A e dini se çka do të thotë, në të vërtetë, ‘musliman i ramazanit’?
A e dini se çka do të thotë, në të vërtetë, ‘musliman i ramazanit’? Kjo do të thotë, se ka një person që i beson Zotit, i cili i kthehet Atij në ramazan. ‘Musliman i ramazanit’ është dikush që kthehet në shtëpinë e Allahut në këtë kohë të veçantë të vitit, duke e kërkuar Atë, duke e adhuruar Atë, duke konfirmuar se aty gjenden ata që besojnë në Të.
‘Musliman i ramazanit’ është dikush që me vetëdije vendos ta bëjë ramazanin prioritet në jetën e tij. Ai është dikush që dëshmon besimin e tij dhe përpjekjet e tij për të adhuruar Allahun, përkundër çdo gjëje me të cilën lufton në jetën e tij. Fakti që ky person pendohet në ramazan, është dëshmi që Vetë Allahu i është drejtuar atij, dhe se Ai dëshiron ta pranojë atë.
Personi që e bën ramazanin muajin në të cilin do të kthehet tek Allahu, nuk është personi të cilin duhet ta gjykojmë. Ai është dikush, përpjekja e të cilit duhet të njihet.
Ju nuk e dini se si është jeta e këtyre njerëzve, apo çka i ka shtyrë ata në vendimet që i kanë marrë në jetën e tyre.
Ju nuk e dini, nëse mund t’i merrnit të njëjtat vendime, të cilat i gjykoni, nëse do të ishit në të njëjtën situatë. Dhe, ju nuk e keni idenë, se cili është statusi i tyre tek Allahu.
Njihni këtë person ashtu siç është – një besimtar që ka shpresë tek Allahu. Dhe Allahu nuk do ta lërë kurrë vetëm një person i cili mbështetet në Të. Prandaj mos u bëni ata që përpiqen t’i largojnë njerëzit nga dera e mëshirës së Allahut, të cilën Ai, i Gjithëmëshirshmi e ka hapur gjerësisht, sepse është e pamundur të mbyllet dera e mëshirës së Allahut, kur Ai, e hap për robin e Tij.
“Derisa faleni, ju trokitni në derën e Allahut, dhe kush troket në derën e Allahut, Allahu do ta hapë për të.” (Ibn Kajjimi)
Merjem Amirebrahimi; IslamBosna.ba
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)