Të nderuar vëllezër besimtarë;
Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë.
Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithmonë me të, është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.
Vëllezër të dashur!
Ja, xhuma pas xhumaje, erdhëm në fund të këtij viti 2020, për të cilin sigurisht, do të kishim dëshiruar që mos të ishte shfaqur kurrë, ose të paktën ta kishim kapërcyer pa e jetuar, sepse në krahasim me vitin 2019, na erdhi për të gjithë neve si fyerje. Natyrisht, ne e falëndererojmë Allahut e Madhërishëm, që na mundësoi ta mbijetojmë (me pasoja më të lehta ose më të vështira), por gjithashtu kemi frikë se viti vijues 2021, mund të jetë edhe më i keq.
Sepse situata e cila po na përcjell nga mesi i marsit, kërcënon se do ta shkatërrojë: ekonominë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shumë punëdhënës, turizmin, kulturën, sportin, fenë, si dhe shumë gjëra të tjera të vlefshme, që e përbëjnë dhe zbukurojnë jetën tonë. Shumë gjëra edhe do të shkatërrohen me të vërtetë, dhe ne thjesht, këtë nuk mund ta parandalojmë, sepse ato nuk janë nën kontrollin tonë.
Megjithatë, disa gjëra janë ende në duart tona, dhe për këtë shkak, ne do të duhet të bëjmë më të mirën, në mënyrë që t’i mbrojmë dhe ruajmë ato. Një nga ato gjëra janë marrëdhëniet tona të ndërsjella. Marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve, midis bashkëshortëve, midis miqve, midis të afërmve, midis fqinjëve, midis xhematit …
Në këtë kuptim, mund të na ndihmojnë shumë mesazhet nga surja el-Huxhurat, nëse i pranojmë dhe i zbatojmë ato. Zoti ynë, ndër të tjera, aty na porosit:
“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, analizoni mirë, për të mos i bërë dëm ndokujt nga mosdija, e të pendoheni pastaj për atë që keni punuar.” (el-Huxhurat, 6)
Pavarësisht se kush na sjell lajmet, kjo është një kohë kur, falë teknologjisë së zhvilluar mirë, informacioni mund të verifikohet shumë lehtë. Prandaj, askush nuk duhet të “fluturojë para xehes”, dhe të nxjerrë përfundim të shpejt e të bëjë lëvizje të vështira, sepse kjo mund të ketë pasoja të rënda si për individin ashtu edhe për shoqërinë. Gjithashtu, në këtë mori informacionesh, duhet vërejtur dhe veçuar ato që nuk na interesojnë neve drejtpërdrejt. Informacionet e tilla është më mirë të lihen dhe fare të mos verifikohen. Për gjumë më të mirë.
Në këtë mënyrë, ne do të shmangemi për të qenë prej atyre që Allahu i përmend në ajetin vijues, ku thotë:
“O ju që keni besuar! Le të mos e përqeshin një popull atë tjetrin. Ndoshta ata të përqeshurit janë më të mirë se ata, e as gratë mos të përqeshin të tjerat. Ndoshta ato (të përqeshurat) janë më të mira se ato, dhe mos e nënçmoni njëri-tjetrin dhe mos e thirrni njëri-tjetrin me llagape (të këqia)!” (el-Huxhurat, 6)
Në këtë ajet, mesazhi jehon me zë të lartë: “Ruajeni gjuhën! Sepse gjuha mund të gllabërojë shumë më tepër nga veprat tuaja të mira, sesa mund të imagjinoni, ndërsa ju i keni fituar ato me mundim të madh. Gjithashtu ajo mund të djeg dhe shkatërrojë shumë më tepër nga veprat tuaja të mira, sesa që mund ta bëjë zjarri.”
Po për këtë ajetin vijues çka mund të themi?
“O ju që keni besuar! Shmanguni prej shumë dyshimeve, meqë disa dyshime janë mëkat. Mos i hulumtoni të metat (e njëri-tjetrit) dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin…!” (el-Huxhurat, 12)
Vëllezër besimtarë!
Nuk janë të gjitha mëkatet të rënda në mënyrë të njëjtë, as nuk janë të gjitha sëmundjet të rrezikshme në mënyrë të barabartë. Prandaj, le të mos nxitojmë në mëkate, kurse nëse jemi të sëmurë, le ta kërkojmë ilaqin – së pari në Kuran. Le t’i ruajmë marrëdhëniet tona të ndërsjella dhe le t’i rregullojmë ato, aq sa na lejojnë rrethanat tona, si dhe kjo situatë në të cilën gjendemi!
Për fund, le ta kujtojmë rregullin e artë nga ajeti i 11-të i sures er-Ra’d: „Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat), derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.“
Nëse dëshirojmë të jemi më të mirë dhe, mbi të gjitha, viti 2021 të na jetë më i mirë, atëherë duhet të përpiqemi që ne të bëhemi më të mirë, domethënë, që secili prej nesh individualisht, të bëhet më i mirë; besimtar më i mirë, burrë më i mirë, djalë më i mirë, baba më i mirë, mik më i mirë, kushërir më i mirë, fqinj më i mirë, xhematli më i mirë …
O Allah! Po të lutemi ndihmoje Islamin dhe muslimanët, poshtëroje shirkun dhe mushrikët! Fali besimtarët muslimanë, të gjallë qofshin apo të vdekur! Dhe ndihmoji të gjithë vëllezërit dhe motrat tona në nevojë, kudo që janë!
O Zoti ynë! Na jep të mira në dynja dhe në ahiret, dhe na mbro nga dënimi i zjarrit!
– Na ndihmo, o Zot: – t’i kryejmë të gjitha ibadetet e caktuara, veçanërisht namazin, sepse pa faljen e rregullt të pesë kohëve të namazit dhe namazin e xhumasë, nuk ka besimtar!
– Ki mëshirë ndaj prindërve tanë dhe të parëve tanë! Ndërsa fëmijët dhe pasardhësit tanë bëri gëzim të syve dhe zemrave tona!
– Dhe krejt në fund po të lutemi: Na i falë mëkatet dhe të na e dhuro xhenetin e premtuar, në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me shehidët dhe me njerëzit e mirë! //Amin!//
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress)