Letër vëllazërore hoxhallarëve (të Bosnjes)
Autor: Dr. Mustafa Cerić, reisul-ulema (1993 – 2012)
Të dashurit e mi,
Me leje të reisul-ulemas Husjen ef. Kavazoviq, po ju shkruaj këtë letër për asgjë dhe për askënd. Ju nuk më keni borxh asgjë dhe unë nuk ju detyrohem asgjë, përveç dashurisë dhe respektit për misionin tuaj të hoxhës të cilin po e kryeni. Mision, i cili gjithmonë ka qenë i preferuari im. Nga lindja deri në vdekje, shpirti im ishte dhe do të mbetet shpirt i hoxhës. Ndoshta kjo për juve nuk do të thotë asgjë, por për mua do të thotë, që të tregoj dhe theksoj se po më mundon nostalgjia për mimberin e nderuar dhe mihrabin e shenjtë. Por, kur ju shoh të premten në namazin e xhumasë dhe kur e dëgjoj hutben tuaj, më kaplon dhe më pushton lumturia që ju kemi në mbrojtjen e fesë dhe atdheut. Hutbeja juaj mund të mos i përmbushë gjithmonë pritjet e mia, por unë gjithnjë e kam parasysh se nuk ka qenë kurrë më e vështirë të jesh hoxhë sesa që është sot. Çkado që ju thoni dhe që nuk thoni, për dikë gjithmonë jeni fajtor.
Por mos harroni: nuk ekziston ndonjë recetë për sukses, por ekziston recetë për dështim, dhe ajo është që t’i kënaqni të gjithë njerëzit, përkatësisht, ta zhgënjeni ndërgjegjen tuaj. Sepse, gjithmonë ta mbani në mend: emri i nderuar “hoxhë” – është argument i gjallë i fesë dhe moralit. Dhe gjithçka që është e nderuar – është e pastër, dhe gjithçka që është e pastër – është e shenjtë, dhe gjithçka që është e shenjtë – është e paprekshme, dhe gjithçka që është e paprekshme – është enigmatike dhe sfiduese që të pandershmit ta çnderojnë me nder. Dhe nderi është ndërgjegjja juaj e pastër. Nga vjen ajo? Nga brenda apo nga jashtë misionit tuaj të hoxhës? Në fillim ajo ju ofrohet nga Pjegamberi Muhamed: – Ulematë, dijetarët e muslimanëve, janë trashëgimtarë të të dërguarve të Zotit.Tek ne, “ulematë” janë hoxhallarët, jo si një elitë e shenjtë e paprekshme, por si sherbëtorë të fesë, si roje të traditës dhe roje në vijën e parë të atdheut.
Sigurisht, kjo trashëgimi pejgamberike është e nderuar nga Pejgamberi, është më e nderuara nga gjithë. Por është, gjithashtu edhe barrë tepër e rëndë për atë që, nuk është i gatshëm ta marrë përsipër, që nuk di ta mbajë mbi vete, i cili nuk di ta ndajë atë me ndërgjegje dhe përgjegjësi me të tjerët. Hoxhallarët janë ushtarë, oficerë të cilëve nuk u jepen grada, por ju merret masa e besnikërisë dhe devotshmërisë ndaj misionit të trashëgimtarëve të pejgamberëve, por gjithashtu, ju imponohet edhe masae lojalitetit dhe përshtatshmërisë ndaj çdo pushteti, si ndaj atij që ju shfrytëzon për një përdorim, ashtu edhe ndaj atij, i cili ju trajton në mënyrë të pabarabartë. Ju, të dashurit e mi, me vetëdije ose pa vetëdije, jeni gjithmonë midis këtyre dy opsioneve: besnikërisë dhe devotshmërisë ndaj Zotit ose besnikërisë dhe përshtatshmërisë ndaj pushtetit. Këtu nuk ka dhe nuk mund të ketë kompromis, përveç nëse besnikëria dhe përkushtimi ndaj Zotit përputhen me besnikërinë dhe përshtatshmërinë ndajpushtetit. Por, kjo rrallë herë ndodh, siç janë rrethanat kur të gjithë detyrohemi të mbrohemi nga armiqtë. Ka pasur edhe momente të tilla në historinë tonë, por ato ishin jetëshkurtra dhe u harruan shpejt.
