Milazim KRASNIQI
Realizmi socialist që nga lindja e vet si rrymë letrare ka qenë një rrymë e panatyrshme, sepse duke u imponuar nga ideologjia bolshevike dhe nga shteti totalitar sovjetik, në plan të parë e ka pasur imponimin e diktatit ideologjik mbi artin, e jo përjetimin dhe afirmimin e vlerave estetike. Objektivi kryesor i realizmit socialist, që nga akordi ndërmjet Stalinit e Gorkit në vitin 1932[1], për konstituimin e një modeli normativ letrar, ishte glorifikimi i socializmit dhe i atdheut ku ai u instalua për herë të parë dhe denoncimi i armiqve të socializmit e të BRSS-së. Rrjedhimisht, potenca e kësaj rryme ideo-artistike në denoncimin e Tjetrit, veçmas në letërsi, ishte shumë e fuqishme, sepse duke e ballafaquar botën e idealizuar të socializmit dhe të BRSS-së me botën tjetër, krijohej hapësira për përplasje të fortë të këtyre dy botëve, me epilogun ku socializmi dhe atdheu i tij, pashmangshëm konceptoheshin si fitimtarë. Kjo linjë ideologjike e realizmit socialist për konfrontimin me Perëndimin dhe me rrymat moderniste në art, ishte dominate që nga viti 1934[2], kur u miratua zyrtarisht në Kongresin e shkrimtarëve sovjetikë doktrina e re, por u bë shumë më agresive nga viti 1946, kur u imponuan dekretet e Zhdanovit për luftimin e ndikimeve të Perëndimit në art e në kulturë.
Me gjithë oscilimet dhe variacionet e veta, realizmi socialist esencialisht është brenda këtij kuadri, të cilin e ka skicuar Çeslav Milloshi:
“Realizmi socialist mbështetet në identifikimin e “së resë” me proletariatin dhe të proletariatit me Partinë. Ai paraqet qytetarë shembullorë, komunistë (të shkruar në Parti ose jo) – dhe armiq të klasës. Ndërmjet këtyre dy specieve tipike, janë ata që ngurrojnë, të cilët, sidoqoftë, sipas prirjeve që do të tregohen më të forta tek ata- duhet të kalojnë në njërin kamp ose tjetrin. Ky evoluim, që mbyllet me fitoren totale të së mirës ose me rrënimin moral përfundimtar, përbën (krahas figurave krejt të gatshme të njerëzve tanë dhe të armiqve) të vetmen temë të letërsisë.”[3]
Pikërisht në kohën kur triumfoi tërësisht platforma zhdanoviane brenda realizmit socialist, kjo rrymë letrare filloi të imponohej edhe në letërsinë shqipe. Pra, takimi i vërtetë i letërsisë shqipe me realizmin socialist ndodhi kur ai ishte në majat e militantizmit ideologjik, i instrumentalizuar edhe si kundërvënie ndikimeve nga bota perëndimore. Meqë letërsia shqipe pas Luftës së Dytë Botërore u mbështet masivisht në frymën ideologjike dhe tematike të letërsisë sovjetike, kjo gjë pati ndikimet e veta direkte edhe sa i përket injektimit të armiqësisë ndaj Perëndimit dhe ndaj letërsisë moderne.
Penetrimit të kësaj rryme ideo-artistike, kishin filluar t’ia hapnin rrugën vargjet e këngëve partizane gjatë luftës antifashiste. Disa nga autorët e këtyre teksteve si Andrea Varfi, Fatmir Gjata, Kolë Jakova, Qamil Buxheli, Shefqet Musaraj, Vehbi Bala, etj., më vonë u bënë figura të njohura të rrymës së realizmit socialist në letërsinë shqipe. [4]
Mirëpo, menjëherë pas instalimit të regjimit komunist në Shqipëri (1944), vendin e optimizmit militant të këngës partizane, e zuri vala e terrorit ideologjik e policor, me të cilën edhe u instaluan brutalisht konceptet e realizmit socialist mbi letërsinë shqipe.
