Meqë në këtë periudhë falemi nëpër shtëpitë tona dhe shpeshherë ngjet të jemi vetëm 3 namazlinj meshkuj, në këtë rast njëri bëhet imam dhe dy tjerët ngelen xhematlinj. Tani, sipas hanefive në cilën formë duhet të qëndrojnë këta dy xhematlinj në raport me imamin e tyre?
1. Forma e parë: Njëri qëndron në të djathtë të imamit dhe tjetri në të majtë të imamit.
2. Forma e dytë: Të dy rreshtohen në një saf të plotë pas imamit.
Forma e parë është mendimi i imam Ebu Jusufit dhe ky argumentohet me një rast që transmetohet nga Abdullah bin Mesudi në Sahihun e imam Muslimit.
Ndërsa forma e dytë është mendimi i imam Muhamed bin Hasenit dhe njëherit ky është edhe qëndrimi zyrtar i medhhebit hanefi në secilin libër të tijin. Kjo formë argumentohet me veprimin e Pejgamberit salallahu alejhi ve selem që e transmeton gjithashtu imam Muslimi në Sahih, në të cilin Xhabiri radiallahu anhu tregon: “U lidha në të majtën e Pejgamberit salallahu alejhi ve selem dhe ai më kapi për dore dhe më rrotulloi derisa më solli në të djathtën e tij. Pastaj erdhi Xhebar bin Sahri dhe u lidh në të majtën e Pejgamberit salallahu alejhi ve selem dhe Pejgamberi na kapi të dyve për duarsh (dhe na shtyu) derisa dolëm pas tij”. Ndërsa, transmetimi i Ibni Mesudit ka shpjegime tjera me të cilat nuk do ta zgjasim më shumë këtë shkrim.
—-
Mirë, e cili është vendimi fetar (hukmi) për këto dy forma?
Imam Haskefiu në “Durr” deklaron: Nëse imami qëndron mes dy xhematlinjve, kjo është mekruh tenzih. E nëse qëndron në mes të më shumë se dy personave, ahëterë kjo është mekruh tehrimen. Durrul Muhtar, fq. 78.
Imam Ibni Abidini kur e analizon këtë deklaratë thotë se, qëndrimi i imamit në mes dy xhematlinjve sipas mendimit më të saktë është mërkuh tenzihen. Hashijeh, vol. I, fq. 567.
—-
Shkurt e shqip, kur me imamin janë vetëm 2 xhematlinj, atëherë:
1. Forma më e pëlqyer është që këta dy xhematlinj të qëndrojnë tërësisht pas imamit në një saf të veçantë.
2. E nëse qëndrojnë njëri në të djathtë të imamit e tjetri në të majtë, kjo është mekruh tenzihen, pra nuk është forma e pëlqyer e namazit edhe pse namazi si namaz është në rregull.
Hazir Selmani – marre nga profili ne FB