O besimtarë, kujdesuni për veten tuaj

1867

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Salavati dhe selami qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të respektuar!

Allahu i Madhërishëm, urdhëron e thotë:

“O besimtarë! Ruane veten tuaj! Nëse jeni në rrugën e vërtetë, nuk do t’ju dëmtojë ai që është i humbur. Te Allahu të gjithë do të ktheheni, e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar.” (el-Maide, 105)

Në këtë ajet, Allahu i Plotfuqishëm, duke ju drejtohet besimtarëve, na porosit me tri gjera. Porosia e parë është kjo:

1.  “O besimtarë! Ruane veten tuaj!”

Kujdesi i vërtetë për vetveten nuk është vetëm të sigurosh për vete shtëpi të mirë, automobil të mirë, rroba të mira, pushime verore, dimërore…, por, kujdes i vërtetë për vetveten është zgjedhja e vetëdijshme për ta ndërtuar një jetë, nga e cila nuk do të duhet të ikim herë pas here; një jetë, për të cilën nuk do të turpërohemi dhe pendohemi, një jetë, për të cilën bijtë dhe nipërit tanë do të flasin me krenari, kur ne të shkojmë nga kjo botë.

Për çka do të flasin djemtë, nipërit tanë, nëse jeta jonë reduktohet në imoralitet, nëse pensionin dhe pagën e shpenzojmë nëpër bastore dhe kafene, nëse kohën e çmuar e shpenzojmë duke shkuar nëpër gjykata për shkak të disa metrave të megjës, duke i shqetësuar familjet dhe fqinjët. Për çfarë do të flasin ata?

Në raste të tilla, ata nuk kanë çka të flasin, por vetëm duhet t’i bëjnë lutje Allahut, që të na merr sa më shpejt, dhe pasi tu pranohet lutja, ta falënderojnë që Allahu i ka çliruar nga ato për të cilat kishin turp para botës. Pasha Allahun, kam dëgjuar fëmijë duke e falënderuar Allahun që ia mori prindin e tij, më shumë sesa që e falënderon për çkado tjetër, dhe kjo, vetëm për shkak se (prindi) nuk është kujdesur për veten e tij, dhe për shkak të sjelljes jo të mirë të tij ndaj njerëzve, dhe për mënyrën e tij të jetës.

Të kujdesesh për veten tënde, do të thotë, mos ta justifikosh jetën tënde të çorganizuar, por të fillosh ta quash me emrin e saj të vërtetë, me emrin e imoralitetit, dembelizmit…

Të kujdesesh për veten tënde, do të thotë, ta pranosh vetveten si të papërsosur dhe të përballesh me gabimet, dështimet dhe zhgënjimet e jetës tënde.

Të kujdesesh për veten tënde, do të thotë, të kujdesesh për nevojat e tua shpirtërore, fizike dhe sociale.

Themeli i kujdesit shpirtëror për vetveten gjendet në hadithin e Pejgamberit (savs), ku thotë: “Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla): Mbi dëshminë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, mbi faljen e namazit, dhënien e zekatit, kryerjen e haxhit dhe në agjërimin e muajit ramazan.” (Buhariu dhe Muslimi)

Themeli i kujdesit fizik për vetveten gjendet në hadithin e Pejgamberit (savs), ku thotë: “Mësojani fëmijëve tuaj notin, përdorimin e harkut dhe shigjetës, dhe kalërimin.” Pra, merruni me sport. Edhe në ajetin e Kuranit: “Dhe mos e vritni vetveten (dhe njëri-tjetrin)! Allahu, me të vërtetë, është mëshirues për ju.”  (en-Nisa, 29)

Themeli i kujdesit shoqëror për vetveten gjendet në hadithin e Pejgamberit (savs), ku thotë: “Është më mirë për secilin nga ju të ngrihet herët, të merr një litar dhe të shkojë në pyll, pastaj të sjellë një barrë me dru dhe ta shesë, dhe ashtu Allahu i Plotfuqishëm ta ruajë nderin dhe dinjitetin e tij, sesa të lypë nga njerëzit, pavarësisht a i japin ata apo jo.”

Vëllezër të dashur!

Siç po shihet, të kujdesesh për vetveten nuk është vetëm kënaqësi, siç e paraqesin disa, por është rregull, punë, përpjekje dhe disiplinë e jashtëzakonshme.

Ai që kujdeset për vetveten, mund të kujdeset për të tjerët. Ndërsa ai që nuk kujdeset për vetveten, si mund të kujdeset për të tjerët?

Porosia e dytë e ajetit të lartë theksuar është:

2. “Nëse jeni në rrugën e vërtetë, nuk do t’ju dëmtojë ai që është i humbur “.

Ebu Davudi (r.h.), ka regjistruar rastin, kur Ebu Bekri (r.a.), pas falënderimit dhe lavdërimit për Allahun e Madhërishëm, ka thënë: “O njerëz, ju po e lexoni këtë ajet kuranor, por po e vendosni aty ku nuk e ka vendin: “O besimtarë! Ruajeni veten tuaj! Nëse jeni në rrugën e vërtetë, nuk do t’ju dëmtojë ai që është i humbur.” (el-Maide, 105) Ne e kemi dëgjuar të Dërguarin e Allahut (savs) duke thënë: “Kur njerëzit ta shohin një zullumqar dhe nuk e pengojnë në atë që bën, dhe nuk e kapin për dore për ta ndalë, dënimi i Allahut mund t’i prekë të gjithë!”

Vëllezër të respektuar!

Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja nuk është detyrim vetëm i hoxhës, dijetarit, profesorit… por është detyrim i të gjithë neve, pavarësisht nga zanati dhe profesioni ynë.

Pejgamberi (savs) thotë: “Kush e sheh një vepër të keqe, le ta largojë atë me dorën e tij, e nëse jo me dorë, atëherë le të mundohet me gjuhën e tij, e nëse as këtë nuk mund ta bëjë, atëherë atë vepër le ta urrejë me zemër. Kjo është shkalla më e ulët e besimit.” (Muslimi, nr. 49)

Nëse veprojmë në përputhje me hadithet e mësipërme, atëherë do të jemi të sigurt se e keqja e tyre nuk do të na dëmtojë, përndryshe do të përjetojmë ndëshkim së bashku me ata që e kanë bërë të keqen.

Ibn Abdul-Birr dhe të tjerë regjistrojnë transmetimin, se Allahu i Plotfuqishëm e urdhëroi një melek që ta shkatërronte një qytet ku kryheshin mëkate. Dhe meleku e pyeti: ‘O Zoti im, atje është filan i devotshmi, i cili vazhdimisht të bën Ty ibadet!’ Allahu tha: ‘Fillo prej tij, dëshiroj ta dëgjoj zërin e tij. Fytyra e tij kurrë nuk u skuq në emrin Tim (dmth. ai kurrë nuk u zemërua për shkak të mëkateve të njerëzve përreth tij).”

Kurse porosia e tretë dhe e fundit e ajetit është:

3. “Te Allahu të gjithë do të ktheheni dhe Ai do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar.”

Vëllezër të dashur!

Çdo gjë që bëjmë, qoftë e mirë apo e keqe, ne e bëjmë për vetveten. Allahu është i Mëshirshëm, por Ai gjithashtu ndëshkon ashpër.

O Zot, të lutemi na udhëzo në rrugën e drejtë dhe na e lehtëso llogarinë para Teje në Ditën e Gjykimit. Amin !!!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)