e lejuara për agjëruesin

Siç shihet nga përkufizimi i agjërimit i përmendur më parë, agjërimi nënkupton abstenim të rreptë nga ngrënia, pirja dhe kënaqësia seksuale, kurse shumë veprime dhe procedura të tjera mbesin të lejuara. Kështu p.sh. agjëruesit i lejohet freskimi me ujë, dushi, larja, shpëlarja e gojës dhe hundës, larja e dhëmbëve, përdorimi i kozmetikës etj. Gjatë kryerjes së këtyre veprimeve, agjëruesi duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e tejkalojë kufirin e lejuar dhe ta prish agjërimin e tij. Në këtë kontekst është edhe rekomandimi i të Dërguarit të Allahut (savs), në të cilin thotë: “Dhe kur ta shpërlash  hundën, bëje atë plotësisht, përveç nëse agjëron.”

Kategoritë që lejohen të mos agjërojnë

Siç dihet, ekzistojnë arsye për shkak të cilave Allahu i Plotfuqishëm, liron plotësisht ose përkohësisht nga detyrimi i agjërimit. Këto arsye janë sëmundja, shtatzënia, gjidhënia, puna e vështirë dhe udhëtimi. Këtu do të shpjegojmë shkurtimisht çështjen e punës së rëndë fizike dhe sëmundjeve, sepse ato janë aktuale dhe ka shumë dilema rreth tyre.

Personat që punojnë punë të rënda fizike gjatë të cilave humbin sasi të mëdha të lëngjeve, ashtu që agjërimi mund ta rrezikojë shëndetin e tyre, kanë justifikim (uzur) që ta ndërprejnë agjërimin, kurse ato ditët e humbura t’i kompensojnë më vonë, sipas ajetit kuranor: “Ndërsa ai që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë aq ditë sa nuk i ka agjëruar) – Allahu ka bërë lehtësi për ju, e jo vështirësi e mundime…” (el-Bekare, 185)

Ajo që mund të çojë në sëmundje ose shërim të ngadaltë mund të ketë trajtim të sëmundjes. Në fundjavë apo pushime, nuk ka asnjë justifikim për të mos agjëruar.

Gjithashtu, juristët islamikë konsiderojnë se personat në raste të ngjashme duhet ta bëjnë nijet agjërimin, dhe mund ta ndërpresin agjërimin vetëm kur të ndjejnë vështirësi të mëdha për shkak të agjërimit. Përkatësisht, nuk do të ishte e drejtë nëse veprohet në kundërshtim me këtë që u tha më lartë, dmth, që ajo ditë të mos agjërohet fare për shkak të punës së planifikuar, sepse Allahu i Plotfuqishëm, mund të mundësojë që të agjërohet bukur ose që të shtyhet puna e planifikuar, ose për diçka të bëhet e pamundur.

Sëmundja për shkak të cilës lejohet mos agjërimi është ajo sëmundje, e cila agjëruesit i shkakton probleme të mëdha dhe dhimbje, ose përkeqësohet për shkak të agjërimit, ose shërohet më ngadalë. Vlerësimin e gjendjes së tillë e bën vetë personi në bazë të përvojës së tij, ose në bazë të mendimit të një mjeku të besueshëm musliman. Të gjithë juristët islamikë pajtohen se ekzistojnë dy lloje të pacientëve të cilëve u lejohet të mos agjërojnë: (1) pacientët me sëmundje të përhershme dhe (2) pacientët me sëmundje akute. Ata me sëmundje të përhershme, të pashërueshme për çdo ditë të humbur të agjërimit të ramazanit duhet të japin nga një fidje, dmth. duhet ta ushqejnë nga një njeri të varfër. Lloji i dytë i pacientëve janë pacientët, të cilët kanë shpresë për shërim, dhe ata, për shkak të sëmundjes nuk do të agjërojnë gjatë ramazanit, por pas ramazanit do t’i kompensojnë ditët e humbura.

Duhet të theksojmë se personi që nuk agjëron për arsye të justifikueshme, nuk duhet ta shfaqë atë publikisht, kurse disa dijetarë, madje konsiderojnë se, nga respekti për nderin e muajit ramazan janë të detyruar të shmangën nga konsumimi publik i ushqimit ose pijeve. Duke marrë parasysh që ekzistojnë edhe sëmundje të vogla, me të cilat mund të agjërohet, dhe gjatë agjërimit mund të përdoren disa medikamente të caktuara dhe disa ekzaminime dhe trajtime mjekësore, ne këtu në vazhdim po t’i përmendim disa. Por, rekomandohet që mjeku musliman është i detyruar ta këshillojë pacientin rreth ekzaminimeve dhe trajtimeve mjekësore, dhe t’i propozojë atij shtyrje të formave e përmendura të ekzaminimit dhe trajtimit për pas iftarit ose pas ramazanit, nëse kjo nuk do të shkaktojë dëm dhe përkeqësim në gjendjen shëndetësore të pacientit.

Ilaçet dhe trajtimet mjekësore

Ilaçet dhe trajtimet mjekësore të cilat nuk e prishin agjërimin janë:

• Pikat për sy, pikat për vesh, shpëlarja e veshit, pikat ose llaku për hundë, nëse shmanget gëlltitja e substancës e cila futet në fyt;

• Tabletat të cilat vendosen nën gjuhë kundër asfiksit në gjoks (angina pektoris), ose ndonjë ilaç tjetër që përdoret në atë mënyrë, me kusht që të shmanget gëlltitja e substancës së ilaçit që futet në fyt;

• Trajtimi – gërryerja ose nxjerrja e dhëmbëve, heqja e gurësve, mbajtja e higjienës orale me furçë dhëmbësh ose misvak, duke shmangur gëlltitjen e asaj që futet në fyt;

• Shpëlarja e hundës, fytit ose përdorimi i tretësve të gojës dhe ilaçeve për trajtimin lokal të zgavrës së gojës, duke shmangur gëlltitjen e asaj që futet në fyt;

• Trajtimi me injeksion: intravenoz, nënlëkuror (aplikimi nënlëkuror i ilaçit) dhe muskulor, duke përjashtuar injeksionin e infuzionit dhe lëngjet;

 • Anestetikët e oksigjenit dhe inhalimit, përveç atyre që jepen në tretje të infuzionit;

• Substancat që absorbohen në trup përmes lëkurës: kremrat, mehlemet dhe arnat (lidhëset) të përbërësve kimikë dhe mjekësorë;

• Të vjella pa dashje, të paqëllimshme, për dallim nga të vjellat e shkaktuara me dashje.

• Instrumentet mjekësorë dhe mjetet ndihmëse që përdoren për ekzaminim vaginal: spekulumi, xheli për sondën e ultrazërit, mbrojtësi higjienik (kondomi për sondë), veprimet e përgjithshme të ekzaminimit gjinekologjik vaginal (gisht) etj .;

• Ekzaminimi i mitrës me spekulum ose me sondë ultrazëri përmes kanalit vaginal;

• Futja e kateterit në kanalet e urinës ose futja e kontrastit në kanale për ekzaminim radiologjik, injektimi i ilaçit përmes kanaleve urinare, ose vendosja e vaginaletes në vaginë, ose shpëlarja e kanaleve të urinës (fshikëzës).

preporod.com

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)