Kthehu dhe falu përsëri, sepse namazi yt është i pavlefshëm!

1220

Tregimi i gabimeve të shpeshta në namaz,
të cilat bëjnë që namazi të mos jetë i vlefshëm…

Njeriu i cili i njeh mirë rregullat fetare, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me namazin, mund të vërejë çdo ditë, se një numër i madh i namazlive, gati në çdo namaz,e bëjnë ndonjë gabim, i cili e vë në dyshim vlefshmërinë e namazit të tyre.

Çdo besimtar e di se ekzistojnë ruknet – pjesët përbërëse të namazit: kijam, kiraet, rukū,sexhde dhe teshehud – të cilat janë të detyrueshme të kryhen, sepse pato namazi nuk është i vlefshëm. Gjatë kryerjes së këtyre rukneve është e detyrueshme që ato të kryhen në formë të plotë.

Çka do të thotë kjo në të vërtetë?

Kur besimtari falet dhe, të themi, kur e kryen ruku-n (përkuljen), gjatë kthimit nga ruku-ja, para se të shkojë në sexhde, është e nevojshme që të drejtohet dhe qetësohet plotësisht, dhe gjithashtu, duhet të qetësohet pas kryerjes së sexhdes së parë – para se të shkojë në sexhden e dytë, domethënë të bëjë një pauzë në uljen midis dy sexhdeve. Për fat të keq, shumë namazli, nuk i përmbushin këto rregulla, dhe kështu, e vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e namazit të tyre.

Në hadithet e Pejgamberit (savs), thuhet se ai për shkak të veprimeve të tilla namazin e ka shpallë të pavlefshëm.“Qëndro derisa të qetësohesh plotësisht, dhe kështu vepro derisa ta mbarosh namazin.” (Buhariu dhe Muslimi)

Në hadithe të tjera, Pejgamberi (savs), ka përmendur, se do të ketë njerëz, të cilët do të falen 60 (gjashtëdhjetë) vjet,ndërsa asnjë namaz i tyre nuk do të jetë i pranuar, do të jetë i pavlefshëm, pikërisht për arsyen e përmendur.

Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Në të vërtetë, ka njerëz që do të falen për 60 vjet dhe nuk do tu pranohet namazi. Është e mundur që gjatë faljes e kanë plotësuar rukū-n, por nuk e kanë plotësuar sexhden, ose e kanë plotësuar sexhden, por nuk e kanë plotësuar rukū-n.” (Asbahani, Et-Tergib, shejh Albani këtë transmetim e ka vlerësuar si të besueshëm në disa vepra të tij. Shih: Es-Sahiha, 6/81, nr. 2535)

Prandaj, të dashur vëllezër dhe motra!

Ruajeni namazin tuaj dhe kini kujdes se si po e falni atë. Mos nxitoni, por plotësoni çdo rukn të namazit dhe qetësohuni pas çdo rukni, ashtu siç na ka shpjeguar Pejgamberi ynë (savs). Mos i lejoni vetes që të jeni nga ata, që kanë shpenzuar shumë kohë për namaz, kurse namazi i tyre nuk është i vlefshëm as i pranuar tek Allahu i Plotfuqishëm.

Ata që janë të dijshëm dhe i njohin mirë rregullat e fesë,janë të obliguar që njerëzve t’ua shpjegojnë këtë dispozitë,dhe t’u tregojnë praktikisht se si falet namazi në formën e duhur.

Për fat të keq, shpesh ndodh që muslimanët gjatë ramazanit,kur e falin teravinë, gati e kanë të pamundur ta ndjekin imamin dhe t’i plotësojnë të gjitha ruknet, ashtu siç ka kërkuar dhe siç i ka shpjeguar Pejgamberi (savs).

Përkthim: Miftar Ajdini