“O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat…”

1120

“O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara.” (Lukman, 17).

Tefsir:

I urti, Lukmani a.s., e urdhëroi djalin e vet që të fal namaz dhe të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja. Pastaj i tregoi se në rrugën e thirrjes në të mirë dhe të pengimit nga e keqja, duhet të jetë i durueshëm, pasi që do të ketë të atillë që do ta shqetësojnë dhe do ta mërzisin.

Gjithashtu, ia bëri me dije se kjo rrugë është rruga e profetëve dhe e pejgamberëve, dhe se njeriu duhet të jetë i vendosur deri në fund për realizimin e objektivave të tilla. Sidomos, kur dihet se këto objektiva, njëherit, përbëjnë edhe thirrjen më të lartë dhe se, përmes tyre, mund të arrihet në ngritjen e vlerave.

Nga ajeti kuptojmë edhe rolin e prindit në edukimin e fëmijës. Në jetë mund të mësohen shumë gjëra vetë, por ato që t’i dëshirojnë dhe t’i japin prindërit si udhëzim, padyshim janë më të mirat dhe më të sigurtat. Një prind i vetëdijshëm asnjëherë nuk ia do të keqën evladit të vet.

Po ashtu, këshilla e hz. Lukmanit përfshinë të gjithë fëmijët, pra ajo i dedikohet edhe vajzës, por me që Hz. Lukmani kishte djalë, ai në këtë kontekst i flet djalit.

Nga ajeti kuptojmë se përveç riteve fetare, ibadeteve, njeriu duhet të pajiset edhe moralin dhe karakterin e bukur. Aq sa ka rëndësi besimi, praktika, po aq ka rëndësi dhe peshë ahlaku, pra morali dhe sjellja e bukur. Me besim, praktikë (ibadat) dhe ahlak (moral) formohet personaliteti dhe karakteri i plotë i besimtarit apo besimtares.

Përgatiti:
Hfz. Mehas Alija

(Islampress)