Prandaj, unë them se sot gjëja më e vështirë është të jesh hoxhë. Ju e shihni imoralitetin me sytë tuaj, por nuk guxoni të flisni për të me gjuhë të pastër; ju e dëgjoni gënjeshtrën me veshët tuaj, por kundër saj nuk guxoni ta thoni të vërtetën e qartë; ju e ndjeni se diçka nuk është në rregull, por nuk e keni forcën për të korrigjuar padrejtësinë. Për pushtetin, çfarëdo qoftë ai, nuk ju lejohet të flisni, përveç asaj dhe aq sa pushtetit i duhet që të mbahet ashtu që askujt mos t’i përgjigjet për asgjë. Unë e di, se ju nuk e keni humbur ndjenjën tuaj të besnikërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit, por e keni fituar frikën nga politika,sepse ju fajëson për mungesë lojaliteti dhe për papërshtatshmëri kur të flasë ndërgjegjja juaj e hoxhës.
Por mos harroni, ju nuk jeni fajtor për asgjë dhe nuk keni nevojë të keni frikë nga askush tjetër përveç Zotit, por ju jeni shënjestra e të gjithë atyre që duan të jeni gjithmonë me ta me çdo kusht, si dhe atyre që nuk mund t’ju arrijnë, sepse të premten ata kohën e kalojnë në kafene. Ata që ju duan gjatë fushatës, duke ju blerë kostume dhe xhybe, nëse fitojnë në zgjedhje, atëherë kjo është vetëm meritë e tyre, ndërsa nëse humbin, atëherë është faji juaj sepse nuk ishit mjaft aktiv në promovimin e politikës së tyre. Kurse për ata që nuk ju duan sepse këta ju “duan” shumë, ju jeni fajtor sepse jeni të njëanshëm, sepse nuk i keni mbështetur në luftën e tyre të përgjithshme kundër atyre që fituan përsëri, edhe pse të gjithë u thanë atyre se u kishte ardhur fundi.
Dhe kështu, të dashurit e mi, në pafundësinë e misionit tuaj të përgjegjshëm të hoxhës, në popull dhe për poppullin, ju luftoni sot me vetveten dhe përreth jush për të gjetur përgjigjen e duhur për sfidat, të cilat janë shumë më të vështira se sa kanë qenë ndonjëherë. Do të doja t’ju ofroja përgjigjen e duhur për dilemat tuaja të hoxhës, por nëse më lejoni, unë do t’ju ofroj, nga ndjenja e dashurisë dhe respektit për misionin tuaj të hoxhës në popullin tonë, disa këshilla, të cilat mund të mos i miratoni, por mua do të ma lehtësoni, nëse më premtoni se në Ditën e Gjykimit do të dëshmoni se unë këtë ua kam thënë:
(1) Gjithmonë jini të vetëdijshëm për misionin tuaj të hoxhës në shpirt, në zemër dhe mendje, misionin të cilin e keni trashëguar nga Pejgamberi, sepse ky është kushti i parë dhe themelor për suksesin tuaj në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër, pra, që ta dini dhe të besoni se ju jeni ata që jeni – hoxhallarë. Edhe Pejgamberit Muhamed (savs), iu desh të besonte vetë se ai ishte me të vërtetë i Dërguari i Zotit. Pa këtë, imani – besimi i tij nuk do të ishte i vlefshëm.
(2) Gjithmonë mbani në mend se ju jeni të nderuar dhe të privilegjuar, që në emër të Zotit dhe të Dërguarit të Tij tu flisni njerëzve nga vendi i nderuar i minberit. Prandaj, ju duhet të peshoni çdo fjalë tuajën, në mënyrë që të arrijë në zemrën e besimtarit. Gjithashtu, secilën prej veprimeve tuaja Zoti dhe njerëzit do ta masin me peshojë të veçantë, prandaj, mos bëni asgjë që nuk është në përputhje me fenë dhe moralin, as mos shkoni atje ku nuk e keni vendin. Kurrë nuk do ta harroj një mësim nga një xhematli, të cilin e gjeta duke pjekur raki, i cili me të vërtetë u turpërua, por më paralajmëroi se ai këtë mund ta bënte, por ai mua do të më ndëshkonte nëse unë do ta bëja të njëjtën gjë. Xhemati ynë ka dëshirë që hoxhallarët e tyre t’i shohin si udhëzues të mirëfilltë dhe të moralshëm. Në vetëdijen e tyre, mëkati i hoxhës është i transmetueshëm, si sëmundja ngjitëse, andaj nuk guxon as të shfaqet e as të përhapet.
(3) Ju nuk jeni murgj të izoluar ose shenjtorë të gjallë, por jeni shërbëtorë të nderuar të fesë dhe moralit. Ju nuk jeni domosdoshmërisht më të dijshmit, por jeni dhe duhet të jeni më shembullorët në fe dhe në moral. Ruani reputacionin tuaj dhe të familjeve tuaja.