Në valën e terrorit që shpërtheu, disa nga shkrimtarët e njohur si Anton Arapi, Bernardin Palaj, Lazër Shantoja, Ali Tomorri, Gjon Shllaku, u pushkatuan. Ndërsa numri i të dënuarve e i të ekskomunikuarve, si armiq, ishte shumë i madh. [5]
Eliminimi nga jeta publike e politike edhe i Sejfulla Malëshovës, ishte pika kulmore e këtyre taktikave të terrorit, që e imponuan me dhunë realizmin socialist në letërsinë shqipe, si rrymën zyrtare dhe të vetme.[6]
Pas asaj vale terrori, e cila e gjymtoi letërsinë shqipe, filloi etapa e konsolidimit të kësaj rryme, me anën e imponimit të dhunshëm të rregullave të doktrinës, po edhe të ofrimit të privilegjeve ndaj shkrimtarëve, që po bëheshin entuziastë të aplikimit të saj. Edhe në rastin shqiptar, pak a shumë është i njëjti model, që ka përshkruar Çesllav Milloshi në librin “Mendje e robëruar”, për mënyrat se si i rekrutonte shkrimtarët regjimi i “demokracive popullore”, me kombinimin e presioneve politike dhe të favoreve sociale e ekonomike.[7] Ndër detyrimet që merrnin përsipër shkrimtarët nga regjimi, krahas glorifikimit të ideologjisë komuniste dhe të udhëheqësve komunistë, ishte edhe pranimi që të portretonin armiqtë e socializmit dhe armiqtë e klasës, si të huaj, si armiq dhe veçmas Perëndimin dhe artin modern.
Bile përderisa në vitet pesëdhjetë, autorët prijatarë të kësaj rryme në prozë, Ali Abdihoxha, Dhimitër Shuteriqi, Kolë Jakova, Shefqet Musaraj, Fatmir Gjata e ndonjë tjetër, përpiqeshin me përparësi të krijonin mitin e figurës së partizanit dhe komunistit të pathyeshëm [8], në vitet gjashtëdhjetë filloi të forcohej më shumë linja zhdanoviste e denoncimit të Perëndimit dhe të artit modern si armiq të tërbuar të klasës, të partisë e të Shqipërisë. Theksimi i kësaj prirjeje ksenofobike, nën pretekstin e armiqësive të freskëta të luftës së fundit botërore, binte më së shumti mbi Italinë, Vatikanin e Gjermaninë, po edhe të tjerët. Perceptimi sipas të cilit italianët ishin injorantë e frikacakë, ndërsa gjermanët të pashpirt e torollakë, u ngrit në normë në disa nga veprat letrare po edhe kinematografike të kësaj periudhe. [9]
Qoftë dhe vetëm për këtë element tipik zhdanovist të portretimit negativ të Perëndimit, nuk mund të pranohet teza se gjoja në vitet gjashtëdhjetë kishte një largim të letërsisë shqipe nga rryma e realizmit socialist. E kundërta është e vërtetë. Në vitet gjashtëdhjetë realizmi socialist u konsolidua edhe më shumë, por u kamuflua me disa shkrimtarë të talentuar, si Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, por të cilët esencialisht ishin dhe mbetën shkrimtarë të kësaj rryme ideo-artistike. Ata nuk ishin vulgar në imponimin e stereotipeve ideologjike si pararendësit e tyre, por prapë ishin brenda asaj ideologjie. Ata e modifikuan në disa aspekte praktikën e realizmit socialist në letërsinë shqipe, por vazhduan ta aplikonin në treguesit e tij kryesorë ideologjikë. Pse ndodhi ai modifikim i lehtë?
Modifikimi i realizmit socialist në letërsinë shqipe në fillim të viteve gjashtëdhjetë ndodhi jo pse u shfaqën në letërsi disa shkrimtarë të talentuar në këtë kohë, por ngase në vitin 1961 u bë shkëputja politike e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik, me çka u kompromentua përvoja e deriatëhershme e imitimeve nga letërsia sovjetike. Megjithatë, u ruajtën dhe u kultivuan ata tregues ideologjikë që do t’i hynin në punë regjimit komunist shqiptar, ngase regjimi po e sforconte politikën e vetizolimit, për çka do t’i hynte në punë edhe fryma antiperëndimore në letërsi, si një armë ideologjike dhe propagandistike shtesë.
