Ata që japin sadaka janë si dëshmorët…

1622

Ata që japin sadaka janë si dëshmorët, për ta nuk ka frikë, për ta nuk ka as frikë as pikëllim

Duke e shikuar mikun e tij, i cili me bujari po u ndante nga paratë e tij njerëzve të varfër dhe nevojtarë në këtë kohë krize dhe pasigurie, ai i tha:

“A nuk ke frikë se kjo krizë mund do të zgjasë? Pse po u jep kaq shumë para të varfërve, ndoshta edhe ti mund të kesh nevojë?”

Në vend të përgjigjes së pritshme –

“Sadaka nuk e pakëson pasurinë”; ose  “Ndihmoni të tjerët, dhe Allahu do t’ju ndihmojë juve”

– ai u befasua nga fjalët e mikut të tij bujar, i cili tha:

“O miku im, a nuk e din ti se ata që e ndajnë pasurinë e tyre në emër të Allahut, janë si dëshmorët, për ta nuk ka as frikë as pikëllim.”

Në fakt, Allahu i Plotfuqishëm duke iu referuar atyre që e ndajnë pasurin e tyre në rrugën e Tij, ka shpallur në Kuran:

“Ata që për hir të Allahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje, ata e kanë shpërblimin e vet të Zoti i tyre, për ta nuk ka frikë, ata as që do të brengosen.” (el-Bekare, 262)

Gjithashtu edhe: “Ata, të cilët pasurinë e tyre e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë të Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë, as pikëllim.” (el-Bekare, 274)

Ndërsa duke iu referuar dëshmorëve, Allahu i Plotfuqishëm në Kuran thotë: “Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar për atë që ua ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe sihariqohen me ata të cilët ende nuk u janë bashkuar (shoqëruar) dhe që kanë ngelur pas tyre, meqë nuk do të ketë kurrfarë frike dhe të cilët për asgjë nuk do të pikëllohen.” (Alu Imran, 169-170)

saff.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

(islampress)