(4) Dëgjoni popullin që ta ndieni arsyen dhe mençurinë e popullit. Mos harroni, populli gjithmonë e ka mendjen natyrale, të ushqyer nga burimi i pastër, që është më e dobishme se mendja artificiale e disa intelektualëve, të cilët janë ushqyer nga burimi i huaj i shkencës së rreme mbi fatin tonë.
(5) Populli e ka frikën e tij, por edhe shpresën e tij. Mundohuni t’ia zvogëloni frikën, dhe t’ia shtoni shpresën! Shpjegojuni atyre se ai që nuk ka frikë nga Zoti, do të ketë gjithmonë frikë nga jeta, sikurse edhe ai që nuk ka shpresë për faljen e Zotit, gjithmonë do të jetë në një gjendje të pashpresë!
(6) Njerëzit sot kanë frikë jo vetëm nga Korona, por edhe nga mjerimi. Detyra juaj është që me njerëzit ta ndani fatin tuaj, sido që të jetë. Ju nuk jeni as degë që mund të pritet, por as gjethe që do të bie vetë. Ju jeni pemë e fortë në popullin tonë, venat e së cilës janë thellë në tokë, që nga Mehmed Fatihu e deri në ditët e sotme.
(7) Ruani amanetin, nderin dhe identitetin e Bashkësisë Islame! Kultivoni vëllazërinë në fe dhe atdhe! Jini të guximshëm për ta thënë të vërtetën, edhe nëse është e hidhur! Mos e keni zili njëri-tjetrin! Kënaquni me suksesin e vëllezërve tuaj! Ndihmoni vëllain tuaj në gëzim dhe në hidhërim! Sepse Allahu i Madhërishëm e ndihmon atë që ndihmon vëllain e tij!
(8) Në vendin tonë, kurrë nuk kanë qenë kohët e lehta! Por këto të sotmet janë veçanërisht të vështira. Prandaj, të dashurit e mi, jini vigjilent dhe të kujdesshëm! Populli po ju shikon juve! Dhe po e dëgjon fjalën tuaj! Mos i zhgënjeni njerëzit! Bëhuni korrigjues të politikës jo korrekte, sepse politika për ne muslimanët, pas gjenocidit, nuk është as zbavitje, as ndeshje rasti, por politika për ne është çështje ekzistenciale, e cila kërkon që të përfaqësohemi nga më të zgjuarit, më të respektuarit, më të aftët, më të drejtët dhe nga ata që më së shumti e duan të vërtetën midis nesh!
(9) Nëse shihni amoralitet dhe padrejtësi, korrigjojeni me dorën tuaj, e nëse nuk mundeni, atëherë me gjuhë, dhe nëse nuk mundeni as edhe me gjuhë, atëherë të paktën e përbuzni me zemrën tuaj! Por atëherë dijeni, se edhe ju, edhe të gjithë ne si popull, jemi në nivelin më të ultë të besimit dhe moralit!
(10) Unë nuk do t’ju them se për kënd duhet të votoni! As ju këtë mos ua thoni njerëzve, por tregojuni atyre për cilësitë e ndershme dhe të afta të atyre që duan, munden dhe dinë ta mbrojnë fenë dhe moralin nga korrupsioni, që ta mbajnë kombin tonë të bashkuar dhe ta shpëtojnë shtetin tonë nga armiqtë!
Të dashur hoxhallarë, dua që ta dini se e keni në dispozicionin tuaj shpirtin, zemrën dhe mendjen time për misionin tuaj të nderuar të hoxhës. Mos u frikësoni! Unë kurrë nuk do të rikandidoj për politikë, por dua të mendoj për fatin tonë dhe dua të flas publikisht në mënyrë që të gjithë të mund të më dëgjojnë, si ata që më duan, ashtu edhe ata që nuk më duan! Allahu i Madhërishëm ju ruajt nga çdo bela dhe sprovë, të cilën nuk jemi në gjendje ta kapërcejmë!
O Allahu i Plotfuqishëm, na fuqizo që ta bartim dhe përcjellim me sukses trashëgiminë pejgamberike të Pejgamberit (savs) nëpër vendin tonë dhe në gjithë botën!
O Allahu i Gjithëdijshëm, na mëso se shërbimi i fesë dhe moralit është virtyti më i nderuar!
O Allahu i Mëshirshëm, hoxhallarëve tanë, bëju të dashur misionin e tyre të nderuar me kënaqësinë Tënde dhe shpërblimin e xhenetit!
Sinqerisht!
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)