Në planin tematik, pas shkëputjes nga imitimet tematike nga letërsia sovjetike, u bë një kompensim i ndjeshëm, me futjen e disa temave nga jeta kombëtare, duke e shartuar ashtu socializmin me kombëtarizmin, me çka u krijua hapësira për ta glorifikuar edhe më lehtësisht Partinë e Punës dhe liderin e saj, Enver Hoxhën. Pse? Sepse rikthimi i temave nga e kaluara e lavdishme, ishte në funksion të krijimit të alibisë për glorifikimin enorm të figurës së Enver Hoxhës edhe në letërsi. [10]
Shqipëria e konfrontuar me botën dhe e izoluar prej saj, duhej të paraqitej e fortë, e lavdishme, mitike, e pathyeshme përballë të huajve, që pothuajse me automatizëm ishin armiq. Ajo ishte e vetëmjaftueshme dhe triumfuese. “Romani “Dimri i vetmisë së madhe” i Ismail Kadaresë është monument i këtij shartimi të socializmit e kombëtarizmit, për ta afirmuar socializmin në përmasa mitike dhe për ta paraqitur triumfues liderin e komunizmit shqiptar në përmasa legjendare.
Megjithatë, si një letërnjoftim që bëhet dëshmi e një identiteti, pikërisht në fillim të viteve gjashtëdhjetë, shfaqen tre vepra letrare të shkrimtarit më të afirmuar të letërsisë shqipe dhe të realizmit socialist, Ismail Kadaresë, të cilat ishin fort të ngarkuara me frymën realsocialiste të urrejtjes ndaj Tjetrit, veçmas ndaj botës imperialiste. Më 1962 Kadare botoi “Poemë blindazh”, 1962-1964 poemën “Përse mendohen këto male” dhe më 1963 romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur.” (Romani ‘Dasma” në vitin 1966 i bënë më shumë jehonë revolucionit kulturor kinez, se sa realsocializmit zhdanovist.) Në këto tre vepra letrare të Kadaresë, krahas evokimit të krenarisë kombëtare, edhe aty ku nuk ka fare vend për krenari, (varfëria ekstreme e shqiptarit dhe vetizolimi i tij, fjala vjen[11] spikatë fryma izolacioniste dhe ksenofobike, që tashmë ishte imponuar si politikë shtetërore nga regjimi komunist.
Poemat “Përse mendohen këto male” dhe “Poemë blindazh” të kësaj periudhe kohore, e kanë shumë të theksuar frymën ksenofobike. Kjo frymë kundër botës tjetër, spikatë posaçërisht në këto vargje të poemës “Përse mendohen këto male” të cilat në një mënyrë edhe i paraprijnë revolucionit kulturor dhe aksionit politiko-policor të vitit 1967 për ndalimin e besimeve fetare në Shqipëri:
Kryqi i Krishtit, gjysmëhënë e Islamit,
Peizazhet e tua kërkonin t’i ndanin.
Turqishtja e kuranit, e arabëve përçartja,
Logjika latine, me frazat e gjata
Përpiqeshin të shkurtonin pushkën e gjatë.
Dhe fjalët latinisht dhe fjalët arabisht
Mbi tytën e saj binin ndryshk[12]
Ndërsa, romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është ekzemplar tipik i kësaj fryme ksenofobike, ku spikatë urrejtja ndaj të huajve, sa edhe urrejtja e të huajve ndaj shqiptarëve, me çka sugjerohet vetizolimi që do të pasojë në vitet në vijim.
Romani edhe fillon me një fjali me ngarkesë të fortë denoncuese për Tjetrin, të huajin, që vjen në Shqipëri. Deri sa e hap perden për ta paraqitur në skenë gjeneralin, narratori nuk përdorë sintagmën “tokë shqiptare” që do të ishte më e logjikshme për një person të sapoardhur, po sintagmën “tokë e huaj”.
“Mbi tokën e huaj binte shi dhe dëborë përzier bashkë.”[13]
Pra, i huaji, i sapoardhuri, e emërton tokën ku vjen “tokë e huaj”, me çka përplasja identifikohet që në fjalinë e parë. Po ky narrator, pas tre fjalish thotë për gjeneralin:
“ Ai po vinte në Shqipëri nga një shtet i huaj, për tërheqjen e eshtrave të ushtarëve të vrarë në luftën e fundit dhe të shpërndarë në të katër anët e Shqipërisë.” [14]
Theksimi “tokë e huaj” përsëritet disa herë në roman, duke e identifikuar ndarjen ideologjike, morale dhe politike mes personazheve “tona” dhe “të huaja”. Në anën e të mirëve janë shqiptarët, që nga specialisti, punonjësit, fshatarët e deri te plaka Nicë, ndërsa në anën e të këqijve gjenerali, Prifti, gjeneralejtanti, Koloneli Z. (Vetëm një i huaj është pozitiv në roman, ushtari italian i dorëzuar, i poshtëruar, që shërben si shërbëtor.) Ashpërsinë me të huajin, me Tjetrin, si platformë ideologjike të realizmit socialist, Karareja e artikulon më së miri në dialogun ndërmjet gjeneralit e priftit, kur ata të dy flasin për shqiptarët. Ata në dialogjet e tyre portretohen si cinikë dhe armiqësorë ndaj shqiptarëve, që vetëm përkohësisht e fshehin urrejtjen:
-“Shqiptarët gjithmonë kanë pasur qejf të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin kur nuk kanë patur me kë të luftojnë. Keni dëgjuar për gjakmarrjen e tyre?”
– Domethënë, ky popull, me këtë etje që ka për asgjësim ose vetëasgjësim, është i destinuar të zhduket,- tha gjenerali.
– Natyrisht.
-Ne të dy i urrejmë ata, por tani për tani nuk e themi, se kështu është puna…[15]
Zbulimi i urrejtjes pothuajse raciste të të huajve ndaj shqiptarëve, është njëra nga linjat ideologjike të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sigurisht në unison me kërkesat e reja të regjimit, për ta sforcuar konfrontimin ideologjik me Perëndimin. Edhe batuta se mungon vetëm edhe një gjeneral me hoxhë, për të mbledhur eshtrat e ushtarëve turq, edhe kapitulli me plakën Nicë, i bëjnë jehonë ideologjisë komuniste shqiptare dhe frymës ksenofobike të realizmit socialist, për luftë kundër të gjithë të tjerëve.
Por, të huaj e armiq sipas këtij romani janë edhe kundërshtarët politikë e ideologjikë të regjimit komunist, gjë që e ilustron pyetja e fshatarit se a do të nxjerrin nga dheu edhe ballistët e vrarë e të dëbohen nga atdheu. Pra, kjo është platforma ideologjike e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, romanit më të rëndësishëm të kësaj rryme letrare në letërsinë shqipe.
Meqë Kadareja ka qenë dhe ka mbetur shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, që mbulohet tërësisht nga realizmi socialist si rrymë zyrtare, atëherë vepra e tij letrare paraqet adresën kryesore edhe për studimin e vlerave dhe antivlerave të kësaj rryme në mbarë letërsinë shqipe. Ky autor u ka dhënë ritmin dhe ngjyrën temave dhe ideve kyçe, që janë imponuar si stereotipe nga realizmi socialist.
Për ta kuptuar më mirë gjithë veprën letrare të shkrimtarit më të rëndësishëm të realizmit socialist, nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes faktin që Kadareja është edhe teoricieni më i rëndësishëm i kësaj rryme ideo-letrare. Analiza e tezave kryesore të traktatit të tij, e bënë më të qartë edhe veprën e tij e edhe angazhimin politik e qytetar të tij. Në traktatin teorik me titull, “Realizimi socialist – arti i madh i revolucionit”, të botuar në organin e Partisë së Punës, ‘Zërin e Popullit” më 13 janar 1974, Kadareja ka skicuar platformën teorike-ideologjike të kësaj rryme, duke e identifikuar veten si njërin prej shkrimtarëve të saj. Ky traktat ka një rëndësi të madhe, për ta njohur natyrën e vërtetë të realizmit socialist në letërsinë shqipe, prandaj është e habitshme që studiuesit e lënë anash sistematikisht.
