Le t’i shlyejmë gabimet për t’i ruajtur lidhjet vëllazërore…

973

Le t’i shlyejmë gabimet për t’i ruajtur lidhjet vëllazërore, e mos t’i shlyejmë lidhjet vëllazërore për shkak të disa gabimeve

Po bisedonin dy muslimanë të moshuar, dhe njëri e pyeti tjetrin:

“Sae ke shitur vëllanë musliman me të cilin nuk keni raporte të mira?”

Tjetri u përgjigj: “E shita për 90 gabime.”

I pari i tha: “E paske shitur lirë!”

Le të mendojmë pak për këtë lloj të tregtisë dhe ‘shitjes’, para se të pendohemi për shkak ndërprerjes së lidhjeve vëllazërore dhe humbjes së miqësisë.

Secili musliman do të mbetët i habiturpër faktin, se një musliman ia ka falur vëllait të tij musliman 89 gabime, kurse pastaj pas gabimit të 90, e ka ‘shitur’ dhe e ka lënë vëllanë e tij.

Por, habi edhe më të madhe shkakton personi i parë, i cili e ka fajësuar pse e ka shitur vëllanë e tij për 90 gabime, sepse lidhja vëllazërore nuk ka asnjë çmim në këtë botë, dhe vëllait musliman i falen shumë më tepër sesa 90 gabime, pasiqë 90 gabime janë çmim shumë i lirë për vlerën që ka vëllai musliman.

Prandaj, le të shikojë secili prej nesh se sa gabime vlen vëllai ose miku i tij, dhe sidomos sa vlen një nga më të afërmit tanë, dhe sa gabime jemi të gatshëm t’ia falim për t’i ruajtur marrëdhëniet tona vëllazërore dhe familjare?

Kushdo që mendon pak më mirë për realitetin tonë, dhe kush i njeh kushtet e njerëzve në mjedisin e tij, dhe tjetërsimin që mbizotëron mes njerëzve, do të shohë se ka shumë njerëz që janë të gatshëm ta ‘shesin’ vëllain e tyre musliman për një gabim të vogël, madje ka edhe nga ata që i ‘shesin’ vëllezërit e tyre pa ndonjë gabim të dukshëm, por vetëm në bazë të asaj që për vëllain e tij musliman ia përcjellin ngatërrestarët dhe gënjeshtarët.

Ndoshta pas një mendimi të tillë, do të pendohemi për ‘shitjen’ e atyre të cilët dikur ishin miqtë tanë, kurse ne i lamë dhe i refuzuam për shkak të gabimeve të tyre ndaj nesh, të cilat në sytë tanë ishin të pafalshme, dhe ndoshta do ta ngremë çmimin e lidhjes vëllazërore dhe shkallën e gabimeve në nivelin më të lartë të mundshëm.

Vlerën e vërtetë të çdo vëllai musliman, me të cilin kemi marrëdhënie, ne do ta ndjejmë vetëm atëherë kur e humbim, ose kur ai vdes. Prandaj, mos ta ‘shesim’ lidhjen vëllazërore, pavarësisht nga numri i gabimeve që ka bërë një vëlla musliman!

Le të mbajmë në mend gjithmonë ajetin e Kuranit, në të cilin përmenden besimtarët që e meritojnë xhenetin, ku në mesin e tyre janë edhe ata:“Të cilët … e fshehin zemërimin, e ua falin fajet njerëzve…” (Alu Imran, 134)

Nuk ka asnjë kuptim puthja e kërkim faljes në ballin e vdekur të vëllait musliman, i cili largohet nga kjobotë, por le të jemi të sjellshëm dhe të dhembshur me njëri-tjetrin derisa jemi akoma gjallë.

Le t’i shlyejmë gabimet për t’i ruajtur lidhjet vëllazërore, e mos t’i shlyejmë lidhjet vëllazërore për shkak të disa gabimeve.

Abdusamed Nasuf Bušatlić;

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)