Namazi i xhumasë

1810

Besimtarë të nderuar,

I shprehim falënderim Allahut të Plotfuqishëm, që është i përhershëm pa fillim e pa mbarim dhe që di çdo të fshehtë dhe të dukshme.

Salavate i dërgojmë Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, i cili i shpërndau të mirat dhe e ndaloi padrejtësinë. Paqja dhe shpëtimi qoftë edhe mbi familjen, farefisin, shokët e ndershëm të Pejgamberit dhe mbi të gjithë ata të cilët e ndjekin rrugën e tij gjer në Ditën e gjykimit.

Të dashur xhemat,

Allahu i Plotfuqishëm, urdhëron e thotë në Kuran:

“O besimtarë, kur të thirreni për namaz ditën e xhumasë, nxitoni për ta përmendur Allahun (dëgjojeni hutben, faleni namazin) dhe pezulloni shitblerjen; kjo është më mirë për ju, nëse e dini! E kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni nga begatitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, për të arritur shpëtimin.” (el-Xhumua, 9-10)

Allahu i Plotfuqishëm nuk ka urdhëruar që t’i falim bashkërisht të 5 namazet ditore, por vetëm namazin e xhumasë. Urtësia e kësaj do të ishte: Allahu kërkon prej neve që ta deklarojmë kompetencën e Tij mbi individët dhe mbi bashkësinë. Ai kërkon që çdonjëri prej neve të deklarojë se Allahut i mbështetet individualisht – e këtë ta shprehi edhe në shoqëri. Deklaratën personale njeriu e shpreh vetëm, kurse atë të përbashktën – e ajo është shprehja e ibadetit të Allahut – para krijesave të Tij. Me atë rast, te njeriu zhdukët dukuria e krenarisë dhe mendjemadhësisë. Sikur të thotë Allahu: Dëshiroj të shprehni çdo mbështetje e dashuri në Mua, jo nëpërmjet njëri-tjetrit, por bashkërisht. Kështu që kur të shohë i dobëti i juaj, se ai që është më i fortë po barazohet me të në sexhde për Zotin e tij, i mbushet mendja se është i barabart me të tjerët. Nga ana tjetër, edhe i forti bindet, se të tjerët e panë duke i bërë sexhde Zotit. Për këtë arsye Allahu i Plotfuqishëm na e urdhëroi takimin bashkërisht një herë në çdo javë, për ta hedhur mendjemadhësinë prej shpirtërave tanë.

Dëgjojeni fjalën e lartë: – nxitoni për ta përmendur Allahun – sikur që ky takim na përkujton në madhërinë e Allahut, sepse njeriu me kalimin e javës mund të harrojë. Pastaj, ka njerëz të dobët dhe të fortë. Të fortit i rrënjoset në mendje se është i fortë, e të dobëtit se është i dobët. Atëherë patjetër duhet të përkujtojmë se jemi robër – dhe patjetër të shkojmë në xhuma një herë në javë – ku barazohen të gjithë njerëzit në ibadet për Një të Vetmin Allah.

Ky është shërim për njërën nga sëmundjet e rrezikshme të shpirtit.

Kjo ndjenjë e përbashkët për kompetencën absolute të Allahut të Plotfuqishëm, zhvillon tek ne ndjenjen e kompetencës relative në mes neve e prej Allahut. Për këtë Allahu na ka urdhëruar në suren el-Fatiha të cilën e lexojmë në çdo namaz. Allahu i Plotfuqishëm aty na mëson që falësi të thotë:

إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ ﴿٥
– Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë! 
E duhej të thoshte:

إِيَّاكَ أَعْبُدُ وَإِيَّاكَ أَسْتَعِينُ ﴿٥﴾ اهْدِنِي الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ ﴿٦﴾ –
– Vetëm Ty të adhuroj dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkoj!
Më udhëzo në rrugë të drejtë.

Mirëpo, ne këtë e themi për vete dhe për tjetrin, edhe ai tjetri e thotë për vete dhe për tjetrin. Pra, çdonjeri prej xhematit lutet për neve, dhe ne lutemi për çdonjërin që është në xhemat.

Nëse gjendet një person “i mirë” në xhemat, Allahu ia pranon lutjen e tij për nderimin e të gjithëve, sepse Allahu, ose ua pranon të gjithëve, ose i refuzon të gjithë. Prandaj kur t’ia pranoje një ‘të miri’ duanë për të gjithë, atëherë për hirë të tij, ua pranon të gjithëve veç e veç. Për këtë, në sheriatin islam kemi shembullin “hijarul-ajbi”!

P.sh. kur blejmë diçka, në të kemi “hijarul-ajb”, kjo do të thotë, nëse në të paraqitet një e metë apo dobësi, atëherë ne ose duhet ta pranojmë krejt mallin, ose ta kthejmë krejt, dhe nuk na lejohet ta zgjedhim pjesën e mirë, e ta kthejmë të keqën. Këtë neve na e ka mësuar Allahu i Plotfuqishëm. A thua vetë Ai, a duhet të punojë sipas kësaj? E Ai është më Fisniku dhe më i Larti!?

Vëllezër të dashur!

Nëse e shohim ndonjë njeri të dobët, që nuk e njohim, i cili është dhënë pas ibadetit, nuk guxojmë ta përbuzim, sepse vjen dita kur mund të qëndrojmë në rresht me të, e atëherë Allahu nuk na i pranon veprat me të! Është më mirë për neve, nëse gjenden njerëz, të cilët janë të dhënë pas ibadetit, kurse nëse i përbuzim, ne ashtu ia pakësojmë vetvetes shpresat e shpëtimit. Nuk duhet ta nënçmojmë asnjë “ibadetçi”, sepse ai do të na dhurojë një pjesë nga meritat e shpëtimit me lutjen e tij të pranuar (in sha Allah).

Nëse e kryejmë një punë vetëm, mund të mos na pranohet, por kur e hyejmë atë punë bashkë me atë, atëherë do të na pranohet (bi idhnil-lahi). Pra, në dobinë tonë është t’i ndërrojmë adhuruesit, sepse aty kemi një pjesë të shpëtimit nga rreziku.

Duhet t’i frikësohuni Allahut në raport me njerëzit e dobët, nga njerëzit e fshehtë, sepse ata janë të mirë. Allahu i Plotfuqishëm kur kërkon nga njerëzit që të prezantojnë në xhami me xhemat, këtë e bën vetëm për dobi të njerëzve.

“E kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë…”

Ky është urdhër për t’u shpërndarë nëpër tokë, për të kërkuar furnizim pas namazit. Urdhër prej Allahut, nëse e praktikojmë urdhërin e parë (që na thërret në namaz dhe ne shkojmë) e nuk e praktikojmë këtë urdhërin e dytë, ne e kemi lënë një pjesë themelore nga obligimi. Shpërndarja nëpër tokë ka për qëllim “përfaqësuesin” e Zotit në Tokë. Kur nuk shpërndahen njerëzit nëpër tokë dhe kufizohen vetëm në ato begati që na jep toka, atëherë e kanë kufizuar ligjin e Allahut. Lëvizja e njeriut nëpër tokë nuk krijon furnizim, por ajo është për t’ia shuar lakminë e njeriut. (M. M. Sha’ravij)

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)