Esenca e traktatit të Ismail Kadaresë, që është produkt i përvojës së tij si shkrimtar, konsiston në këto tre pika: 1) që letërsia të jetë në shërbim të revolucionit, 2) që të triumfojë edhe në letërsinë shqipe fryma e eliminimit të ndikimeve të huaja, evro-perëndimore, borgjeze, moderniste dhe 3) të eliminohet tradita letrare e shkrimtarëve nacionalistë, me Fishtën e Koliqin në krye.
Lidhur me detyrën që kishte letërsia në shërbim të revolucionit, Kadare shkruan qartë dhe me vendosmëri revolucionare:
“Realizmi socialist është art i së ardhmes. Asnjë art i gjertanishëm nuk mund të jetë i krahasueshëm më të për nga mundësitë, epiciteti, thellësia, dramaciteti dhe niveli i lartë ideoartistik. Këtë omnipotencë ja jep atij revolucioni komunist. Liria që zbërthen revolucioni është më e madhja liri që është parë ndonjë herë mbi këtë rruzul, sepse ajo është liri e milionave. Përpara kësaj lirie zbehen si qirinj, liritë e tjera të kënduara apo të pakënduara në odetet e poetëve. Realizmi socialist si pjellë e revolucionit gëzon po atë liri të revolucionit. Ai nuk u bindet kanoneve, rregullave dhe dogmave, sic pretendojnë armiqtë e tij të hapur, ose miqtë e tij të rremë. Ai u bindet vetëm ligjeve të revolucionit, i njeh dhe i respekton ato ligje, dhe pikërisht në këtë qëndron jo dobësia dhe jetëshkurtësia e tij, por përkundrazi forca dhe pavdeksia e tij.”[16]
Ndëra lidhur me eliminimin e ndikimeve të huaja, Kadare pohon:
“Në të tridhjetë vjetët e moshës së saj, letërsia jonë e re e realizmit socialist ka njohur suksese dhe gëzime të mëdha. E vënë pa asnjë rezervë në shërbim të revolucionit, komuniste dhe kombëtare njëkohësisht, ajo i ka larë njëherë e përgjithmonë llogaritë me gjithë ndryshkun shekullor të artit feudal – borgjez, me misticizmin, irealizmin, sentimentalizmin, bulevardizmin, me historitë iluzive të vajzave të të varfërve me ‘princët e kaltërt’, me një fjalë gjithë trillimet e kuzhinave shekullore të botës së vjetër. Ajo ka vazhduar të bëj një luftë të sukesshme kur këto trillime, pasi i ka dëbuar nga dera, janë përpjekur të hynë nga dritarja të veshura me petkun modern. “ [17]
Ndërsa, për vlerësimin e letërsisë shqipe, me kritere të reja ideologjike, duke përjashtuar armiqtë e identifikuar, pra Tjetrin, Kadareja shkruan kështu:
“Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë. Cili ka qënë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift. (…)Filoitalian i papërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit fashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit të kulturës sonë.” [18]
