Njerëzit e lumtur nuk janë skllevër të trendëve

793

Jo moti lexova një studim interesant, sipas të cilit banorët e vendeve më të lumtura kujdesen më pak për veshjen. Ata nuk janë të ngarkuar me veshjet me markë, aksesorët sezonal, kozmetikën me markë apo flokët që janë në trend.

Ata nuk e kanë me rëndësi formën, por esencën. Nuk e kanë me rëndësi që ta tregojnë dhe provojnë veten e tyre para të tjerëve. Nuk janë të kompleksuar. Pranojnë gjithçka. E duan veten ashtu siç janë pa u maskuar me veshje të shtrenjtë, veshje që është në modë dhe nuk fshihen pas shtresave të kozmetikës. I kanë vetullat e njëjta sikur para pesë viteve. Nuk turpërohen. Gjatë veshmbathjes e parapëlqejnë rehatinë dhe funksionalitetin. Silikonët as që i paramendojnë. Janë të kënaqur me rrudhat. Nuk turpërohen dhe i pranojnë si pjesë normale të trupit.

Në anën tjetër, vendet që në listën e studimit janë të radhitura më poshtë, siç janë vendet Ballkanike, paraqesin vendet më mirë të veshura dhe të rregulluara. Gjithçka sipas modës së fundit. Femrat që në mëngjes janë me mbathje me taka, buzëkuqe dhe të veshura sikur të jenë në pistën e modës. Meshkujt të fryrë, të rregulluar, të depiluar… Të gjithë nga jashtë duken shkëlqyeshëm, megjithatë, brendia e tyre shpesh është përplot plagë.

Shkenca vërteton se mu ato plagë shpirtërore janë gjërat që mundohen të mbulohen me veshje moderne dhe kozmetikë. Mungesa e vetëbesimit, autenticitetit, lirisë dhe dashurisë ndaj vetes kompensohen me veshmbathje me markë. Sipas tyre ajo duhet ta provojë vlerën e personit. Mendojnë që, do të vlejnë për veten e tyre nëse vlejnë në sytë e të tjerëve!

Gabim? Në mënyrë absolute.

Për këtë shkak shohim numër të madhë të femrave dhe meshkujve identik – flokë të njëjta, vetulla të njëjta, silikone, veshmbathje…  Njerëz që duken shkëlqyeshëm, por nuk e kanë unin e vet. Nga brenda njerëz të zbrazur, të pakënaqur. Të gjithë janë copy-paste (kopje të njëri-tjetrit)! Rrallëkush ka guxim të ndjek stilin e vet, të jetë më ndryshe, pa marrë parasysh çfarë të tjerët mendojnë.

Shumica në mënyrë që të duken më të bukur, shkojnë në skajshmëri me korrigjimet estetike, ashtu që e humbin pamjen origjinale. Në fakt, shpirtërisht ata shumë kohë më parë e humbën veten.

E vërtetë është që kostumi kurrë nuk e ka bërë njeriun – njeri! Bukuria e jashtme nuk e nënkupton edhe brendësinë e bukur. Personi shumë i rregulluar nuk ka qenë kurrë person absolutisht i kënaqur. Sa më shumë shtresa kozmetikë, aq më e madhe është pasiguria jonë. Sa më shumë që vuajmë për veshje me markë, aq më e madhe është nevoja për t’u vlerësuar dhe pranuar përmes saj, dhe ky është një tregues i pasigurisë dhe pakënaqësisë së madhe personale. Kështu pretendojnë shkencëtarët, ndërsa mendja e shëndoshë nuk e mohon.

Si përfundim, nuk ka asgjë të diskutueshme në lidhje me kujdesin për pamjen tuaj. E keqja është kur ngarkoheni si t’i kënaqni të tjerët, ta tregoni veten, ta provoni veten etj.

Për lumturinë, vetëbesimin dhe përmbushjen nuk kanë qenë dhe kurrë nuk do të jenë gjërat e jashtme. Lumturia nuk është në paraqitjen para të tjerëve.

Banorët e vendeve të lumtura si duket e dinë më mirë se ne.

Autore: Hana Harbić-Mušić
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress.ch]