Meqë u huazuan disa citate të gjata nga traktati i Kadaresë, këto na mundësojnë që të kuptojmë më në plotni edhe poetikën e veprës letrare të tij, e cila me siguri që është shkruar në pajtim me këto koncepte ideo-teorike, jo vetëm gjatë viteve gashtëdhjetë e shtatëdhjetë, po edhe më vonë. Ajo që është poashtu e sigurt është se Ismail Kadareja me veprën letrare të shkruar gjatë viteve gjashtëdhejtë dhe shtatëdhjetë, bashkë me traktatin mbi realizmin socialist, u imponua si autoritet, si shkrimtari kryesor i letërsisë shqipe të periudhës. Edhe vepra e tij letrare e edhe traktati, me frymën antiperëndimore dhe antimoderniste, u bënë orientues për shkrimtarët e tjerë më të rinj, të cilët e vazhduan frymën e realizmit socialist, duke synuar të arrinin sukseset e Kadaresë. Pra, u bë model i brezave që erdhën pas tij. Prandaj letërsia shqipe u vërshua nga veprat letrare me tone ksenofobike, kundër të huajve, kundër botës kapitaliste, kundër besimeve fetare, kundër gjithë dynjasë, përveç marksizëm –leninizmit. Po të lexohen sot disa nga veprat poetike të Xhevahir Spahiut, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Moikom Zeqos, kundër besimeve fetare e kundër Zotit, fjala vjen, njeriu thjesht e ka zor ta besojë se janë prodhim i mendjes së njeriut. Ato janë shpërthime iracionale të urrejtjes ndaj Zotit, ndaj besimeve e besimtarëve, ndaj librave të shenjtë e profetëve.[19]
Pra, realizmi socialist me tharmin zhdanovst, injektoi në mendjen e brezave të shqiptarëve urrejtje ndaj botës perëndimore, duke e paraqitur si botë të kalbur e të pamoralshme, urrejtje ndaj besimeve fetare, ndaj kundërshtarëve ideologjikë e politikë, ndaj fqinjve dhe kujtdo që nuk i përkiste taborrit marksist-leninist.
Për injektimin e urrejtjes ndaj kundërshtarëve ideologjikë, si model mund të mbahet posaçërisht poema e Shefqet Musarajt “Epopeja e ballit kombëtar”, gjithsesi një metaforë e urrejtjes ideologjike që ka prodhuar realizmi socialist në letërsinë tonë. Kjo lloj letërsie ishte parullë, propagandë. Pra, shkrimtarët shqiptarë të realizmit socialist propagandonin stereotipet zyrtare ideologjike dhe i aplaudonin diskursit dominant politik, ideologjik e propagandistik, duke e shndërruar letërsinë në shtojcë e tyre. Edhe figura e Tjetrit, pra e të huajit – armikut, qoftë sipas përkatësisë etnike, qoftë asaj fetare, ideologjike, klasore, etj., është përdorur për ta justifikuar politikën izolacioniste të regjimit, ksenofobinë dhe racizmin me prejardhje ideologjike.
Prandaj, injektimi i urrejtjes ndaj Tjetrit brenda kombit për shkak dallimesh fetare e ideologjike dhe ksenofobisë nëpërmjet letërsisë së realizmit socialist, ka prodhuar trauma shtesë të shqiptarëve në kohën kur kanë dalë nga izolimi dhe janë takuar me “armiqtë” imagjinarë. Imazhet groteske për ta dhe armiq të tjerë ideologjikë, ende janë aktive dhe nuk do të zhduken deri sa të bëhet një rivlerësim kritik i kësaj letërsie dhe në instancë të fundit një dekontaminim me vlerësime mirëfilli estetike i gjithë mësimeve për letërsinë edhe në arsimin publik.
Sa i përket letërsisë shqipe në Kosovë, edhe këtu fillet e frymës së realizmit socialist duhet të kërkohen në tekstet e këngëve partizane. Ato këngë ishin një përzierje edhe mes këngëve partizane shqiptare dhe këngëve partizane jugosllave.
Ndërsa, letërsia shqipe në Kosovë filloi të shkruhej pas instalimit të regjimit komunist jugosllav, me vështirësi e me vonesë dhe në fakt filloi si letërsi e realizmit socialist. Por, kjo doktrinë si doktrinë zyrtare, qe jetëshkurtër në ish Jugosllavinë komuniste. Që në Kongresin e dytë të shkrimtarëve jugosllavë në Zagreb, në vitin 1949, u kërkua eliminimi i realizmit socialist si doktrinë zyrtare, gjë që faktikisht u arritë në vitin 1952 në Kongresin e tretë të shkrimtarëve jugosllavë, që u mbajt në Lubjanë, duke pasur si platformë fjalimin e Mirosllav Kërlezhës në atë kongres. Mirëpo, jehona e atij vendimi arriti me vonesë në Kosovë, sepse në vitin 1953, pra, një vit pas kongresit të tretë, u botua romani i parë në gjuhën shqipe, “Rrushi ka nisë me u pjekë”, një pamflet-roman tipik i realizmit socialist. Edhe vetë historia e këtij romani është absurde. * Shkrimtarë të tjerë të kësaj rryme ishin edhe Esad Mekuli e Hivzi Sulejmani. Ky i fundit, sipas dëshmisë së lënë nga Vehap Shita,[20] romanet “Fëmijët e lumit tem” dhe “Njerëzit”, si edhe tregimet për të rritur, i ka shkruar serbisht, ndërsa ato pastaj janë përkthyer nga miqtë e tij, për botim premierë në gjuhën shqipe. Prandaj, nëse aplikohet kriteri gjuhësor për statusin e letërsisë shqipe, këto vepra vetëm kondicionalisht mund të numërohen si pjesë e letërsisë shqipe. Në këso konditash, ndikimi i veprave të shkrimtarëve që shkruan në hullinë e realizmit socialist në Kosovë, nuk ishte i vërejtshëm.
Dëmi do të shfaqet me vonë, kur do të fillonin të vinin veprat e realizmit socialist nga Shqipëria, të maskuara nën formën e kombëtarizmit. Deformimi ideologjik që u injektua edhe prej kësaj letërsie, ndonëse jo vetëm prej saj, duhet të studiohet në historinë politike të Kosovës më shumë se sa në historinë e letërsisë shqipe të Kosovës. Sigurisht edhe ky është një nga absurditetet që ka prodhuar realizmi socialist, ndonëse është në pajtim me atë që u tha në fillim, se kjo lloj letërsie synonte të impononte diktatin ideologjik. Në këtë aspekt, nuk dihet ende se a ka qenë suksesi i realizmit socialist më domethënës në deformimin estetik në Shqipëri, apo në indoktrinmin ideologjik në Kosovë.
BIBLIOGRAFIA
Beker, Miroslav, Povijest knjizevnih teorija, Zagreb, 1979
Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Tiranë-Pejë, 1997
Eko, Umberto, për letërsinë, Dituria, Tiranë, 2007
Çesllav, Millosh, Mendja e robëruar, Shtëpia e Librit “Dritëro”, Tiranë, 1998
Historia e letërsisë shqiptare, Rilindja, Prishtinë,1989
Jakobson, Roman, Ogledi iz poetike, Beograd, Prosveta, 1978
Jaus, Robert Hans, Estetika recepcije, Nolit, Beograd, 1978
Kadare, Ismail, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Rilindja, Prishtinë, 1980
Kadare Ismail, Buzëqeshje mbi botë, Rilindja, Prishtinë, 1980
Kadare, Ismail, Realizmi socialist – arti i madh i revolucionit”, ‘Zëri i Popullit”,13 janar 1974,
Marks, Engels, Mbi letërsinë dhe artin, 8 nëntori, Tiranë, 1976
Markjevic, Henrik, Nauka o knjizevnosit, Beograd, 1974
Merxhani, Branko, Vepra, Plejad, Tiranë 2003
Krasniqi, Milazim, Soneti në poezinë shqipe, PEN, Prishtinë, 2005
Krasniqi, Milazim, Letërsia dhe besimet fetare, Logos A, Shkup, 2012
Petrovic, Steten, Marksizam i knjizevnost (hrestomacija), Beograd, 1983
Mukarzovski, Jan, Struktura, funkcija, znak, vrednost, Nolit, Beograd, 1987
Recnik knjizevnih termina, Nolit, Beograd, 1986
Todorov, Cvetan, Poetika e prozës, Panteon, Shtëpia e Librit, Tiranë, 2000
Shkreb, Stamac, Uvod u knjizevnost, Graficki zavod Hrvatske, 1983
Velek, Rene, Voren Ostin, Teoria e letërsisë,
Rilindja, Prishtinë, 1982
[1] Recnik knjizevnih termina, Nolit, Beograd, 1986, str. 742-743 dhe Socijalisticki realizam, Leksikografski zavod “Miroslav Krleza”, Zagreb ( google, 22. 08. 2016)
[2] Po aty
[3] Çeslav Millosh, Mendje e robëruar, Botimet Dritero, Tiranë, 1998
[4] Për më shumë shih: Milazim Krasniqi, Soneti në poezinë shqipe ( kapitullin Soneti në periudhen e realizmit socialist dhe të disisdencës, PEN, Prishtinë, 2005, f. 165
[5] Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Tiranë-Pejë, 1997, fq. 377-378
[6] Po aty, fq. 380
[7] Në kapitullin III, Ketmani, të librit “Mendje e robëruar” Çeslav Milloshi ka shpërfaqur thyerjen morale dhe estetike, deformimin e mendjes së shkrimtarit në “demokracine popullore”- diktaturën komuniste, me një mprehtësi të rrallë. Shkrimtari për ta fshehur veten, shndërrohet në aktor, për t’i fshehur idetë e veta përdor metodën e vjetër të shizmës, Ketmanin. Milloshi e ka njohur edhe realisht atë gjendje, sepse një kohë ka jetuar në Poloni, në kohën kur u instalua diktatura komuniste dhe realizmi socialist si doktrinë.
[8] Romanet “Çlirimtarët” i Dhimitër Shuteriqit, “Para agimit” i Shefqet Musarajt, “Një vjeshtë me stuhi” dhe “Tri ngjyra të kohës” të Ali Abdihoxhes, etj, kishin për temmatikë luftën nacionalçlirimtare dhe rolin e partizanëve e komunistëve në çlirimin e Shqipërisë dhe fillimin e transformimit revolucionar të saj.
[9] Këto stereotipe janë përdorur shumë në kinematografinë e realizmit socialsit, e cila shumë herë e ka pasur burimin te letërsia ose te skenarët e shkruar enkas nga shkrimtarët e realizmit socialist.
[10] Gjatë shkollimit universitar mësimi normativ për ne ka qenë që letërsia e viteve 60 e shkrimtarëve Kadare, Agolli e Arapi, ishte një proces letrar që quhej novatorizëm dhe paraqiste shkëputje nga rryma e realizmit socialist. Ndërsa, Ismail Kadare në traktatin e tij, “Realizmi socialist-arti i madh i revolucionit”, pikërisht realizmin socalist e quante novatorizëm: “ Realizmi socialist ka një forcë të tillë të brendshme sa që është në gjendje të shtjellojë në gjirin e tij të gjitha temat, duke filluar nga revolucioni proletar e gjer në legjendat më të thella të shekujve. Ai është në gjendje ta rishikojë dhe ta rishpjegojë artistikisht gjithë botën, që nga rrethimi i Trojës e gjer në rrethimin imperialisto – revisionist. Këtë aftësi të re ndricuese ja jep atij vetë revolucioni. Dhe pikërisht këtu qëndron esenca e novatorizmit të tij të madh.”
[11] Glorifikimi i varfërisë dhe i vetizolimit në poemën “Përse mendohen këto male” është i pashembullt në letërsi. Dhe logjikisht i pakuptueshëm.
[12] Ismail Kadare, Buzëqeshje mbi botë, Rilindja, Prishtinë, 1980, fq. 41)
[13] Ismail Kadare, Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Rilindja, Prishtinë, 1980, fq. 21
[14] Po aty, fq 21
[15] Po aty, fq. 41-42
[16] Ismail Kadare, Realizmi socialist-arti i madh i revolucionit, Zëri i popullit, Tiranë, 1974 (tekst I fotokopjuar)
[17] Po aty
[18] Po aty
[19] Për më shumë shih: nënkapitullin, “Realizmi socialist si prodhues i përfytyrimeve ekstreme antifetare në letërsinë shqipe”(242-254) në librin tonë “Letërsia dhe besimet fetare.”
[20] Dëshmi e lënë nga Vehap Shita, në një takim me një grup shkrimtarësh në ambientet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1990.